Tetovë: Banorët ankohen se EVN anashkalon qytetarët shqiptarë në RMV, EVN nuk pranon akuzat

Qytetarët ankohen se sa herë që tentojnë të kontaktojnë me operatorët e EVN-së, edhe pse zgjedhin operatorin në gjuhën shqipe, gjithmonë nga ana tjetër ju përgjigjen në gjuhën maqedonase. Ata thonë se edhe koha e pritjes për operator në gjuhën shqipe është më e gjatë se ajo në gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, EVN thotë se me qëllim që të shërbehen klientët sa më shpejtë, ata i lidhin qytetarët me operatorin e parë të lirë pa marrë parasysh se në cilën gjuhë flet ai, transmeton Portalb.mk.

Redaksia e Portalb e verifikoi të njëjtën. Ndonëse zgjodhëm opsionin në gjuhën shqipe, nga ana tjetër na u paraqitën në gjuhën maqedonase. Pas kërkesës tonë për të kontaktuar me operator në gjuhën shqipe, u lamë në pritje për shumë gjatë por pa përgjigje nga ana tjetër.

Veç tjerash qytetarët ankohen edhe se nuk paralajmërohen në kohë për ndërprerjet e energjisë elektrike. Ata thonë se edhe kur i paraqesin rastet te EVN e njëjta nuk merr masa në kohë.

“Desha të shpreh shqetësimin tim në lidhje me qasjen e kompanisë EVN ndaj banorëve të Tetovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. E para e punës, gjithmonë kur lajmërohemi tek EVN për të shprehur ndonjë shqetësim, dhe sa herë që japim opsionin për gjuhën shqipe, koha e pritjes është shumë më e gjatë se sa opsioni në gjuhën maqedonase. Më e keqja e kësaj është sepse edhe pse ti e shtyp opsionin në gjuhën shqipe, pas pritjes së gjatë përsëri në fund të lajmërohet ndonjë nga të punësuarit maqedonas që nuk flet shqip. Në momentin që qytetari shfaq ankesën për këtë, arsyetimi i njëjte përherë është se në gjuhën shqipe, të gjithë operatorët janë të zënë” shprehet një qytetar i Tetovës.

Nga ana tjetër, EVN thotë se me qëllim që të shërbehen klientët sa më shpejtë, ata i lidhin qytetarët me operatorin e parë të lirë pa marrë parasysh se në cilën gjuhë flet ai.

“Kontakt Qendra funksionon me ndihmën e sistemit kompjuterik, i cili ua ndan thirrjet telefonike agjentëve për marrëdhënie me konsumatorët sipas parimit „i pari në thirrje, i pari i shërbyer“. Në qoftë se konsumatori e ka zgjedhur opsionin për të kontaktuar me operator të gjuhës shqipe, sistemi ia ndan thirrjen agjentit që e flet gjuhën shqipe. E njëjta vlen edhe për rastet kur zgjidhet opsioni për bisedë me operator të gjuhës maqedonase. Vetëm në rastet kur nuk ka agjent të lirë i cili flet në gjuhën e përzgjedhur, ndërsa kemi për synim t’ua shkurtojmë kohën e pritjes së konsumatorit i cili lajmërohet, sistemi ia ndan thirrjen agjentit të parë të lirë pa marrë parasysh se në cilën gjuhë flet ai”, thonë nga EVN.

Qytetarët ankohen edhe se nuk paralajmërohen për ndërprerjet e rrymës para kohe.

“Në lidhje me rastin e ndërprerjes së rrymës nëpër vendbanimet shqiptare, zakonisht ose nuk e paralajmërojnë, ose e paralajmërojnë me vonesë”, u shpreh një banor i fshatit Poroj.

EVN thotë se ata janë të detyruar me ligj të njoftojë të paktën dy media për ndërprerjet e energjisë elektrike.

“Elektrodistribucija është e detyruar me ligj që lajmërimet për ndërprerjet e planifikuara në sistemin distributor të energjisë elektrike, t’i dërgojë tek së paku dy media. Njëra prej tyre është internet faqja e vet kompanisë www.elektrodistribucija.mk. Lajmërimet dërgohen edhe deri tek „Qendra për Menaxhim me Krizat“ e cila i informon të gjitha mediat e vendit. Veç asaj, Elektrodistribucija dërgon informacione edhe deri te biznes konsumatorët dhe furnizuesit me energji elektrike, të cilët i informojnë konsumatorët e tyre”, thonë nga EVN.

Qytetarët ankohen edhe se e kanë paraqitur një shtyllë që ka qenë duke u rrëzuar në fshatin Poroj të Tetovës, nuk janë marrë masa dhe kur e njëjta është rrëzuar, kanë ngelur pa energji elektrike. Ata ankohen se ky anashkalim nga ana e EVN-së ndodh zakonisht në vendbanimet shqiptare. EVN hedh poshtë akuzat duke thënë se ka reaguar në kohë.

“Në lidhje me rastin në fshatin Poroj të Tetovës, bëhet fjalë për defekt i cili ishte i raportuar nga ana e konsumatorit më datë 12.08.2019. Pas raportimit, ekipet e Elektrodistribucija menjëherë dolën në terren ku u konstatua nevojë për zëvendësim të shtyllës së pjerrët të drurit dhe prerje e vegjetacionit. Më datë 14.08.2019 është bërë përpjekje për vendosje të shtyllës së re, megjithatë ekipet u penguan nga ana e konsumatorit. Për situatën u informua SPB Tetovë, të cilët kryen inspektim në vendngjarje dhe hartuan procesverbal për pengim të qasjes në terren. Më ditën e njejtë rreth orës 18, për shkak të shtyllës së pjerrët u ndërpre edhe linja përçuese elektrike 10kV „Nemetali“, ndërsa pa furnizim ngelën 9 trafostacione. Më datë 15.08.2019 u vendos shtylla e re dhe nga ora 15 konsumatorët kishin furnizim normal dhe stabil të energjisë elektrike”, sqaron EVN.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button