LSDM-ja do të mendojë për “veting” sa të “kryejë punë” me Prokurorinë Speciale

LSDM-ja ende nuk e ka shqyrtuar propozim-ligjin e partnerit të koalicionit BDI, për “veting” të prokurorëve, gjykatësve dhe politikanëve me arsyetimin se tani janë të zënë me Ligjin për Prokurori Publike, në kuadër të cilit pritet të zgjidhet statusi i Prokurorisë Speciale, e cila pas skandalit “Reket” ku është përfshirë shefja, Katica Janeva, ka mbetur “as në tokë as në qiell”, njofton Portalb.mk.

“Për momentin, fokusin e kemi te Ligji për Prokurori Publike, por me kohë do ta shohim edhe propozimin e BDI-së”, deklaroi shkurt për Portalb.mk, zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, në lidhje me atë se kur do ta shqyrtoni propozim-ligjin e BDI-së për veting.

Nga ana tjetër, BDI ende nuk e ka lëshuar në procedurë kuvendore propozim-ligjin, por vetëm ua kanë dorëzuar partnerëve të koalicionit dhe opozitës për ta shqyrtuar të njëjtin.

“Propozim-ligji është shkruar dhe i është dorëzuar partnerëve si dhe opozitës. Kuvendi është në pushim gjerë nesër. Do të vlerësojmë kohën më të mirë për ta lëshuar në procedurë parlamentare, para apo pas Këshillit të Bashkimit Evropian në tetor”, thotë për Portalb.mk, sekretari organizativ i BDI-së, Artan Grubi.

Derisa “vetingu” mbetet në “ajër”, pushteti dhe opozita, nuk kanë arritur marrëveshje për Ligjin për Prokurori Publike, edhe pse sot u mblodhën për t’i diskutuar çështjet kontestuese. BDI, nuk e jep propozim-ligjin për “veting”, që qytetarët ta shohin se çfarë në fakt zyrtarisht kërkon kjo parti, për siç kanë deklaruar, procesin e pastrimit të funksionarëve të inkriminuar në krim

Opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE, përveç që nuk pajtohet me Ligjin për Prokurorinë publike, ajo gjithashtu nuk dëshiron që të ketë “veting”, pasi që sipas tyre, ky pushtet është kriminel dhe një proces i tillë do të shfrytëzohej vetëm për larje të krimeve.

“VMRO-DPMNE është i qëndrimit se nuk mundet të zbatohet “veting” me kësi qeveri kriminele. Një proces i tillë do të ishte vetëm alibi për t’u larë veprimet kriminale të disa personave të caktuar të pushtetit. Jemi për “veting”, por kur të ketë kushte, të ndërrohet pushteti, momentalisht s’ka kush ta bëjë “vetingun”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Nga ana tjetër, grupi i 8-të deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së, thonë se kanë diskutuar me BDI-në për këtë çështje, por ende nuk kanë ndërtuar qëndrim. Opozita shqiptare është skeptike se me Qeverinë aktuale mund të bëhet “veting” apo verifikim i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të njëjtat nuk janë të njoftuar me propozim-ligjin e paralajmëruar prej BDI-së, për “veting”, pasi që partia në pushtet nuk ua ka dorëzuar të njëjtave.

Lëvizja Besa ka propozuar krijimin e një Komisioni Shtetëror qoftë nga ana e Kuvendit apo e Presidentit të vendit, i cili në mënyrë serioze do të sillte reforma afatgjate, cilësore duke u harmonizuar me vlerat dhe standardet evropiane

“VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i “vetingut” mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e “vetingut”.

Lexo gjithçka për reformat në gjyqësor, përfshirë edhe “vetingun”: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button