Padrejtësi në një kohë të shthurur të demokracisë

Bota njerëzore është një botë e pamëshirshme kur bëhet fjalë për respektimin e një njeriu me ngjyrë. Qenia njeri është krijuar për të respektuar dhe dashuruar më tepër veten, pa mbajtur përgjegjësi për veprimet, të cilat ndikojnë keq në mënyrën e jetesës së dikujt tjetër, e sidomos tek ata të cilët nuk e dinë se çdo të thotë të jesh i dashur, të kesh një krah ku të mund të mbështetesh e të kesh një vend ku do të vlerësojnë ashtu siç je e në mënyrën siç të ka falur krijuesi. Ky është një realitet i hidhur që lë plagë të thella në zemrat e secilit nga ne, e ne duke pritur që dikush tjetër ta bën hapin e ndryshimit, mbetemi ne vend dhe presim diçka që nuk vjen vetë për t’u bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Për këtë, fajin duhet ta kërkojmë në brendinë tonë, aty ku shpirti fle e ne nuk e zgjojmë për ta kritikuar dhe akuzuar për veprimet jonjerëzore që bëjmë. Duke e flakur një njeri me ngjyrë tutje, sikur të ishte një letër e hedhur mbi trotuar,e cila ashtu e pafajshme pranon shkeljen e çdo këpuce të ndotur; sikur të jetë një qenie e një planeti tjetër, pa një nënë, e cila e ka lindur dhe atë e ka pranuar si dhuratën më të mirë të zotit, duke i dhënë një emër mbi të cilin ajo do ta thërras për herë të parë.

Siç e dimë të gjithë, jemi ne njerëzit që e përbëjmë shtetin dhe ai si një kategori shoqërore, në këto raste të vështira që i shohim në çdo cep rruge, në çdo vend të lënë mbas dore, apo duke trokitur në xhamat e makinave e në dyert e shtëpive tona, ka faj të madh të madh që nuk u siguron atyre një kafshatë të gojës dhe një dhomë të ngrohtë për ta kaluar jetën, pasi jeta ka vlerë të madhe për secilin nga ne, ashtu siç ndodh edhe me ata, pasi edhe ata kanë ndjenja dhe ndjenjat nuk janë të lyera me ngjyrë për t’i anashkaluar.

Jam e sigurt se po ta marrim një fëmijë me ngjyrë dhe ta pyesim se çdo të na tregonte për jetën e tij, ai do të na e kthente në këtë mënyrë : “I kam hapur sytë edhe unë si të gjithë ju. Kam qarë me lot dhe kam qenë dhurata më e mirë nga zoti për familjen time që më puthnin e më ledhatonin ashtu si familja jote. Edhe unë kam dëgjuar ninullat më të bukura nga gjyshërit e mi kur më lëkundnin në djep. Edhe unë pas dy vjetësh kam filluar të ndjek nënën e të nxjerr tingujt e parë për të biseduar me familjen në mënyrën time, pa e ditur se çka ata konkretisht bisedonin. Edhe unë si ti isha një krijesë e zotit me po të njëjtin gjak e  po të njëjtat gjymtyrë. Edhe mua ditët më kalonin me lodra në duar, ashtu si ti,  edhe pse nuk i kishim të  njëjtat. Ashtu si ti edhe unë kam vrapuar nëpër dhomë, e në mënyrë tjetër nuk dija si ta shprehja lumturinë kur më jepej një kafshatë buke. E shikon, vrapim i njëjtë, vetëm ambientet kanë qenë të ndryshme. Edhe unë si ti fillova të shkoj në shkollë, me çantën mbi shpinë të mbushur me libra. Ndoshta çanta ime nuk ishte e bukur sa jotja, por edhe imja ishte e mbushur me libra. Ndoshta librat e mi ishin të copëtuara e dikush më qeshte, por edhe ato mbanin shkronjat e njëjta si tuat. Ndoshta nuk kam pasur të drejta sa ti, por edhe unë kam pasur të drejtat e mia, e njëra ndër to ishte që edhe unë të shkollohesha njëjtë si ti në ato banka, edhe pse unë gjithmonë rrija në bankën e fundit , se mua çdokush më shikonte me sy që asnjëherë nuk isha ballafaquar. Çdokush bisedonte për mua e asnjë me mua, askush një buzëqeshje nuk m’a falte, edhe pse unë gjithmonë prisja se do të trajtohesha njëjtë si ti. Se do ma kapje dorën dhe nuk do më akuzoje për gjërat që nuk i kam zgjedhur vetë dhe për fatin që tjetër kush  m’a ka shkruar. Prisja se do më mbroje kur dikush do mundohej të shkelte krenarinë dhe karakterin tim. Por jo, isha gabuar. Ti ishe vëzhguesi më i madh dhe i lumtur njëkohësisht për gjërat që më ndodhnin pa dashjen time. Ikje kur të afrohesha dhe më hidhje një të hollë nga lartë, ndoshta edhe më mallkoje, vetëm që unë të largohesha e ti të ishe përsëri ai që para të tjerëve kishe trup të madhe, por shpirtin e kishe të keq e të kalbur. Këtë vetëm unë e vëreja, sa herë që ti me shaka tregoje gishtin për këpucët e mia të viteve ’50. Ty ndoshta të dukeshin qesharake, por për mua ishin mbrojtja e vetme nga të ftohtit. Ti ndoshta i kishe më të rejat dhe prindi yt t’i sillte me një pako të madhe, por unë nuk kam faj që prindi im nuk ka një vend pune dhe vuan kur unë ëndërroj të ardhmen tonë në mënyrën siç je ti tani, pasi ai e di se ku jetojmë dhe me çfarë njerëz kemi punë. Unë nuk kam faj që të tjerët luajnë me mua dhe më shohin çdoherë me sy kritikues. Unë nuk kam faj që dua një të ardhme dhe një dritë në fund të tunelit, një shenjë që të më tregoj se unë do të trajtohem si ti dhe ti do më kapësh dorën për ta ndjekur jetën, dhe ndoshta të kem edhe një funksion udhëheqës, pasi edhe ne jemi pjesë e shtetit dhe ai ka përgjegjësi për secilin nga ne. Nëse do të kisha zë të lartë, do të isha i pari që do ta kritikoja shtetin, jo se tani nuk kam, por tani në këtë pozitë ai nuk e di nëse ekziston një qenie si unë. Dua edhe unë të qesh me njerëzit sa herë ata festojnë për diçka dhe jo të pranoj te këmbët vetëm pjesët e balonave të plasura. Dua edhe unë të kem liri, por  kush ma premton mua atë, në këtë gjendje siç jam tani e kushedi edhe sa kohë do të mbetem i këtillë”.

Këto di t’i thoshte ai. Këto fjalë do të reflektonin nga ai në zemrat dhe shpirtrat tanë, e ne sigurisht se do të ndiheshim keq. Po çka ndryshon nëse vetëm i dëgjojmë fjalët dhe nuk i bëjmë hapat për ta ndryshuar botën e  tyre, pasi ne mundemi dhe ndoshta jemi të vetmit për atë ndihmë ndaj tyre. Çka ndryshon nëse vetëm i shohim dhe nuk ua japim dorën ? Asgjë. As për to e as për ne. Prandaj le t’i shohim edhe ata si qenie të rëndësishme, pasi të tillë janë, ndoshta jo për ne por, për veten dhe rrethin e tyre. Le t’i shohim me buzëqeshje dhe dashuri, për ta na e kthyer edhe ata në të njëjtën mënyrë. Le t’i shohim me shpresë, le t’i shohim të lirë, për ta ndërtuar bashkë me ta një botë, ku të drejtat do të jenë të barabarta për të gjithë.

Shkruan:
Adelina XHAFERI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button