Në Maqedoninë e Veriut ende ka institucione pa drejtor dhe të punësuar (Infografik)

Maqedonia e Veriut ka institucione që janë jo-efikase në dhënien e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në mesin e tyre janë disa prej tyre që nuk kanë fare as të punësuar dhe as drejtor, që kanë drejtor, por jo të punësuar, por edhe që kanë të punësuar dhe nuk kanë drejtor. Deri në fund të vitit pritet që të jetë gati analiza për bashkimin, ose shkrirjen e institucioneve, me qëllim që të ulet numri i institucioneve jo-efikase dhe në këtë mënyrë të kursehet buxheti i shtetit, njofton Portalb.mk.

Maqedonia ka gjithsej 1.299 institucione shtetërore, numër ky që konsiderohet tepër i lartë. Numri i madh i institucioneve u kushton xhepave të qytetarëve. Paralajmërimet nga pushteti janë se do të zvogëlohet numri i institucioneve, nëpërmjet shuarjes së institucioneve që nuk kanë të punësuar, por edhe nëpërmjet bashkimit të institucioneve që kanë kompetenca të ngjashme apo të njëjta.

Mbi 30-të institucione, nuk kanë nga asnjë të punësuar, ndërkaq disa prej tyre kanë vetëm drejtues ose vetëm nga një të punësuar. M’u këto institucione do të jenë në shënjestër të “pastrimit”, me qëllim që të reduktohen shpenzimet dhe të rritet efikasiteti në administratën publike.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski ka deklaruar se janë në pritje të analizës dhe në dhjetor do të zgjidhet problemi.

“E presim analizën finale, prodhimin final të këtij projekti që të mundemi për të gjithë ti zgjidhim këto probleme. Nuk shkojmë në zgjidhjen një nga një, për shkak se me të vërtetë dëshirojmë të shohim saktë se kush ku lidhet me kompetencat e tij, dhe kjo të zgjidhet në mënyrë sistemore. Fundi i këtij viti do të thotë zgjidhja e problemit me këto institucione”, tha Manbçevski për Alsat.

Rekomandimet janë të qarta edhe nga Bashkimi Evropian, të ulet numri i institucioneve. Numri i të punësuarve në sektorin publik në Maqedoni sipas numrit zyrtar të vitit 2018-të është 139.009.
Sipas ekspertëve, ky numër është i madh dhe duhet që të punohet në zvogëlimin e të njëjtit. Paralajmërimet e Qeverisë janë se nuk do të ketë përjashtime nga puna, por do të ketë riorganizim, gjegjësisht ristrukturim dhe optimizim të të punësuarve.

Në kohën kur kemi numër të madh të institucioneve dhe të punësuarve, shumica parlamentare më 7 shkurt të këtij viti, edhe pse OJQ-të reaguan ashpër, e miratoi Ligjin për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për ndërmarrje publike, me çka hyri në fuqi pozita e zëvendësdrejtorit të ndërmarrjeve publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button