U anulua gjykimi për rastin “Monstra”: Është i sëmurë gjykatësi

Gjykatësi i lëndës, Ognen Stavrer, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për këtë nuk ka mundur të vijë në seancën e sotme të rastit “Monstra”. Kjo ka qenë dhe arsyeja për të cilën sot është anuluar seanca, në të cilën pritej që Prokuroria Speciale Publike (PSP) të niste me nxjerrjen e përgjimeve, apo “bombat” që dikur i posedonte kryeministri Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

Seanca e radhës, pritet që të vazhdojë më 5 shtator.

Ndryshe, në seancën e fundit, prokurorja Fatime Fetai paralajmëroi se deri te Gjykata do t’i dorëzojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë.

“Do t’i dorëzoj të gjitha materialet, që kanë të bëjnë me rastin në fjalë, madje edhe ato të parëndësishmet”, tha Fetai, duke paralajmëruar se bëhet fjalë për numër të madh të materialeve.

Jo-zyrtarisht, nga Prokuroria Speciale deklaruan se do të lejojnë që edhe opinioni të jetë prezent kur të prezantohen “bombat”.

Njëkohësisht, gjykatësi i lëndës, Ognen Stavrev, njoftoi se e ka urdhëruar Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të kryejë ekspertizë të 31 telefonave, të cilët janë konfiskuar gjatë arrestimeve të majit të vitit 2012-të, në lidhje me rastin “Monstra”.

“MPB do të kryejë ekspertizë të re të 31 telefonave, por edhe disa të tjerëve që mendoj se janë të rëndësishëm. Telefonat janë të personave të akuzuar dhe të disa të tjerëve që kanë pasur kontakt. Asokohe MPB nuk ka pasur sistem të mirë për t’i kontrolluar, tani kanë sistem modern dhe do t’i kontrollojnë të gjitha hyrjet-daljet, porositë dhe gjithçka që mund të nxirret nga telefonat”, tha Stavrev.

Lënda është në fazën e nxjerrjes së dëshmive të reja.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button