Fati i Prokurorisë Speciale nën hijen e rastit “Reket”

Ekziston frika që ligji për Prokurori Publike do të bëhet (mbetet) lëndë e marrëveshjeve të mundimshme politike. Grupi punues nuk kryeson, qëndrimet e pushtetit dhe opozitës janë të kundërshtuara, shkruan DW në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Propozim-ligji për Prokurorinë publike do t’i pret deputetët në rend të ditës pas një jave, por ligji ende nuk arriti që grupi punues me përfaqësues të pushtetit dhe opozitës t’i harmonizojnë qëndrimet për dispozitat kryesore të tij. Për disa pjesë të propozim-ligjit qëndrimet partiake ishin dhe kanë mbetur diametralisht të kundërta, veçanërisht rreth ardhshmërisë së PSP-së dhe kompetencave të saj.

Deri dje nuk është caktuar takim i grupit punues. Në qarqet analitike dominon frika që ligji do të bëhet lëndë e marrëveshjeve të mundimshme politike, e jo e reformave themelore në jurisprudencë. Si rrethanë më vështirësuese e konsiderojnë faktin që harmonizimi ndërpartiak duhet të zhvillohet në periudhë kur pikërisht e tërë vëmendja e publikut është e drejtuar kah PSP-ja, për shkak të indiceve për përfshirje të mundshme të shefes së atij institucioni, Katica Janeva, në rastin “Reket”.

Ajo nesër për herë të parë do të jep deklaratë në Prokurorinë themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar, gjoja në cilësi të dëshmitares. Për të dy personat e dyshuar deri tani – Bojan Jovanovski dhe Zoran Kiçeec paraburgimi është vazhduar për 30 ditë shtesë, ndërsa opozita me ditë pyet përse nuk ka pasur masë të tillë edhe për Janevën.

Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare nga fillimi i vitit në më shumë raste ka akuzuar që Janeva e ka humbur kredibilitetin moral dhe profesional qysh moti për të qenë edhe më tutje në krye të atij institucioni. Pas publikimit të incizimeve nga “Reket” në të cilat dëgjohet edhe zëri i shefes së PSP-së, kritikat ndaj saj u intensifikuan edhe më shumë, por edhe ndaj pushtetit.

Bojan Jovanovski – Boki 13

Varet nga ne

Miratimin e Ligjit për PP, autoritetet e kanë shpjeguar si hapi i fundit i rëndësishëm për vendimin e Brukselit zyrtar për të përcaktuar datë për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut. Shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili para një jave bëri thirrje për “përfundim efektiv, të shpejtë dhe themelor të hetimit duke e respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë”, në pyetjen nëse rasti do të ndikojë mbi mundësinë e vendit për të fituar datë për negociata me BE-në, ishte i bindur që kjo nuk do të ndodh.

“Në këtë moment, nga informatat që i kam nga Bashkimi Evropian, nga Komisioni Evropian s’ka ndryshim në asnjë vend anëtarë në drejtim të revidimit të qëndrimit të tyre. E dini që prolongimi në qershor-korrik ishte për shkaqe teknike, për shkak të bundestagut gjerman, i cili në periudhën ndërmjet 27 deri 19 shtator duhet të mbajë sesionin, në të cilin do të na jep dritë jeshile. Donë të thotë, s’ka ndryshim, megjithatë e përsëris – e kemi patjetër t’i fryjmë edhe dhallit dhe s’guxojmë të relaksohemi. Afera edhe më të vogla nga kjo janë mundësi që disa vende-anëtare (për shkak se nuk e duan projektin e zgjerimit pa thellim paraprak të BE-së) të thonë –këta të Ballkanit Perëndimor nuk na duhen, jo Maqedonia e Veriut, por cili do. Prandaj mendoj që ne kemi për obligim të mos u japim argument shtesë përpjekjeve të tilla politike”, ka thënë Pendarovski.

Në qarqe analitike mbizotëron qëndrimi që rasti “Reket” mund të ketë ndikim negativ mbi atë vendim vetëm nëse nuk pason hetim efikas dhe të paanshëm, që do të ishte sinjal nëse vendi vërtetë është duke e trasuar rrugën drejtë shtetit ligjor apo vetëm e simulon atë.

Kush me cilin është takuar?

Për VMRO-DPMNE ky rast u shndërrua në grushtin goditës në kritikën e tyre ndaj pushtetit. Ndonëse nga partia demantojnë që kanë pasur incizime nga “Reket” dhe mohojnë çfarë do lidhshmërie me autorin Laris Gajser, i cili një pjesë të atyre incizimeve i ka publikuar në onlajn revistën e gazetës italiane “La Verita” (ndërsa ka paralajmëruar edhe të tjera), në qarqet partiake spekulohet që trajtimi i mëtejmë i rastit në Prokurori, varet nëse opinioni do të dëgjojë edhe incizime të reja nga “Reket” apo edhe disa skandale tjera.

Ndërkohë, çështjet kush me kë është njohur dhe është takuar (në kontekst të “Reketit”) u bënë pjesë e qërimit të hesapeve të përditshme në mënyrë verbale mes pushtetit dhe opozitës.

“Nëse Mickoski lavdërohet kur takohet me Orban, është e udhës të lavdërohet edhe për takimet me të tjerët me të cilët takohet. Është e udhës të tregojë me cilin është takuar, apo jo? Kur dhe ku? Çka i kanë dhënë? Nëse pala tjetër u ka dhënë diçka dhe çka është ajo? Veçanërisht pasi një herë pranoi që është takuar me një nga të dyshuarit në “Reket”, Zoki Kiçeec i cili ndër të tjerat paraqitet edhe në incizimet e publikuara”, ka thënë zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

“Vallë Kostadinov gënjen në pres konferencat për shkak se ka frikë nga ajo çka përmban telefoni i njërit nga të dyshuarit, ndërsa janë me përmbajtje jo morale dhe të turpshme”, replikuan nga VMRO-DPMNE.

Seria me replika vazhdon edhe më tej.

“As më frikësoni, edhe më pak do të më ndalni ta tregoj të vërtetën, kur jam i pastër dhe kam përgjegjësi të plotë para publikut. Tash të flasim për fytyrën e Mickoskit dhe Janushevit. Është e rendit të tregojë nëse është takuar me Gruevskin, gazetarin italian dhe persona tjerë nga Sllovenia?, ka shkruar Kostadinov në Fejsbuk.

Edhe përgjigja e Mickoskit është plasuar aty.

“Në Budapest u takova me mikun e madh të Maqedonisë, kryeministrin e Hungarisë z. Orban, njeriu që e udhëheq qeverinë e shtetit nga i cili do të varen shumë punë për ardhmërinë e integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE. Pasi jeni të paaftë, përkrah të gjitha shitjeve nacionale dhe përbuzjeve tash e viti i tretë me radhë për ta lëvizur statusin kandidat në status negociues, ne si parti shtet-formuese në vend që të ngjyrosim, spiunojmë dhe të shkatërrojmë në shtëpi kemi vendosur të punojmë në ardhmërinë e bashkëqytetarëve tanë nga opozita në kushte kur kemi pushtet që është zhytur në krim deri në fyt. Në Slloveni s’kam qenë një kohë më të gjatë, por do t’i përdor të gjitha kontaktet me partitë tona simotra nga Sllovenia për t’i ndihmuar atdheut dhe qytetarëve në progresin drejtë BE integrimit. Nëse Ju që jeni pjesë e oktapodit kriminal, reket politikanë, keni çfarë do prove se kam pasur takime tjera nga kjo që është pjesë e përgjigjes sime, Ju inkurajoj menjëherë pa mëdyshje ta publikoni, ndërsa unë në të njëjtin moment do të mbaj përgjegjësi”, ka shkruar Mickoski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button