fbpx

E drejta për përgënjeshtrimin e informatave në media

Burimi: KriThink

Në gazetari, përveç të drejtës së informimit, ekziston edhe e drejta e korrigjimit të informacionit të publikuar ose publikimit të përgënjeshtrimit (ndryshe i njohur si demant) në rastet kur faktet që thonë të kundërtën përmbysin atë që tashmë është publikuar. Pavarësisht detyrimit që ka gazetari për të verifikuar sa më shumë që është e mundur informacionin, gjithmonë ekziston mundësia për gabime ose lëshime. Fjala është për rastet kur është bërë përpjekje për t’u zbatuar qasje profesionale nga ana e gazetarit por sigurisht ka edhe “lëshime” të qëllimshme.

Nga: Fatlume Dervishi

Si vjen deri te përgënjeshtrimi?

Një gazetar ose një media publikon një informatë të cilën e mbështet në të dhënat ose dëshmitë që ka siguruar. Supozohet se para publikimit të tij, gazetari duhet ta ketë kaluar atë nëpër të gjithë filtrat e nevojshëm për të qenë lajm profesional. E para, duhet të jenë kontaktuar personat të cilët janë aktorë të lajmit, të jetë krahasuar me të dhëna dhe fakte që autori posedon dhe të zgjidhen dhe të publikohen faktet e rëndësishme të cilat e plotësojnë atë informatë.

Institucionet ose personat fizik ose juridik të përmendur në lajm (të cilët duhet të kenë pasur mundësinë të tregonin pikëpamjen e tyre përpara se të publikohet lajmi rreth tyre) kanë të drejtën e përgënjeshtrimi të lajmit. Gazetari mund ta ketë keqkuptuar ngjarjen, mund të ketë gabuar në zbërthimin e fakteve ose mund t’i ketë ikur ndonjë aspekt i rëndësishëm që plotëson mozaikun e lajmit dhe tashmë i ka dhënë atij kahje tjetër. Përgënjeshtrimi dërgohet nga personat e prekur në adresë të medias ose gazetarit me kërkesën që ai të publikohet dhe informacioni paraprak të hiqet plotësisht ose të korrigjohet.

Në rast se sqarimet ose faktet shtesë që jepen në përgënjeshtrim janë bindëse, media e publikon atë, duke pranuar kështu se ka gabuar në publikimin e mëhershëm. Ky i fundit nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë sepse në njëfarë mënyre gazetari pranon se paraprakisht ka bërë lëshime në ushtrimin e profesionit të tij.

E drejta e përgënjeshtrimit

Vetë fakti që të drejtën për përgënjeshtrim ose demant e garanton Kushtetuta dhe e rregullojnë ligjet nënkupton se është e rëndësishme të konsiderohet si normale që edhe gazetarët gabojnë dhe që secili mund të kërkojë publikimin e të vërtetës në rast se emri i tij ose i institucionit është njollosur. Kushtetuta jonë garanton liri të bindjes, liri të shprehjes, liri të publikimit të mendimit dhe themelimin e institucioneve për informim publik (mediave). Të gjithë këto janë karakteristika bazë të demokracisë.

Kushtetuta, Neni 16

Garantohet liria e bindjes, vetëdijes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit.

Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe themelimit të lirë të institucioneve për informim publik.

Garantohet qasje  e lire te informatat, liri e marrjes dhe transmetimit të informatës.

Garantohet e drejta e përgjigjes në mjetet e informimit publik.

Garantohet e drejta e korrigjimit në mjetet për informim publik.

***

Do të ndalemi te dy dispozitat e fundit që janë cituar. Njëra garanton që personi i cili është cak i lajmit të publikuar të ketë të drejtë të japë përgjigjen, mendimin dhe qëndrimin e tij për atë. Pak a shumë si në gjykatë. Në rastin e mediave gjykatës është publiku. Për të mësuar të vërtetën dhe për të balancuar informacionin në vijë me të vërtetën atij i duhet të dëgjojë të gjitha palët dhe këndvështrimet.

Tjetra ka të bëjë më korrigjimin. Natyrisht nëse gazetari ose media ka gabuar, personit të dëmtuar duhet t’i sigurohet publikimi i demantit, korrigjimi i lajmit dhe plasimi i të vërtetës.

Nga rrënjët e kësaj dispozite kushtetuese ka mbirë edhe nen i veçantë në Kodin etik të gazetarëve i cili kërkon publikimin e demantit në rastet kur vërtetohet se informata e publikuar paraprakisht rezulton të jetë e pasaktë.

Kodi etik i gazetarëve

Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës.

Për rastet kur pasaktësia e informatave ka qenë e qëllimshme dhe gazetari dhe media refuzojnë publikimin e demantit ligjet parashikojnë edhe mundësinë për ngritje të padive për shpifje, prishje imazhi dhe ofendim. I tillë është ligji për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje.

Ligji për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje

Përgjegjësi për shpifj, Neni 8

Për shpifje përgjigjet ai i cili për person tjetër me identitet të konfirmuar ose të dukshëm, me qëllim që të dëmtojë nderin dhe imazhin e tij, para personit të tretë transmeton fakte të pavërteta të cilat janë të dëmshme për nderin dhe imazhin e tij, ndërkohë din ose ka qenë i obliguar dhe ka mundur të dijë se janë të pavërteta.

Kur gazetari me qëllim shpif do të thotë se ai e din që bëhet fjalë për informacione të pavërtetë ose të paktën. Ai ka mundur të shfrytëzojë burimet e informacionit për ta verifikuar atë por nuk e ka bërë. Për shpifje të publikuara në media, përgjegjësi mund të mbajë edhe personi juridik ose vetë media.

Mohimi i të drejtës së përgënjeshtrimit

Rasti më i freskët dhe më lehtë i verifikueshëm për t’u cilësuar si informacion i pasaktë është ai mes ish gazetarit dhe nëpunësit aktual në sektorin e PR-it të Qeverisë, Petrit Saraçini dhe portalit Infomaks. Për të kundërshtuar pretendimet se portali në fjalë ka plasuar informacione të rrejshme, Infomaks shkruan për Saraçinin se nuk ka shkruar asnjë tekst gazetaresk në jetën e tij. Saraçini përgënjeshtron publikimin duke treguar përvojën e tij në media dhe përgatitjen akademike. Paraprakisht, siç shkruan Saraçini, gazetari ose media nuk e ka kontaktuar për të konfirmuar pretendimet e tij. Demanti nuk u publikua kurrë në Infomaks edhe përskaj asaj që u dëshmua (ose veçmë dihej) se informacionet ishin të pasakta. Nuk dihet nëse rasti është proceduar në organet e drejtësisë.

Demanti, e drejtë shprehjeje

“Liria ime përfundon aty ku fillon liria jote”. Kjo shprehje të mëson që demokracia të jep lirinë e shprehjes por për aq kohë sa kjo gjë nuk prek ose nuk dëmton në mënyrë të padrejtë dikë tjetër. Prandaj, mundësia e demantit në media ekziston si formë korrigjimi në rast se informata e publikuar ka dëmtuar padrejtësisht dikë. Si formë shlyerje për lëshimin e bërë, gazetari dhe media duhet të sigurojnë publikimin e demantit.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close