Detajet e takimit VV-LDK që përfundoi tani

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka folur rreth takimit të sotëm me krerët e LDK-së, pas nominimit të Vjosa Osmanit për kryeministre nga kjo parti.

Ndonëse nuk thotë të jenë marrë vesh përfundimisht, Bislimi ka thënë se me zyrtarët e lartë të LDK-së “u dakorduan që qeveria në ardhje si prioritet kryesor duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Para pak orësh, bashkë më kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe shefin e grupit parlamentar, Glauk Konjufca, ishim në një takim të kërkuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e në të cilin ishin prezent edhe Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri. Temë kryesore e bisedimeve ishte diskutimi i mundësive për krijimin e një koalicioni parazgjedhor i cili përfundimisht do të kthente shpresën tek qytetarët për një ndryshim thelbësor të modelit qeverisës në vend. U dakorduam që qeveria në ardhje si prioritet kryesor duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. E gjithë kjo si parakusht për fokusim në politika që krijojnë vende pune dhe rrisin mirëqenien”, ka thënë Bislimi.

Ai ka thënë tutje se Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 10 muaj që ka dërguar një propozim konkret tek Mustafa për modalitetet e ndërtimit të qeverisjes së ardhshme si dhe prioritetet kyçe.

“Mund mund të themi që nga ajo ditë nuk ka ndryshuar as edhe një germë nga kjo. Kjo vlen edhe për bindjen tonë që ky opsion do të krijonte sinergjinë e duhur duke e vendosur në krye të saj Albin Kurtin, me mundësi të dakordimit për një periudhë prej dy mandateve dhe rotacion. E shoh si shumë të rëndësishëm faktin që si nga Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe nga LDK u zotuam se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk do ketë takime me cilindo nga subjektet tjera pjesëmarrëse në zgjedhje”, ka thënë Bislimi, përcjell Koha.net. “Si LVV ashtu edhe për LDK ka vetëm një partner strategjik për ndërtimin e qeverisë së ardhshme. Na mbeten edhe tri ditë për të arritur marrëveshjen aq të pritur nga shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit”, ka thënë më tej ai.

Nisma Socialdemokrate ka mohuar se udhëheqësi i saj, Fatmir Limaj, është pjesë e takimit të Isa Mustafës së LDK-së, e Albin Kurtit nga Vetëvendosje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button