“Reket” do të zgjerohet te shoqata e Boki 13, do të merren në pyetje edhe funksionarë të LSDM-së

Hetimi për çështjen “Reket” ka të paktën edhe dy pjesë, njëra prej të cilave ka të bëjë me OJQ-në Aleanca ndërkombëtare e të dyshuarit të parë Bojan Jovanovski-Boki 13, për shantazh dhe zhvatje të biznesmenëve, dhe për këtë pjesë kreu i Prokurorisë për krim të organizuar e cila e udhëheq këtë çështje, Vilma Ruskoska nuk ka dhënë detaje deri më tani, njofton SDK, transmeton Portalb.mk.

Jo zyrtarisht, po merren në pyetje biznesmenët e deri më tani deklarata kanë dhënë disa persona të dëmtuar nga Boki 13 dhe Aleanca e tij, e ndër ta është edhe Ardijan Amzoski, i dëmtuar nga me prishjen e objektit “Kosmosit” të Fijat Canoskit.

Kjo pjesë s’ka asnjë lidhje me prokuroren speciale Katica Janeva, të cilës dje si e dyshuara e tretë në çështjen “Reket” iu shqiptuan 30 ditë paraburgim, lajmëroi prokuroria. Planë është që disa zyrtarë të lartë të LSDM-së të thirren në pyetje, ndërsa statusi i tyre deri tani është i panjohur. Aleanca e Boki 13 ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi për të siguruar lokacione për ndërtim të shtëpive të pleqve me më shumë kryetarë komunash të partisë në pushtet, si dhe me Ministrinë për transport e lidhje. Në negociatat me disa kryetarë të komunave kanë ndihmuar edhe zyrtarë të lartë partisë dhe të shtetit, por sipas burimeve partiake, kjo s’është krim pasi asnjë nga detyrimet e memorandumit nuk ishte përmbushur. Ata vetëm kishin ndihmuar në realizimin e asaj që sipas programit të Aleancës ndërkombëtare ishte ide humane, ndërsa ndërtimi i shtëpive të pleqve me partneritetit publik-privat nuk është në kundërshtim me programin zgjedhor të LSDM-së për zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Drejtoria për të hyra publike (DAP) do të inspektojë të premten kompanitë që kanë pas lidhje me Boki 13 dhe OJQ-në e tij Aleanca ndërkombëtare. Drejtoresha e DAP-it Sanja Llukarevska dje tha se përveç për kompaninë “BJM Media grup”, “1TV” dhe Aleancën ndërkombëtare, ata do të lëshojnë urdhëresa për kontroll edhe të personave fizikë të cilët kanë marrë para nga atje.

Më 19 gusht, në prokurori dëshmoi Liljana Todorovska, anëtare e Aleancës ndërkombëtare, në llogarinë e së cilës biznesmeni Siljan Micevski kishte paguar 720,000 euro për një projekt të supozuar. Todorovska dhjetë ditë më parë deklaroi se  paratë kishte marrë në kesh dhe se ia kishte dhanë një personi tjetër nga Aleanca, pa specifikuar se për kë bëhej fjalë saktësisht.

Sipas burimeve në hetim, në momentin kur 720,000 euro ishin depozituar në llogarinë e një personi si “honorar për vepër të autioriale”, banka menjëherë e kishte alarmuar Drejtorinë e inteligjencës financiare, sipas protokolleve të zakonshme për parandalim të pastrimit të parave. Administrata për disa ditë i kishte ngrirë fondet, por pasi personi i cili e kishte bërë pagesën kishte konfirmuar se 720,000 euro ishin paguar për honorar autorial dhe se për to ishte paguar, në mënyrë të rregullt, 10 për qind si tatim personal, “autorja” kishte mund t’i tërheq pa pengesa paratë nga llogaria e transaksionit. Prokuroria nuk zbulon nëse është marrë në pyetje personi nga Aleanca ndërkombëtare i cili i ka marrë paratë nga “autorja” Todorovska.

Aleanca Ndërkombëtare u formua në 8 korrik 2017, ndërsa në mbledhjen konstitutive morri pjesë edhe Ministrja e atëhershme e punës dhe politikës sociale, e tani nënkryetare e Kuvendit Frosina Remenski, kryetari i komunës Karposh Stefan Bogoev, deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së Kostadin Kostadinovski, ndërsa pjesë e bordit drejtues është edhe nënkryetari aktual i qytetit të Shkupit dhe biznesmeni i njohur Enver Maliqi. Remenski ishte Kryetare nderi e Aleancës.

Kryetari i Komunës Maksim Dimitrievski në emër të Komunës së Kumanovës më 7 dhjetor 2017 nënshkroi Memorandum mirëkuptimi me Aleancën ndërkombëtare me vlefshmëri prej një viti, ndërsa Memorandum të njëjtë bashkëpunimi ka nënshkruar edhe Kostadinov si kryetar i Strumicës.

Përndryshe, në lëndën për zhvatjen, përpos prokurores Katica Janeva, të dyshuar janë edhe dy personaBojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13”dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec se kanë zhvatur biznesmenë nëpërmjet Janevës. Dyshimet e prokurorisë janë se ata kanë marrë 1,5 milionë euro vetëm nga biznesmeni Orce Kamçev për t’ia lehtësuar procedurën hetimore për pastrim parash në lëndën “Perandoria”, ndërsa duhej të merrnin edhe 4,5 milion euro të tjera, gjithsej 8 milionë.
Gazeta italiane “La Verita” ka publikuar disa video-audio materiale, në të cilat shihet se si Boki 13 dhe Zoki Kiçeec marrin paratë prej biznesmenit Orce Kamçev në shtëpinë e tij.

LEXO PËR LËNDËN: REKET

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button