Më 5 shtator do të dëgjohen “bombat” për “Monstrën”, Aziri: Me kanë kërcënuar me jetë

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Monstra” është vendosur që prej më 5 shtator në seancë të fillojë publikimi i “bombave”, gjegjësisht materialeve të përgjuara dhe sms-porosive lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ndërkaq i akuzuari Fejzi Aziri është ankuar se e kanë kërcënuar jetë, njofton Portalb.mk.

“Në seancë do të prezantohen të gjitha materialet që i ka dorëzuar LSDM, por do t’i prezantojmë edhe bisedat që mua personalisht mi kanë dërguar”, sqaroi prokurorja Fatime Fetai.

Prokuroria Speciale ka në duar 38.000 “bomba”, gjegjësisht biseda telefonike dhe sms-porosi në lidhje me këtë rast.

Avokati i të akuzuarve, Naser Raufi, tha për Portalb.mk, që ata prej nesër do të fillojnë t’i dëgjojnë përgjimet.

“Ne prej nesër do të fillojmë t’i dëgjojmë përgjimet, ndërkaq më 5 shtator edhe mediat do të kenë mundësi t’i dëgjojnë. Në bazë të materialeve që do të dëgjohen, do të propozojmë edhe dëshmitarë shtesë, gjegjësisht funksionarë të caktuar”, thotë Raufi për Portalb.mk.

Gjatë seancës i akuzuari Fejzi Aziri i është ankuar gjykatësit Ognen Stavrev se ka pasur kërcënime me jetë nga ana e policit i cili e ka sjellë nga burgu i Shtipit deri në Gjykatën Penale.

Aziri gjithashtu ka theksuar se duart i ka pasur të lidhura me pranga nga prapa edhe përkundër që ka kërkuar që në vitin 2014 që të mos i lidhen duart në atë mënyrë, sepse nuk ka mundur ta përballoj për shkak të sëmundjes.

“Kam kërcënime me jetë nga polici i cili më sjell në Gjykatë. Thotë se do të na shkrep nga një plumb në kokë dhe të përfundoj me të gjithë ne. Prangat gjithashtu mi vendosin nga prapa, ndërsa unë jam i sëmurë dhe nuk mund ta përballoj këtë”, tha Aziri.

Pas kësaj dëshmie të Azirit përfaqësuesi i policisë së burgut i pranishëm në seancën gjyqësore deklaroi se kjo nuk është e vërtetë dhe se nuk ka kërcënuar Azirin e as ndonjë tjetër të akuzuar. Aziri gjithashtu ka kërkuar që të vendoset në ndonjë burg në Shkup, sepse nuk ka mundur më tej të përballoj udhëtimin nga qytetet e tjera.

Zaevi në mesin e dëshmitarëve

Prokurorja Fetai ka paralajmëruar se Zaev, do të ftohet që të japë dëshmi në seancë gjyqësore.

Pas paralajmërimit të gjykatësit Ognen Stavrev, se do të dëgjohen “bombat”, njëri prej prindërve të djelmoshave të vrarë, kërkoi sqarim nëse deri më tani janë dëgjuar bisedat e “arushave të mbrojtura”, gjegjëissht të atyre që bisedat u janë shpallur si fshehtësi shtetërore nga Prokuroria e rregullt. Atëherë ai është thirrur në premtimin e kryeministrit Zaev, se prindërit do t’i mësojnë se numrat e kujt janë fshehur.

Ndaj kësaj, Fetai ka reaguar duke thënë se kryeministri Zaev do të ftohet për të dhënë dëshmi.

Lënda është në fazën e nxjerrjes së dëshmive të reja.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button