Kur koha largon njerëzit e dashur

Sa e hidhur të duket jeta kur s’i ke pranë ata që i do. Gjithmonë mosprania e tyre në jetë, na bën të mendohemi se sa të rëndësishëm kanë qenë ata për ne. Zbrazësia a boshllëku që ata lënë në jetën tonë është si një hallkë zinxhirore, e cila pasi këputet nuk riparohet më. Disi na rrok një mërzi a sfilitje shpirti, kur në vetëdije na kujtohen personat që fizikisht nuk janë me ne.

Nga brendia na tundon një gjakim i thellë shpirtëror që së paku t’i shohim edhe një herë, sepse ikën pa na thënë lamtumirë! Sa keq që njeriu nuk ia di edhe aq rëndësinë personave që dikur së bashku me ne ishin në jetë. Sa keq, që jeta pa na pyetur na largon personat e dashur, në kohë të vagullta e të liga, kur ndoshta më së paku e prisnim.

Të futesh thellë në botën e mendimit, e të analizosh çdo ditë hapat e tu. Do të shohësh që ne, si njerëz, nuk jemi qenie statike por momentale. Çdo krijesë njerëzore në botë mund të jetë buzë vdekjes dhe njëkohësisht çdo krijesë njerëzore, një ditë, herët a vonë, do ta bëjë përfundimisht gjumin e vdekjes. Ama, ajo që kërkohet nga ne është që të mos ia lëmë gjërat rastësisë a kohës, sepse në jetë nuk ka mundësi të dytë. Koha nuk është afat bankar me mundësi kthimi. Shpesh mjafton edhe një çast i vetëm që  t’i japë rëndësi një kujtimi të gjatë e të paharruar. Ta çmojmë e ta shfrytëzojmë maksimalisht kohën.

Koha kalon aq shpejt kur afër kemi njerëz të sinqertë e të dashur. Sa e trishtë na duket jeta, kur ata që i kishim nuk rrugëtojnë më me ne. Do ta kemi mallin t’i kërkojmë, ama nuk do t’i gjejmë më?! Përmallshëm të kaplon një dëshirë e fortë të kthehesh në një vend që s’e ke harruar më parë, ta takosh një person që është larguar nga kjo jetë… e të rijetosh me të si dikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button