Gjermania me ambasador të ri në Shqipëri, kjo është biografia e tij

Peter Zingraf do të jetë ambasadori i ri i Gjermanisë në Shqipëri, pas përfundimit të mandatit të Susanne Schutz. Zingraf i ka paraqitur sot letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili ka vlerësuar “marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.”

“Shqipëria do vijojë të mbështetet me besim dhe bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë tek Gjermania mike dhe partnere strategjike. Ne mirëpresim angazhimin e sinqertë dhe vendimtar të Bundestagut për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe për përparimin e vendit tonë drejt standardeve demokratike europiane”, – theksoi ndër të tjera Meta gjatë takimit, transmeton TopChannel.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për vëmendjen e madhe që Gjermania u kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, si edhe zhvillimeve në rajon, duke vlerësuar vizionin e palëkundur të Kancelares Angela Merkel për integrimin e vendit tonë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE.

Duke i përcjellë Presidentit Meta, përshëndetjet e Presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Ambasadori Zingraf u shpreh se ndjehet mjaft i lumtur që fillon detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

BIOGRAFIA

Gjermani Peter Zingraf merr detyrën e ambasadorit në Tiranë në një moment delikat për vendin. Në tetor do të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, dhe Gjermania luan një rol thelbësor në këtë proces. Nga ana tjetër, situata e brendshme politike është totalisht e paqartë, sidomos sa i përket zgjedhjeve lokale.

Reforma në drejtësi është gjithashtu në një moment kyç, me Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK-un që pritet të ngrihen në muajt në vijim. Gjermania, së bashku me SHBA-në, kanë qenë shtetet që kanë shtyrë përpara dhe kanë kërkuar më së shumti realizimin e reformës.

Ambasadori i ri gjerman ka studiuar romanistikë (histori letërsie frënge dhe italiane) në Aachen, Poitiers-Francë dhe Firence-Itali. Ai ka punuar si  bashkëpunëtor shkencor në universitetet e Aachen dhe Freiburg im Breisgau.

Peter Zingraf është i martuar dhe ka dy vajza.

Sa i përket karrierës së tij diplomatike, ajo ka nisur në vitin 1993 kur është bërë pjesë e Shërbimit të Jashtëm.

–1994 Nëpunës i deleguar pranë Ministrisë së Jashtme Italiane, Romë

– 1995 Ministria e Jashtme Federale, Bonn, Departamenti Politik

– 1996 Ambasada e Varshavës, Poloni

– 1999 Ministria e Jashtme  Federale, Berlin, Departamenti i Kulturës

– 2002 Ambasada e Daressalam-it, Tanzani

– 2005 Ministria e Jashtme Federale, Departamenti Qendror

– 2010 Ambasada e Dublinit, Irlandë

– 2013 Zyra e Presidentit Federal, Departamenti i Politikës së Jashtme

– 2016 Ministria e Jashtme Federale, Departamenti Qendror

– Gusht 2019 Ambasada Gjermane në Tiranë, Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button