Me një ndalesë do ta kalojmë kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Tabanovc

Do të shkurtohet përgjysmë koha e pritjes së udhëtarëve në kufi dhe do të ketë kursime vjetore për shtetet prej 8 milionë eurove. Këto janë përfitimet më të rëndësishme nga kontrollet e përbashkëta kufitare në komunikacionin rrugor mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në pikën kufitare Tabanovc – Preshevë, njofton Portalb.mk.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, sot zyrtarisht e kanë lëshuar në përdorim pikën e përbashkët kufitare Tabanvoc – Preshevë. Sipas konceptit “One Shop Stop”, në të dy vendet do të hyhet dhe dilet vetëm në një ndalesë për rregullimin e të gjitha formaliteteve kufitare. Në këtë mënyrë, koha e udhëtimit do të zvogëlohet për gjysmë, ndërkaq do të rritet edhe fluksi i udhëtarëve dhe mallrave në të dy drejtimet.

“Është parashikuar edhe pranimi e përbashkët i certifikatave të agjencive kufitare – fitosanitare dhe veterinare, për shkak të kontrollimit të dokumenteve tregtare për mallrat”, deklaroi kryeministri Zaev.

 

Kryetarja e Qeverisë së Republikës së Serbisë Ana Bërnabiq, gjatë fjalimit të saj theksoi se kjo ngjarje konfirmon se Serbia sheh drejt ardhmërisë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se do të largohen të gjitha barrierat të cilat do të ndihmojnë rritjen e aktivitetit ekonomik dhe bashkëpunim për ndërlidhje më të mirë të popujve dhe ekonomive të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministrja Bërnabiq theksoi se të dy shtetet i kuptuan problemet dhe harxhimet me të cilat ballafaqohen ekonomitë e të dyja vendeve nga procedurat e tepërta administrative dhe që prej tani e tutje fokusi do të  jetë në mirëqenien e qytetarëve dhe afaristëve me promovimin e partneriteteve për bashkëpunim efikas.

Me vendosjen e pikës së përbashkët kufitare, policët dhe doganierët e dy shteteve do të punojnë në zyra të përbashkëta, në të cilat në një vend do të kryhet kontrollim i të gjitha formaliteteve kufitare. Marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është nënshkruar mes dy qeverive më 12 korrik të këtij viti, pas së cilës në mënyrë të shpejtë u miratua edhe nga kuvendet e të dyja vendeve.

Pikat kufitare në Tabanovc – Preshevë, tani për tani do të vlejnë vetëm për komunikacionin rrugor. Në pjesën e hekurudhës, do të vazhdojnë kontrollet e dyfishta deri në vitin 2023, deri kur pritet që Qeveria e Maqedonisë ta mbarojë ndërtimin e objektit të përbashkët kufitar në afërsi të stacionit hekurudhor në Tabanovc.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button