SËRISH PËR SHTETIN QË S’BËHET

E kam thënë shumë herë se ky shtet s’bëhet shkaku i bandave hajdute vëllazërim-bashkimore dhe ksenofobisë së minjëve të tebdilosur në pronarë të shpellës ku e shkojmë jetën si shtazë e ku po shuhen xixat e fundit të shpresës për të ardhmen ndryshe.

Ja çfarë kam shkruar para shumë vitesh për shkretishten e dashur: Në shtetin e sëmurë nga ileti i rrezikshëm me gjenezë mesjete, nuk janë të ndaluara dhe të turpshme përgjimet, përndjekjet, spiunllëqet, ndërhyrjet në drejtësi, burgosjet e kurdisura, inskenimet e konflikteve ndëretnike e ndërfetare, instrumentalizimi i medies dhe pitbullëve të saj me njëmijë privilegje, korrupsioni, keqpërdorimet ordinere të parave popullore dhe shtonat tjera kutërbuese të kapadainjëve me veset e Luigjit XIV, që e pandehin veten për Diell dhe thonë: shteti jam unë! Këta janë mekanizmat e peferuar të sistemit, të fshehur me vite pas dërdëllitjesh patriotike të emetuara 24 orë në ditë n’medie-burektoret qeveritare. Ndërkaq, të jashtëligjshme, të palejueshme, të ndaluara, të dënueshme, antishtetërore, grushtshtetërore… janë vetëm aktet e publikimit të pisllëqeve që mund të prishin imazhin e pispillosur të demokracisë në paterica…

Paragrafi i mësipërm më ribind se këtu asgjë nuk ka ndryshuar esencialisht. Madje është bërë edhe më keq, veçmas pas skandalit të kryeprokurores speciale Katica Janevës, që u zgjodh për të shkulur me rrënjë krimin pushtetar, jo për të zhvatur miliona me deledashë të shndërruar prej vitesh në ikona tragjikomike nacionale.

Tani më është e qartë se afera REKET nuk mund të lidhet vetëm me kryeprokuroren, sepse mediet gëlojnë nga fotografitë e famëmadhit Boki 13, të pritur nëpër zyra kryepushtetarësh, si të ishte burrë-shtetas i një superfuqie.

A ka njeri që mund ta shpjegojë këtë vaki monumentale? Këtë nderim protokollar për tipin e akuzuar si shantazhues hajdutësh për hajdutët, lukthet e të cilëve e shndërrojnë me dekada në mut djersën dhe hisen e qindra-mijëra të rinjve, të ikur tani më përgjithmonë nga vendi i çudirave.

Njerëzit i zhgënjeu dhe reagimi i vonuar i z. Zaev pas shpërthimit të aferës. Ai erdhi vetëm pas akuzave të drejtpërdrejta të disa diplomatëve perëndimorë dhe të kryetarit të vendit, të cilët kërkuan përgjigje serioze ligjore ndaj kësaj veprimtarie të paligjshme. Dyshime lidhur me seriozitetin me të cilin drejtësia i qaset rastit në fjalë lindi edhe mënyra e burgosjes së kryeprokurores. Ajo nuk u trajtua siç i trajton zakonisht shkretishtja të akuzuarit për kryerjen e veprave të rënda penale, lëre më me mënyrën se si lidhen e tërhiqen kurrizpërkulshëm gjer te vetura e policisë të pandehurit shqiptarë.

Megjithatë, le të shpresojmë se shteti i së drejtës më në fund do të funkcionojë si e do puna. Them: “më në fund”, sepse prapa nesh janë vargëzuar dështimet e njëpasnjëshme të gjoja luftimit të vjedhësve/ zhvatësve të mëdhenj të pasurisë popullore.

Lexuesit e moshës sime sigurisht e kujtojnë nismën false të luftimit të vjedhjes dhe korrupsionit në kohën e monizmit, të propaganduar me moton: Ke shtëpi, kthe banesën! (Имаш куќа, врати стан!). Por, aksioni i nisur për sekuestrimin e pasurive të paligjshme të aristokratëve të komunizmit dhe balancimin e hendeqeve klasore përfundoi në burleskën mediale:  Ke shtëpi, ke banesë, ke tendë – kthe tendën! (Имаш куќа, имаш стан, имаш шатор врати шатор!)

Mjerisht, filozofia e minimizimit të krimeve pushtetare është funksionale edhe në shkretishten shtet të pavarur. Këtë e dëshmojnë rastet e përçudnuara të rrëgjimit të fajeve të rënda të bëra në kurriz të vendit, si: akuza qesharake e PSP-së së Katica Janevës e ngitur kundër ish kryeministrit Gruevski vetëm për blerjen e mercedesit luksoz, apo akuza komike me të cilën u paraburgos kryeprokurorja e fajësuar për korruptim me 5000 euro, jo për reketime milionëshe!!!

Epo, të na rrojë shteti e pushteti!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Tekst i qelluar, te shpresojme se megjithate ky shtet do te behet. Veshtire, por te shpresojme dhe te mos dorezohemi. Ju si kolumnist dhe profesor, por edhe portalb si dritare e vetme e realitetit ne media na jepni kurajo dhe inspirim se ndoshta ka menyre per te dal nga kjo mynxyre.

Leave a Reply to Redon Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button