REVOLTA

Bien rrezet e para të mëngjesit në dritare. Hijet e frikshme që më ndjekin netëve të gjata ikin. Por ato i lënë gjurmët e frikës në ajër. Megjithatë gëzimi mundohet ta marrë fjalën. Pranë duken disa nota lumturie.

Nuk shkon gjatë kjo punë. Skena rrënohet me të hyrë të babait në dhomë. Sa ulet ai duke thithut cigaren me duhan të mykur, unë dal jashtë.

Ku po thyen qafën kaq herët? më pyet ai me baritonin e tij neveritës. Nuk i përgjigjem. Dal heshtazi.

Prej shtëpisë sonë të gjitha rrugët shpijnë në kafene. Shkoj ta pi kafenë e mëngjesit. Atje s’dëgjon tjetër: iku bre!… Jo, s’ka mundur t’ia mbathë aq lehtë, kanë dorë fqinjët, ka konspiracion shumë! E gjithë përditshmëria e njerëzve tonë sillet rreth politikanit që ka ikur jashtë vendit. Të gjithë qytetarët e zakonshëm janë “politikanë kompetentë”, “prokurorë, gjykatës e avokatë kompetentë”. Zakonisht “vendimi i drejtë i tyre” është litari në fyt midis sheshit. Ata gjithçka dinë. “E dinë letërsinë” (flasin për Kadarenë pa ia lexuar asnjë vepër), e dinë mjekësinë (të japin këshilla se si mund të shërohet një sëmundje e rëndë me gjethe lakre e me fara të ferrës së magarit”, e dinë edhe fenë. Secili t’i përmend termat fars, çfarë është vaxhib, synet, mustehab, mubah, haram, mekruh, musfid, por shpejgimin kur ia kërkon, atëherë atë “e lë për një ditë tjetër. Në kafene gumëzhin muhabeti. Gjithçka ka atje, po fare pak sinqeritet e solidaritet. I dëgjoj, ngase s’e shpërthej dot rrethimin e këtij mjedisi shoqëror. Pastaj ngrihem me shije të hidhur. I blej gazetat në shitore. Kthehem në shtëpi. Në dhomë ka mbetur era rëndë e tymit të duhanit të babait, dhe në ajër ende sillet jehona e baritonit të tij: “Mlidhi ment gjalo”! I marr gazetat, i qes mbi tavolinë. I shikoj orën e murit. Nëntë, fiks. Koha është për lajmet e mëngjesit në TV. E lëshoj televizorin… Folësi lexon me një theks të huaj duke i shkelur pa mëshirë rregullat e gjuhës shqipe.

Piktura e Bajronit me fytyrë gazmore, e riproduktuar në kopertinën e librit të tij Don Zhuani, që gjendet para meje në vitrinë, sikur mrrolet, kurse dritën e bollshme të mëngjesit e përzë nga dhoma dërdëllima e folësit. Në vend të lajmit që duhet të tregojë ndonjë ngjarje ku kanë marrë pjesë krijuesit letrarë të të gjithë hapësirës etnike shqiptare, në vend se të flasë për vlerat e krijimeve që janë prezantuar atje, folësi më shumë ngre mure midis letërsisë shqiptare me të folmen e tij plot shkelje të normave. Thotë: “Letërsia shqiptare”… “Letërsia kosovare” dhe “Letërsia shqipe që krijohet në Maqedoni”… Thuajse janë tri letërsi. Pastaj shton: do të bën, do të punon e të tjera grimca që e ndotin gjuhën tonë të kulluar.

E fik televizorin. Nuk e duroj dot këtë masakër kulturor, letrar dhe gjuhësor…

Dal, mirëpo pas më ndjek hija e papërgjegjësisë institucionale e cila “më përqesh” për revoltën pse askush nuk kujdeset për këto gjëra aq të rëndësishme. Për letërsinë shqiptare që është një… Për gjuhën shqipe që është një… Për kulturën shqiptare që është një.

Me mua janë zëri i revoltës dhe hija e shpresave të thyera… Dhe heshtja shurdhuese e institucioneve që s’janë në gjendje të mblidhen e të vendosin për përpilimin e një fjalori me disa vëllime, që s’e kemi një ligj për mbrojtjen e gjuhës, të rregullave të saj fonetike, morfologjike dhe sintaktike, që t’i japin fund rrëmujës që kanë bërë televizionet, televizionet, politikanët, po edhe arsimtarët që prioritet kanë partitë e jo të ardhmen e të rinjve tonë.

Përsëri kthehem në shtëpi. Plot revoltë! S’e dëgjon zërin tim kush në shkretëtirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button