BERBERI DHE GJYSHI

(1) Berber a floktar, me bazë latine a shqiptare, s’është me rëndësi si e quajmë. Me rëndësi është fakti se me ç’përgjegjësi e ushtron këtë art, si ju shërben, ç’përshtypje ju lë, çfarë merrni prej tij. Në fakt prej berberit s’marrim asgjë siç m’u shpreh berberi me traditë, “shkupjani i vjetër” në moshë të re, bir i një njeriu me taban familjar që dyqanin e kishte “një shkollë alternative”: “Të gjithë njerëzit kur bëjnë allëshverish japin diçka për të marrë diçka tjetër, japin para e marrin domate, këpucë, veturë e të tjera, kurse tek unë i japin edhe flokët edhe paratë”.

Sa me shumë takt e humor thënë. Një artist i floktarisë, një i këndueshëm dhe një orator i veçantë, një nxënës i përhershëm që merr dhe jep edhe gjatë seancave të qethjes, që ke qejf ta dëgjosh. Një fëmijë i prindit që në fëmijërinë tonë kur s’kishte punë me të mëdhenjtë, thirrte ndonjë nga djemtë që kalonin duke shkuar për t’u larë në lumë (Vardar) dhe ia qethte flokët pa pare, për sevap.

Një njeri frymëzues që detyrën e vet apo profesionin e ushtron me pasion, që e do punën që bën. Punën duhet bërë me qejf, përndryshe s’ke dobi as ti, e as bashkësia. Një seancë të qethjes ra fjalë për gatimin si poezi. “Edhe ushqimi duhet të gatuhet me dashuri, me prehje shpirtërore, përndryshe shkakton tensione, fërkime, animozitet, përplasje, mosmarrëveshje.” Pra, njerëzit sot janë shumë të tendosur sepse ata që gatuajnë janë të tillë. Hanë bukën e njeriut me stres dhe duken të stresuar. Bukëpjekësit bëjnë bukë,  gjellëbërësit ndjekin receta të ndryshme por nuk prodhojnë lumturi e as njerëz që i kënaqen jetës. Pse? Sepse punën e bëjnë me ngarkesa të ndryshme, nën stres, pa merak, pa ashk.

Vetëm njeriu i lumtur mund të ngjallë lumturi te tjetri. Është proces i elektrizimit. Është kjo pra arsyeja pse s’jemi të kënaqur as nga mjeshtri, as nga shitësi në market, as nga shoferi në autobus, as nga punëtori i administratës. Si të jemi, kur vijnë në punë jo të lumtur dhe si do të krijojnë atmosferë, shtimung me klientët e vet? Nuk del buzëqeshje nga njeriu i mrrolur që në mëngjes. Dhe pastaj kjo klimë negative shkon duke u përcjellur dhe kështu dalim si një kolektivitet i dëshpëruar. Andaj duhet të fillojmë nga vetja në përhapjen e atmosferës pozitive. Me një buzëqeshje. Berberi ynë është një shembull i mirë i zanatliut që e do punën që e bën dhe që frymon pozitivitet. Sa na rriten pak flokët mezi që presim të ulemi në karriken e tij.

(2) Një konferenë e fundvitit akademik në UEJL, prezantim i projekt-strategjisë kombëtare “Një shoqëri për të gjithë dhe interkulturalizmi”. Profesori universitar bashkëudhëheqës i kësaj ndërmarrjeje shkencore me synime shoqërore aplikative flet për shumëkulturësinë si nevojë që duhet promovuar fuqishëm dhe shton “ne kemi nevojë për multikulturalizmin dhe interkulturalizmin e së kaluarës, të ngjashëm me atë otoman”, kur kanë bashkëjetuar shumë kultura nën flatrat e një perandorie të madhe, kur njerëzit pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo fetare kanë komunikuar mes vete në një mënyrë shumë të natyrshme, me fjalë, me pak fjalë, me gjuhën e vet, të tjetrit ose me atë imperiale.
Ishte ky sistemi i miletit. “Gjyshim im, shprehur me fjalorin e modernes,  një analfabet, që s’dinte as shkrim as lexim, fliste gjithsej katër gjuhë.”-shtoi Zemon. Poenta: poliglotizmi arkaik dhe spontan. Populli thotë: Sa gjuhë di aq njerëz vlen. Ndërsa një urtësi arabe është për analizë të thellë sociologjike: “Kush ia mëson gjuhën një populli, është i mbrojtur ga sherret e tij.”

Të arrish t’i tregosh tjetrit se s’ke paragjykime, t’i hysh në zemër duke ia mësuar gjuhën, duke u bërë pjesë e qenies së tij, jo duke e menduar si dikushi atje, si të largët, duke e përjashtuar dhe duke të përjashtuar. Ndaluni pak! Një njeri pa fije shkolle, i ka folur katër gjuhë, të veten, të komshinjve dhe të shtetit.  Po si ia ka dalë? Në mënyrë shumë të thjeshtë, duke i hequr mënjanë paragjykimet për “tjetrin”.
Ja një shembull më modern. Dikur, ne brezi pak më i vjetër, e mësonim maqedonishten, dhe në ushtri edhe serbishten/kroatishten/boshnjakishten dhe kjo përbënte një kapital, anipse kemi qenë në pozitë shoqërore inferiore si shqiptarë. Në fakt s’kemi qenë inferiorë sepse para “tjetrit” numerikisht më të madh ishim në epërsi, e dinim edhe gjuhën amtare dhe të tyre (serbishten si gjuhë dominante dhe maqedonishten ngaqë jetonim në RM). Pastaj shkolla na shtyu të mësojmë edhe gjuhë të tjera, anglisht, turqisht…

E sot fëmijët tanë kanë një mangësi të madhe, përqendrohen vetëm te gjuha e tyre dhe te anglishtja, ndërsa s’e dinë gjuhën e atij që është pranë tyre. Nisen nga një formulë shterpë: “ Ai s’e di timen as unë s’e mësoj tijën.” Siç ceket edhe në dokumentin “Strategjia për një shoqëri dhe interkulturalizmi” (2019: 18) nxënësit që mësojnë në gjuhë të ndryshme gjithnjë e më pak mund të kuptohen mes vete përmes shfrytëzimit të gjuhëve të veta amtare, kështu që anglishtja po shndërrohet në mjet për komunikim mes të rinjve.
S’është logjikë e shëndoshë kjo. Brezi i akademikëve të vjetër, përveç literaturës në gjuhën shqipe, maqedonishte, në gjuhët globale, konsultojmë edhe botimet e një popullate mbi 15 milonëshe që flasin gjuhët sllave. Konteksti ka ndryshuar, anglishtja është gjuha e kohës, por ama s’mund të frymosh globalisht pa qëndruar në këmbët e tua lokalisht, pa i njohur edhe gjuhët e fqinjëve me të cilët je në kontakt të çdoditshëm. Është mëkat që brezi i sotëm shqiptar nuk është në gjendje që të lexojë nga origjinali të mëdhenjtë e penës si Mesha Selimoviq, Mirosllav Kërlezha, Danillo Kish, Tin Ujeviq, Mak Dizdar, Abdullah Sidran, Miljenko Jergoviq e të tjerë. Dita ditës po formohet një gjeneratë që s’do dijë t’i lexojë në origjinal as Kosta Racinin, Mateja Matevskin, Jordan Plevneshin…
Përkthimi është transfertë që humb pjesë nga origjinali, kurse teksti bazik është thelbi vetë. Monolingualizmi është fukarallëk. Patriotizmi nënkupton njohje të mirë të gjuhës amtare dhe bashkëngjitje asaj edhe gjuhë të tjera, që ju hapin dritare të reja për ta parë botën e afërt dhe të largët. Pyetja “Po ata pse s’e mësojnë gjuhën tonë” është e pakuptimtë. Është sikur të thuash: “Meqë s’di ai, s’do të mësoj gjë as unë.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button