Kriminelët në burg, mafia në liri

Në kushte të tilla të mosfunksionimit të shtetit ligjor njerëzit bëhen me të drejtë cinikë. Kështu, njëri ndër reagimet më kuptimplote lidhur me arrestimin e prokurores speciale Katica Janeva ishte publikimi i një fotografi sarkastike e shkrepur në ndonjë event solemn ku Mijalkov i thotë Kamçevit “Naçalniçe, ne në shtëpi e Katica në Shtukë”, ndërsa Kamçev përgjigjet “Kriminelët në burg!”. Po të mos ishte tragjike do të ishte shumë qesharake. Por jemi shumë larg komedisë dhe në prag të çmendurisë totale dhe gjithëpërfshirëse.

Çfarë prokurore është personi që pranon dhuratë në vlerë prej 5000 eurosh nga një person kontrovers si Boki 13? Çfarë prokure është personi që vendos ta shesë integritetin e vet për mobilje? Për mobilje?! Po sa të çmendur duhet të jemi të gjithë ne të besojmë se vërtet i gjithë ky karamboll u bë për më pak se 300.000 denarët sa ka kushtuar garnitura e Katës prej tek Natuzzi?

Edhe sikur vërtet vetëm për kaq pak të jetë shitur Kata, sërish kjo është e pafalshme. Nuk vlejnë ato arsyetime se dikush vodhi miliona e miliarda e sërish është në liri ndërsa Kata shkoi në paraburgim për 5000 euro. Edhe një kafe e pirë nga prokurori ndërsa e qerasur nga i dyshuari është akt korrupsioni, ndërsa kur ajo kafe pihet nga prokurorja speciale e cila është vendosur në atë pozitë me mundime të mëdha dhe me qëllim që ta ndjekë dhe akuzojë pikërisht korrupsionin, ajo kafe e vetme bëhet helmuese jo vetëm për atë por për gjithë sistemin e drejtësisë. Nuk ka si të mos më kujtohet ajo pjesë e filmit “Ujku i Wall Street-it” kur detektivi dhe partneri i tij shkojnë tek personi i dyshuar për keqpërdorime të mëdha finansiare dhe ai i pret në jahtën e tij, me drekë me kaviar e me gafore, me shoqëruese të bukura, me pije ekstravagante dhe me ofertë për “ndihmesë” finansiare që tejkalon disa herë pagat e tyre mujore. Detektivët nuk hanë dhe nuk pinë asgjë dhe pasi e shohin si është puna vazhdojnë me hetimet e tyre derisa ai bukuroshi nuk i kthen të gjitha paratë e fituara me mashtrim, dhe e vuan në tërësi dënimin e tij me burg. Ose skena tek “American Gangter” kur polici në kontroll rutinor gjen në bagazhin e veturës së vetmuar një milion dollar të cilat lehtazi mund t’i përvetësojë pa asnjë problem, ndërsa ai vendos që të njejtat t’i paraqesë në vendin e tij të punës dhe t’i kthejë në buxhet, edhe pse kolegët e tij policë e shikojnë sikur të jetë i çmendur dhe totalisht i paaftë. Këto janë ngjarje të vërteta të cilat kanë inspiruar vepra letrare dhe filma dhe që tregojnë se pse në disa vende drejtësia funksionon e në disa jo. Kështu “Ujku i Wall Street-it” përfundon me pamjen ku detektivi kthehet me metro nga puna në shtëpi i veshur me kostumin e tij të vjetër, vazhdon ta bëjë punën e tij të përditshme edhe pse ka mundur lehtësisht të korruptohet dhe të jetojë një jetë më të mirë. Të ndjekësh krimin është zgjedhje që personi e bën kur vendos për profesionin e tij. Një njeri i pjekur gjatë zgjedhjes së profesionit duhet t’a ketë qartësuar dilemën kryesore në kokën e tij: a dëshiron të bëhet i pasur, apo dëshiron të ketë mision të caktuar në jetën e vetë. Nëse dëshiron të bëhet i pasur, ka shumë profesione që e mundësojnë këtë. Biznese të ndryshme, invencione kreative, investime të kapitalit dhe pasurisë ekzistuese… Por nëse personi vendos të punojë për të mirën publike nuk mundet në të njejtën kohë të kërkojë edhe të bëhet pasanik edhe të ushtrojë funksionin e vetë me ndërgjegje të plotë dhe përgjegjësi. Sepse profesionet si mësues, mjek, gjyqtar, prokuror, ministër, deputet, nuk janë profesione të cilat duhet të të pasurojnë materialisht, por janë profesione ku personi ndjen kënaqësinë e të punuarit për të mirën publike dhe jo private. Prandaj këto janë profesione të vështira që kërkojnë shumë vetmohim dhe në esencën e të cilave asnjëherë nuk janë paratë por shërbimi. Prandaj edhe quhen profesione të shërbimit publik.

Dhe ja ku e kemi atë që duhej të ishte shërbyese e drejtësisë, prokuroren speciale, e cila vendosi ta çojë drejtësinë në dreq të mallkuar për një palë mobilje nga Natuzzi. Në fakt duhet të presim që gjykata ta vërtetojë këtë, por nuk është se pritëm shumë për t’i gjykuar publikisht edhe Gruevskin e kompaninë pasi i dëgjuam bëmat e tyre tek “bombat”. Nuk kam mënyrë si ta sqaroj qetësinë e saj kur hyri dhe doli nga prokuroria për krim të organizuar ditën kur u thirr të japë deklaratë, bashkë me avokatin, sikur të jetë aty për të qenë dëshmitare në martesën e shoqes së saj të ngushtë. Thjesht nuk e kuptoj këtë qetësi që më bën të dyshoj se tek telefonat e formatuar dhe tek kompjuterët e fshirë mund të ketë pasur dëshmi për shumë më tepër se sa ato 5000 eurot e mobiljeve të cilat tani i shohim të na paraqiten si provë e vetme materiale kundër saj.

Dhe s’ka si mos më kujtohen fjalët e prokurorit amerikan që para disa vitesh mbajti një ligjëratë të shkëlqyer për studentët e UEJL ku shpjegoi se për të kuptuar si një shtet ballafaqohet me korrupsionin duhet të përgjigjemi tek dy pyetje vendimtare:

  1. Sa funksionarë shtetërorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës së tyre janë dënuar me burg?
  2. Sa prej atyre funksionarëve janë pjesë e garniturës në pushtet?

Sa funksionarë janë dënuar tek ne për keqpërdorim të detyrës së tyre mund të numërohen në gishta. Edhe nga këta të akuzuarit e PSP, disa ikën disa u arratisën, dikë e shpëtoi fëmija i posalindur, disa janë në paraburgim dhe ndonjë tek-tuk vuan ndonjë dënim serioz me burg. Dhe këta të gjithë janë funksionarë nga garnitura e kaluar e pushtetit. Por ja tani ndodh që pikërisht kryeprokurorja speciale të vendoset në paraburgim, edhe atë shumë më herët se sa të kryeakuzuarit e saj të futen pas grilave. Në rregull, kjo dëshmon se njerëzit ndoshta nuk janë më të paprekshëm si kanë qenë përpara, dëshmon se nuk heshtet më për skandale të tilla eklatante korrupsioni. Por shpresoj që përveç Katicës, të mos jetë vetëm “garnitura” e mobiljeve të saj ajo që do të burgoset, por të gjithë të involvuarit, kushdo qofshin ata, t’i bashkangjiten asaj.

Për më tepër, uroj që ky të jetë momenti kur prokuroria të fillojë të mendojë për fajin e ish kryeprokurorit shtetëror Zvërlevskit, me kërkesën e të cilit një i arratisur u lirua nga paraburgimi ku tani gjendet Kateja. Poashtu uroj që ky të jetë momenti kur edhe ish-presidenti i shtetit Ivanov të japë llogari për involvimin e tij në shkeljen e drejtësisë përmes faljeve të 2016tës por edhe në grushtshtetin e 2017tës. Kjo është koha kur prokurorë të tjerë, gjyqtarë, e funksionarë shtetërorë nga e kaluara dhe nga e tashmja të fillojnë të përgjigjen për bëmat e tyre. Përfundimisht, kjo është koha kur edhe mafia duhet të hyjë në burg, bashkë me kriminelët.

Vetëm atëherë do mund të themi që drejtësia vërtet vlen për të gjithë njësoj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button