HISTORI KAFENEJE

E bekuara qawha arabe u bë kafe turke, më pas coffee angleze, pastaj caffe italiane. Për të veçantën dhe të bekuarën kanë shkruar shumë shkrimtarë. Prej poetit shqiptar, Muçi Zades, ka mbetur poema: “Imzot, mos më lerë pa kahve“, e shkruar në fillim të shekullit XVIII.

Gjenitë e artit e kanë adhuruar kafenë, sepse e mbante të zgjuar trurin e tyre. Gjeniu J. S. Bach ia kushtoi kafesë një kantatë (Kaffeekantate, 1732). Betoveni dëshironte që kafeja e tij të bëhej nga 60 kokrra kafeje që vetë i numëronte. Në shtëpinë e Shilerit, në Weimar, ruhet filxhani me të cilin gruaja ja sillte kafenë. Për Balzakun thuhet se pinte 60 kafe në ditë. Filozofi Seren Kjerkegor (Søren Kierkegaard) adhuronte kafenë me shumë sheqer dhe ishte koleksionist filxhanësh. Poeti Halil Mutran e shihte kozmosin te filxhani i kafesë.  Për Tomas Eliotin jeta matej me filxhanët e kafesë. Sipas Haruki Murakamit aroma e kafesë e ndan natën prej ditës.

Edhe popuj kanë thënie për kafenë. Shqiptarët thonë se kafeja është e zezë, po të zbardh faqen. Për brazilianët kafeja duhet të jetë e zezë si nata, e nxehtë si ferri dhe e këndshme sikurse gruaja. Për turqit kafeja duhet të jetë e zezë si ferri, e fortë si vdekja dhe e ëmbël si dashuria.

Sipas asaj që shkruhet nëpër libra rezulton se kafeja është përdorur që në shekullin e IX, kryesisht para ritualeve të pjesëtarëve të tarikateve sufiste.

Poetët i kanë adhuruar edhe kafenetë, sepse shpirti i tyre nuk e duron akademizmin, kufizimin, protokollin. Në shekullin XVIII Volteri, Didero apo Ruso vizitonin vazhdimisht “Cafe de la Regence”. Konstandin Kavafisi njihet si një adhurues i pasionuar i kafeneve.

KAFENETË SI RREZIK. Kafenetë janë parë edhe si rrezik. Sulltan Selimi II (1524–74), kishte filluar luftën kundër kafeneve. Sulltan Murati IV urdhëroi në fillim të shekullit XVII mbylljen e tyre në Stamboll. Ky urdhër më pas u pa se ishte i gabuar. Thuhet se poetit të shquar, Nef’iut, i dukej qyteti si vend i nëmur për poetët. “Natyr’ e tij e lirë – zog që s’bie në kurth”, siç thotë ky poet lirik, nuk e duronte këtë kufizim që i bëhej shpirtit të lirë.

Edhe shtetet europiane kanë bërë tentime për ndalimin e kafesë dhe kafeneve. Mbreti Karl II, më 1657, i ndaloi gjithë kafenetë, ose vendet ku shërbehej kafeja, sepse besonte se aty mblidheshin njerëzit që dëshironin ta rrëzonin nga pushteti. Madje ai besonte se kafeja mund t’i kthjellonte njerëzit, t’ua shtonte energjitë dhe t’i motivonte që të rebeloheshin kundër tij. Në Francën e shekullit XVII pati një diskutim publik kundër kafesë. Por kafeja jo që nuk u ndalua dot, por u bë e adhuruar në mbarë botën.

SHQIPTARËT DHE KAFENETË. Edhe shqiptarët njihen si adhurues të kafesë dhe kafeneve. Shumë udhëpërshkrues flasin për këtë adhurim të shqiptarëve. Ka vizatime, piktura dhe fotografi të vjetra që paraqesin shqiptarët nëpër kafene e mejhane të ndryshme.

Udhëpërshkrues të ndryshëm çuditeshin kur shihnin gra në Tetovë dhe Gostivar që e adhuronin aq shumë kafenë e madje bënin edhe jetë si nëpër përralla. Gratë e Pollogut adhuronin që ta pinin kafenë nëpër bahçet plot gjelbërim dhe shpesh, kur rrinin të vetmuara, pëlqenin të këndonin dhe të flisnin për gjëra që nuk dëshironin askush t’i dëgjonte.

Faik Konica nuk i pëlqente kafenetë shqiptare, sepse, sipas tij, nuk të ofronin dëfrim.

Kafenetë e Shqipërisë janë vende të fëlliqura e të mërzitura; dhe asnjeri me mëndje të hollë s’mund të kërkojë atje dëfrim në mes të tymeve, të pështymave dhe zhurmës.” – shkruan ai.

Në Tiranën e viteve 30 njihet kafeneja “Kurtsal”, ku rrinte edhe eruditi Branko Merxhani. Agolli kishte kafenenë e preferuar. Për kafenetë ka shkruar edhe Kadare (“Ditë kafenesh”, “Mëngjeset në kafe Rostand”). Madje Kadareja thotë se sot qytetërimi evropian iu ka dhënë përparësi kafeneve, si vend ku mund të shkëmbehen fjalë, ku kalohet këndshëm dhe ku ndihet kënaqësia e bisedës. Sipas tij, kafeneja është një ‘institucion’ ku qarkullon mendimi i lirë, kritika, idetë përparimtare. Kafenetë, sipas tij,  kishin qenë gjatë regjimit komunist ambiente ku shkëmbeheshin mendime të ndryshme politike, letrare dhe artistike, prandaj Enver Hoxha i urrente dhe i shkatërroi ato, sepse nuk e duronte mendimin e lirë.

Në Prishtinën e viteve 80-të vendi ku mblidheshin shkrimtarët e njohur ishte “Elita”. Një tjetër kafene e njohur për kohën ishte “Hani i dy Robertëve”. Kafeneja ishte pagëzuar kështu sipas hanit që përmendet në veprën “Dosja H” e Kadaresë.

Në Tetovën e viteve 90-të vendi ku mblidheshin veprimtarët politikë ishte kafene “Zana” dhe më pas “Gurra”. Në këtë të dytën organizoheshin edhe orë poetike. Një tjetër kafene e njohur ishte “Bolero”, e doktorit të njohur Besnik Veseli, ku vinin edhe diplomatët e huaj. Në kafene “Shkëndija” mblidheshin shkrimtarët tetovarë dhe diskutonin për letërsinë. Më vonë një tjetër kafene e jona ishte “Edi”, që e kishte hapur Idaver Hyseini, me profesion gjeolog, por një adhurues i letërsisë. Te kjo kafene ndjeheshim si në shtëpinë tonë. Madje, kur kishte më shumë klientë, ndonjëri prej nesh merrte rolin e kamerierit apo banakierit. Sepse kafeneja ishte e jona. Madje aty na kërkonin në telefon (atëherë ende nuk kishte celularë).

KAFENEJA DOORS. Kah mesin i viteve 90 të shekullit të kaluar (ne jemi një brez që kemi jetuar në dy shekuj), kur të gjitha dyert ishin të mbyllura për brezin tonë, vendtakimi ynë ishte kafeneja “Doors”, që sot nuk ekziston.

“Doors” ishte vatra e qerthullit tonë letrar. Rrinim aty unë, Murtezan Arifi, Fatmir Sulejmani, Nehat Beqiri, Bardhyl Zaimi, Lindita Kadriu, Yll Daci. Vinte shpesh edhe Fadil Bajraj. Afër këtij qerthulli ishte edhe Lulzim Haziri, “rokeri i fundit i Iliridës”, siç e kishte quajtur në një varg Podrimja. Por edhe shumë miq të tjerë, që mund t’i përmend në ndonjë rast tjetër. Aty takoheshim pothuajse çdo ditë. Dhe të gjithë ishim pjesëtarë të margjinave, që mezi arrinim t’i paguanin pijet. Edhe ashtu ajo ishte kafeneja jonë dhe mund të paguanim kur kishim mundësi. Por të gjithë kishim një përparësi ndaj pjesës tjetër, ndaj estabilishmentit: lexonim shumë. Aty bisedohej për libra, duke filluar nga veprat e antikitetit deri te letërsia postmoderne.

Kishim edhe shumë miq në mesin e shkrimtarëve. Njëri prej më të njohurve ishte Ali Podrimja. Në atë periudhë Tetovën shpesh e vizitonin shkrimtarët nga Kosova.

Ishte koha kur botonin shkrime letrare e socio – kulturore nëpër revistat e asaj periudhe, shumica të shuara. Fatmir Sulejmani dallohej për shkrimet me frymë kritike kundër “laskërkulturës”. Myrtezan Arifi, më i qeti dhe më i urti, botonte shkrime për libra të ndryshëm dhe për gjuhën shqipe. Lindita Kadriu shkruante kundër tabuve që e ngulfatnin mendjen dhe shoqërinë tonë. Unë e Bardhyl Zaimi botonim ese dhe shkrime letrare. Më i riu, Yll Daci, shkruante për rokun. Fadil Bajraj përkthente poetët amerikanë, veçanërisht rok poetët. Poezitë e para në shqip të Bob Dylan – it (të cilat dukeshin sikur ishin shkruar për realitetin shqiptar), nëse nuk më tradhton kujtesa, u botuan në “Brezi 9”.

Në muret e kafenesë së thjeshtë në dukje dhe pa dritare kishte disa piktura, ku dallohej ajo e Nehat Beqirit. Një pikturë për Sarajevën. Një pikturë ekspresioniste. Në një sfond të zi ishin dy duar të përgjakura. Bosnja në atë kohë përgjakej çdo ditë. Kosova përjetonte terrorin. Maqedonia (tani e Veriut) ishte njëfarë gjysmë diktature, ku kudo ndjehej ndikimi i politikës serbe. Përkundër kësaj atmosfere të zymtë ne botonim shkrime të guximshme për kohën, kryesisht në revistën “Brezi 9”. Në këtë revistë botoheshin shkrime që detabuizonin shumëçka në një shoqëri të ngulfatur nga normat e provincializmit. Botoheshin shkrime edhe nga autorë të huaj. Kjo revistë ishte shumë e hapur ndaj vlerave që krijoheshin në sisteme të ndryshme kulturore. Kjo hapje i duhej shoqërisë sonë të ngulfatur nga folklorizmi, sepse, siç thoshte Fadil Bajraj, atdhedashurinë mund ta mësonim nga Bob Dylan-i.

“Brezi 9” kishte dizajn të ndryshëm prej revistave tjera. Aty dominonte ngjyra e zezë, e cila, shpesh herë, për shkak të shtypshkronjave të kohës, ishte tejet e zbehtë. Dhe jo rastësisht dominonte kjo ngjyrë. I tillë ishte realiteti.

Në Tetovë botohej edhe revista letrare “Vlera” (ende botohet), si organ i Klubit të Tetovës, që atëherë drejtohej nga poeti Ramadan Sinani. Në këtë revistë, krahas shkrimeve letrare, botoheshin edhe shkrime sociokulturore…

Ikona e kafenesë “Doors” ishte Xhimi i heshtur. Nuk mund të ketë Doors pa një Xhim. Xhimi jetonte në botën e tij. Ai ishte i përzemërt me të gjithë. Kam shkruar një poezi për Xhimin tonë të dashur, i cili iku nga kjo botë në moshë shumë të re…

Ne ishim pjesëtarë të një brezi që nuk priste asgjë prej të tjerëve. Ne ishim jashtë institucioneve. Ne besonim në vargun e një rokeri: “Çfarëdo sistemi që të shpikni pa ne do të përmbyset”. Ne donim të linim gjurmët tona në një botë të trishtë. Ne nuk e ndjenim se ishim brez i humbur. Për ne humbja nuk ishte opsion. Në kohën kur “bëhej para”, ne jetonim ndryshe, por shpesh na kapte njëfarë zhgënjimi.

“Djegim ditët me cigare Boss / Në shpuzore shpirti trandim hi zhgënjimi / Kohën e vrasim në kafenenë Doors, / të heshtur, të braktisur, indiferent si Xhimi”.

Sot vetëm mund të ngushëllohemi se dikur bëmë një përpjekje, e cila nuk mjafton që të justifikohemi para fëmijëve tanë se dikur bëmë diçka. Atyre u lamë një botë të trishtë. Megjithatë nuk ishim pasiv. Bëmë aq sa mundëm. Asnjëri prej nesh nuk veproi politikisht. Nuk donim të ishim pjesë e estabilishmentit politik edhe pse e kishim këtë mundësi. Ndoshta pse ishim të shituar nga letërsia…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button