Los Axhelos, parkim për të ndihmuar të pastrehët

Autoriteti i Shërbimeve për të Pastrehët në Los Anxhelos thotë se mbi 15 mijë njerëz në këtë qytet të shtetit Kaliforni jetojnë në makinat e tyre. Kjo nuk është vetëm e parehatshme, por edhe jo e sigurtë. Për t’ua lehtësuar sadopak jetën, një organizatë jo fitimprurëse e quajtur “Safe Parking LA”, e themeluar në vitin 2016, po krijon mekanizmin e quajtur “Vendet e sigurta të parkimit”, njofton Zëri i Amerikës.

“Mblidhem kruspull këtu dhe përpiqem të gjej një pozicion për të fjetur… Nuk është dhe aq e lehtë, por është më mirë se të shtrihesh në tokë apo mbi ndonjë copë kartoni, siç bëjnë shumë njerëz të tjerë këtu”, tregon ai.

Zoti Woodworth merr një ndihmë financiare dhe kur ka mundësi punon në shpërndarje.

Por, kjo nuk mjafton për të paguar qeranë në një qytet të shtrenjtë, si qyteti Los Anxhelos, në shtetin Kaliforni.

Gjashtë muaj më parë, ai vendosi të jetojë në makinën e tij për vetëm një muaj, por vazhdon të jetojë ende në të.

“Duke qenë i pastrehë prej kohësh, lëvizja me makinë për të gjetur vendin ku të parkoja. Kisha ndjesinë e pasigurisë dhe frikës. Shqetësohesha gjithnjë mos përballesha me policinë, apo mos përpiqej dikush të më grabiste…”, tregon zoti Woodworth.

Rastet e tilla frymëzuan aktivistin Mel Tillerkeratne për të krijuar shoqërinë jofitimprurëse “Safe Parking LA”.

“U ofrojmë këto vende parkimi ku ata mund të vijnë dhe të parkojnë nga ora 7 e darkës deri në 7 të mëngjesit. Kemi të pranishëm një punonjës sigurie që t’i mbrojë dhe një banjo portative”, thotë zoti Tillerkerante.

Ata që nuk kanë makinë përfundojnë duke fjetur në tendat që mbizotërojnë peisazhin e Los Anxhelosit.

“Popullsia e pastrehë është rritur me 12%. Kemi rreth 60 mijë të pastrehë në Los Anxhelos. Janë gra, fëmijë, veteranë, të moshuar, si dhe njerëz me probleme mendore…”, thotë Antwone Sanford, i organizatës “Misioni Los Anxhelos”.

Organizatorët e strehëzave thonë se numrat e të pastrehëve po shtohen.

Këtu ka lloje të ndryshme njerëzish. Disa madje nuk janë as amerikanë, siç është Paul, i cili vjen nga Londra.

“Pësova një aksident të tmerrshëm. Nuk donin të më trajtonin derisa të shërohesha dhe kështu që më nxorrën jashtë. Është një mjedis i rrezikshëm, shumë i rrezikshëm…”, thotë Paul, i pastrehë.

Nuk ekziston një arsye e vetme pse njerëzit bëhen të pastrehë. Por, për shumë prej njerëzve këtu, historia është e njëjtë: Ndërsa lagje me kosto të përballueshme jetese, si Inglewood, u bënë më të shtrenjta, qeratë u rritën së tepërmi dhe banorët nuk kishin ku të shkonin.

“Shumë prej klientëve tanë që kanë nevojë për ndihmë urgjente u bënë të pastrehë për shkak të rritjes së qerave në Inglewood pas ndërtimit të stadiumit të futbollit. Këtu kemi shumë njerëz që erdhën nga Inglewood. Nga 12% e popullsisë që janë të pastrehë, 3% u bënë të tillë vetëm për shkak të stadiumit”, thotë zoti Sanford.

Autoritetet e qytetit thonë se programet si “Safe Parking LA” do të ndihmojnë njerëzit që gjenden përkohësisht në një situatë të vështirë jetese.

Kjo nuk është një zgjidhje e përhershme, por një mënyrë për t’i bërë njerëzit të ndjehen të sigurtë gjatë natës, duke u dhënë kështu një inkurajim të pastrehëve që po përpiqen të gjejnë një dalje nga kjo situatë e vështirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button