fbpx

ANALIZË:  Është zvogëluar numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë në RMV – trendi negativ vështirë të ndalet!

Vetëm për një vit, ose në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017, numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë në vend është zvogëluar për 421, ndërsa statistikat tregojnë se ky trend është ruajtur që nga viti 2014. Në të njëjtën kohë, zvogëlohet edhe numri i nxënësve të regjistruar në arsimin fillor dhe të mesëm. Sipas ekspertëve, arsyet e rritjes negative natyrore duhet të kërkohen në rënien e natalitetit dhe trendin e pandalshëm të shpërnguljes, veçanërisht të largimit të  pakthyeshëm nga vendi. “Portalb” në dy vazhdime tematike do t’i analizojë të dhënat demografike mbi gjendjen e rritjes natyrore dhe numrin e nxënësve – parametra përmes të cilëve mund të fitoeht pasqyra më e mirë në nivel të vendit.

Komuna me më shumë fëmijë të lindur jashtë vendit, sesa në vend…

Në periudhë prej vetëm dy vitesh, numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë në vend ka rënë për më shumë se 1.600, ndërsa në nivel shtetëror në tremujorin e parë të vitit është regjistruar rritje natyrore negative, që do të thotë se numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë është më i ulët se numri i personave të vdekur.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e parë të vitit 2019, numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë është zvogëluar për 13.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ekspertët thonë se një gjendje e tillë tashmë po bëhet një problem kronik, ndërsa arsyet duhet të kërkohen në natalitetin e zvogëluar dhe shpërnguljen gjithnjë e më të madhe.

“Numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë në vitin 2018 në krahasim me vitin 2016 është zvogëluar për 1.669. Nëse analizohen të dhënat sipas rajoneve ose sipas komunave, ato janë shumë të diskutueshme. Në pesë nga tetë rajonet dhe në 47 komuna në vend ka rritje natyrore negative të popullsisë për shkak të natalitetit të zvogëluar. Mendoj se për numrin e lindjeve të fëmijëve të gjallë në vend ndikim të fuqishëm ka shpërngulja nga vendi, e kjo mund të vërehet më lehtë përmes të dhënave për lindjet e fëmijëve të gjallë jashtë vendit. Kështu për shembull, ka komuna ku numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë është më i vogël sesa numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë jashtë vendit që vijnë nga komuna përkatëse, e raste të tilla janë Mavrova, Rostusha dhe Qendra e Zhupës. Në një numër të madh të komunave ka përqindje të lartë të lindjeve të fëmijëve të gjallë në krahasim me lindjet e fëmijëve të gjallë në komunat që janë më të mëdha dhe më të zhvilluara në vend. Të tilla janë komunat e Novo Sellës, Kërçovës, Vinicës, Makedonska Kamenicës, Bosillovës, Vasilevës, Konçes, Radovishit. Në të njëjtën kohë, është zvogëluar numri i fëmijëve në familje, ku nuk ka riprodhim të thjeshtë pasi që lindin më pak se dy fëmijë” – shpjegon analisti demografik Donço Gerasimovski, transmeton Portalb.mk.

Vetëm dy rajone planifikuese me natalitet më të lartë se vdekshmëria…

Gjendja e rritjes natyrore negative është regjistruar edhe nga statistika e shtetit.

“Numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë në tremujorin e parë të vitit 2019, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është zvogëluar për 13.3%, dhe është 4.555 lindje të fëmijëve të gjallë. Numri i personave të vdekur në tremujorin e parë të vitit 2019 shënon rritje prej 3.7% në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, dhe është 5.631 persona, 23 prej të cilëve ishin foshnje. Rritja natyrore është negative dhe qëndron në -1076, që do të thotë se numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë është më i ulët sesa numri i personave të vdekur” – theksojnë nga Enti i Statistikave.

Në niveli të Shkupit, statistikat në tremujorin e parë shënuan rritje natyrore negative, gjegjësisht numri i personave të vdekur në krahasim me numrin e lindjeve të fëmijëve të gjallë është më i lartë për 60, ndërsa nga dhjetë komunat e Shkupit, në pesë prej tyre ka rritje natyrore negative.

Komunat me rritje pozitive natyrore (tremujori I i vitit 2019):

Butel 12, Rosoman 2, Çair 38, Shuto Orizari 36, Haraçinë 19, Vrapçisht 1, Dibër 15, Dollnen 9, Zhelinë 21, Zelenikovë 4, Karbinci 1, Likovë 48, Petrovec 10, Pllasnicë 5, Sopisht 15, Studeniçan 70, Tearcë 11, Tetovë 87 dhe Çuçer – Sandevë 12.

Në numra absolutë, numër më i madh i lindjeve të fëmijëve të gjallë në tremujorin e parë është regjistruar në Shkup 1.333, Manastir 174, Veles 106, Kumanovë 248, Ohër 129, Prilep 153, Tetovë 248, Strumicë 152. Por, në të njëjtën kohë, në të gjitha këto qytete-komuna (përveç Tetovës) është regjistruar rritje natyrore negative, gjegjësisht numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë është më i ulët sesa numri i personave të vdekur. Një nga shembujt e rritjes më të thellë negative natyrore është Prilepi, ku në tremujorin e parë kanë lindur 153 fëmijë të gjallë, ndërsa në periudhën e njëjtë kanë vdekur 285 persona. Situata është e ngjashme në Kumanovë, ku kishte 248 lindje të fëmijëve të gjallë dhe 298 persona të vdekur, në Demir Kapi kishte vetëm 5 lindje të fëmijëve të gjallë dhe 20 persona të vdekur, në Manastir gjatë periudhës së analizuar kishte 174 lindje të fëmijëve të gjallë dhe 325 persona të vdekur.

Sipas rajoneve, në vetëm dy rajone, atë të Pollogut dhe Verilindor, është regjistruar natalitet më i lartë se sa mortalitet, ndërsa në gjashtë rajonet e tjera në vend në vitin 2018, është regjistruar rritje natyrore negative.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button