UT dërgoi telegram ngushëllimi për veprimtarin Mikel Kuzhnini

Humbje e madhe ndarja nga jeta e Mikel Kuzhninit, veprimtarit të çështjes sonë kombëtare, themeluesit, kryetarit dhe kryetarit të nderit të Lidhjes së Shqiptarëve në Botë. Si shumë atdhetarë të tjerë, që për ideal kishin përparimin e kombit, avancimin e proceseve të përgjithshme në mbarë trevat shqiptare edhe emri i Mikel Kuzhninit do të zë një vend të rëndësishëm në panteonin e figurave tona kombëtare, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Universitetit të Tetovës.

“Kontributi i tij dhe i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë ka qenë jetik në koordinimin e aktiviteteve të panumërta në funksion të kauzës kombëtare, realizimin e aspiratave të shqiptarëve kudo në botë. Veprimtaria e tij ka qenë dhe do të mbetet udhërrëfyese se si një atdhetar  me synime të qarta, patriot i dëshmuar, që mundi t’i bashkojë rreth një subjekti, qindra studiues, veprimtarë, aktivistë të mirënjohur për t’i shërbyer realizimit të objektivave kombëtare të popullit shqiptar.Në emrin tim dhe të institucionit që drejtoj, u shprehi ngushëllime të thella familjes së respektuar Kuzhnini, Lidhjes së Shqiptarëve në Botë, miqve dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Mikel Kuzhninin!”, thuhet në letrën e rektorit të UT-së, Vullnet Ameti.

Biografia e Mikel Kuzhninit

Në aktivitetin e tij kombëtar, rëndësi të veçantë i kushtoi arsimimit të të rinjve shqiptarë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, duke ofruar ndihma përkatëse materiale. Me aktivitete të tilla u mor vazhdimisht, gjatë gjithë jetës.
Duke vepruar, herë në mënyrë të organizuar, e herë në ilegalitet, Mikeli dha kontribut tё rёndёsishёm në ndërtimin e idealeve kombëtare, patriotike liridashëse e demokratike.

Në vitin 1968, Mikeli me të vëllain Simonin dhe disa shokë në Prizren e ngritën flamurin kombëtar pranë shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Pas atij akti Mikeli u desh të largohej për në Stamboll, duke zhvilluar aktivitete në Turqi. Angazhimi rreth këtyre çështjeve e detyruan familjen Kuzhnini që patjetër të largohej nga Kosova, dhe në vitin 1968/1969, të vendosen në Zagreb, transmeton Albinfo.

Gjatë viteve 90-të, kryesisht, Mikeli dha kontribut edhe në pranimin dhe vendosjen e familjeve shqiptare që u dëbuan me dhunë nga Kosova. Nё familjen Kuzhnini u vendosën edhe delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët, në vitin 1989, për shkak të shpalljes së Republikës së Kosovës, ishin të detyruar të largoheshin nga Kosova për në Zagreb. Ai u përkujdes edhe për luftëtarët e U Ç K-sё, qё morën pjesë nё luftën nё Kroaci. Një prej aktiviteteve me rëndësi që e zhvilloi i ndjeri Mikeli me disa veprimtarë tё tjerё, ishte organizimi për fillimin e transmetimit të emisionit të lajmeve në gjuhen shqipe në Radio Zagreb.

Mikeli zhvilloi edhe shumë aktivitete të tjera në anë të ndryshme të globit, si dhe mbajtja e grevës sё urisë për Kosovën, që e mbajtën në Bruksel, e cila pastaj u reflektua negativisht në shëndetin e tij.
Pavarësia e Kosovës është realizim i ëndrrës së kahmotshme të shumë brezave, si dhe tё Mikelit, i cili tërë jetën e tij ja kushtoi pavarësisë së vendit. Ai, bashkë me vëllain Simonin, ishin veprimtarë të shquar të çështjës kombëtare, duke ndërmarrë disa nisma për bashkimin e shqiptarëve, në të gjitha aspektet.

Mikeli me të vëllain binjak, Simonin ishin ideatorë të Lidhjes Shqiptare në Botë dhe e themeluan atë më 1997, me një qëllim dhe një mision- bashkimin e shqiptarëve. Vëllezërit, Simon e Mikel Kuzhnini kanë dhënë kontribut të madh në mbi dy dekada me bindjen se nuk ka forcë që do të mund të ndalë qëllimet e organizimit të Lidhjes Shqiptare në Botë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button