fbpx

Shkarkimi e zëvëndësimi i Katica Janevës dhe fati i PSP-së, pas rastit “Reket”

Paraburgimi i kryeprokurores speciale Katica Janeva, si e dyshuara e tretë e rastit “Reket”, ka hapur dilemë dhe debat publik në lidhje me funksionimin e mëtutjeshëm të Prokurorisë speciale publike (PSP). Konkretisht, prokurorë e gjykatës debatojnë për lëshime ligjore, për atë se kush do ta marrë pozitën e kryeprokurores së PSP-së dhe a do të ketë pezullim të rasteve që hetohen nga kjo prokurori së bashku me prokurorët e tjerë, transmeton Portalb.mk. Megjithatë, gjithçka sërish varet nga partitë politike, të merren vesh për Ligjin e ri për Prokurorinë Publike, dhe me këtë t’i shuajnë dilemat.

Çfarë do të ndodhë me hetimet dhe statusin e PSP-së nëse partitë nuk bien dakord rreth Ligjit të ri për Prokurorinë? A mundet Këshilli i prokurorëve ta shkarkojë Janevën, e cila ka dhënë dorëheqje me kusht, ose të emërojë ushtrues të detyrës në vend të saj pasi të kalojë mandati i Janevës deri sa të zgjidhet prokuror i ri?

Aktualisht rasti “Reket” është në procedurën e dorëzimit të Raportit të hartuar nga Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit (PKOK) deri te Këshilli i prokurorëve publik (KPP). Ky Raport, pasi u shqyrtua nga KPP, u konstatua se është jo i plotë. Për këtë arsye, kërkohet tashmë një raport më i plotë të hënën, ose të hënën vet hartuesja e raportit Vilma Ruskoska të raportojë para KPP-së.

Kryetari i KPP-së, Kole Shterjev sqaroi se vetëm atëherë kur do të ketë informata të plota, kur Raporti do të jetë i plotë, atëherë do të dërgohet në Kuvend për të vazhduar pastaj procedurat për shkarkimin e Janevës.

A mund të ketë zëvendësuese Janeva?

Shterjev rreth zëvendësimit të Janevës thotë se “nuk mund të emërohet ushtrues detyre (u.d.) prokuror special, pa i mbaruar mandati Janevës.” dhe këtë e bazon në Ligjin për Prokurori Speciale Publike.Ai thotë se ky ligj megjithatë ka shumë zbrazëtira juridike, por se duhet të respektohet sepse ende është në fuqi dhe të gjitha përgjigjet duhet të kërkohen në të, e jo në Ligjin për Prokurorinë sepse midis këtyre dy ligjeve ka kolizion.

Por, nga ana tjetër prokurori publik, Lubomir Joveski mendon se KPP, përveç Raportit, duhet njëkohësisht të vendosë edhe për trashëgimtaren e pozitës së Janevës në PSP.
KPP duhet të reagojë dhe të emërojë ushtrues detyre, mundësisht ndonjë kolegë, sipas Joveskit, duke u bazuar në Ligjin për prokurori publike (LPP) dhe jo Ligjin për Prokurori Speciale Publike.

Për shkak të dilemës në opinion rreth vakuumit institucional dhe juridik, prokurorja Lile Stefanova thotë se PSP-ja është në momente më të vështira që nga themelimi, prandaj kërkon nga faktorët politik në vend që me marrëveshje të miratojnë Ligjin e ri për Prokurorinë Publike që në fakt do të zgjidhë këto dilema, që mos të ketë pezullim të proceseve hetuese.

Çfarë thotë Ligji?

Në ligjin për PSP-në- i cili është në fuqi deri në vitin 2020 shkruan se prokurori publik zgjidhet me shumicë prej dy të tretave me pëlqim paraprak të katër partive politike me numrin më të madh të deputetëve dhe të Këshillit të prokurorëve publikë me propozim të Parlamentit, pa shpallje publike dhe me të drejtë për rizgjedhje pas mandatit 4 vjeçar.
E njëjta gjë vlen edhe për përcaktimin e ndërprerjes së mandatit të prokurorit që udhëheq me PSP-në, përkatësisht prokurorja Janeva.

“Prokurori publik shkarkohet nga funksioni para përfundimit të mandatit për shkak të kryerjes së detyrës në mënyrë të paligjshme, jo profesionale dhe të pandërgjegjshme të funksionit.
Nëse Këshilli i prokurorëve publikë nis procedurë për shkarkim të prokurorit publik, Këshilli i prokurorëve publikë do të dorëzojë një raport, brenda afatit të arsyeshëm, për gjendjen e përcaktuar faktike dhe për bazat e shkarkimit deri te Parlamenti, përveç nëse ndonjë komision nuk e anulon dhe e pengon publikimin e ndonjë pjese ose të tërë raporti, nëse shihet se duhet të mbrohen të drejtat e çdo personi të përmendur në raport ose të parandalohet ndikimi i palejuar për cilën do ndjekje penale”, shkruan në Ligjin për PSP-në.

Shkarkimi dhe zëvendësimi i prokurores speciale Katica Janeva, mund të vendosë në pikëpyetje funksionimin e PSP-së, pasi sipas Ligjit, funksionimi i prokurorisë varet nga kryeprokurorja.

“Prokurorët publikë, sipas paragrafit 2 të këtij neni, nuk kanë të drejtë të sjellin urdhra dhe akuza, ndërsa kanë të drejtë të përfaqësojnë prokurorin publik i cili udhëheq me prokurorinë publike para gjykatës kompetente. Mandati i prokurorëve publikë sipas paragrafit 2 të këtij neni, nuk e tejkalon mandatin e prokurorit publik”.

Pra, vendimet, procedurat dhe mandati i prokurorëve në PSP, varen nga nënshkrimi i kryeprokurores Janeva.

Puna vazhdon

Por, tani për tani, prokuroret e PSP-së, Fatime Fetai dhe Lile Stefanova vazhdojnë punën pa ndërprerje për rastet që tashmë janë në procedurë, si rasti “Perandoria” që udhëhiqet nga Stefanova.

“Përgjegjësia e mundshme individuale penale e njërit prej prokurorëve në PSP nuk guxon të jetë arsyetim për ta harruar tërë krimin që është bërë në vendin tonë gjatë periudhës së kaluar dhe ta ndërpresim luftën tonë. Ekipi i PSP-së tërësisht i është kushtuar luftës për drejtësi dhe ne vazhdojmë me punën tonë – përfaqësimi i lëndëve në sallën gjyqësore”, deklaroi Fetai.

Përndryshe, në lëndën për zhvatjen, përpos prokurores Katica Janeva, të dyshuar janë edhe dy personaBojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13”dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec se kanë zhvatur biznesmenë nëpërmjet Janevës. Dyshimet e prokurorisë janë se ata kanë marrë 1,5 milionë euro vetëm nga biznesmeni Orce Kamçev për t’ia lehtësuar procedurën hetimore për pastrim parash në lëndën “Perandoria”, ndërsa duhej të merrnin edhe 4,5 milion euro të tjera, gjithsej 8 milionë.
Gazeta italiane “La Verita” ka publikuar disa video-audio materiale, në të cilat shihet se si Boki 13 dhe Zoki Kiçeec marrin paratë prej biznesmenit Orce Kamçev në shtëpinë e tij.

LEXO PËR LËNDËN: REKET

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close