MEMENTO PËR BESNIKUN

Tetova ka pasur përherë njerëz të zot të fushave të ndryshme, të cilët, në sajë të veprave dhe kontributeve konkrete, janë stampuar në memorjen kolektive. Disa prej tyre kam pasur fatin t’i njoh nga afër, disa i kam pasur dhe miq të mirë. Për mua, të tillë ishin personalitetet si kardiologu Jusuf Rexhepi, profesori Baki Bajrami, romansieri Murat Isaku, poeti Murtezan Arifi, pedagogu Xhemali Beluli, arsimtarët Miftar Abdiu e Shpend Pustina dhe shumë të tjerë po kaq të vlefshëm e po kaq të paharrueshëm.

Në galerinë time të bashkëqytetarëve të shquar bën pjesë prej vitesh dhe doktor Besnik Vejseli, i ikur në amshim në moshën 56 vjeçare. Pikërisht Atë e përkujtoj sot, duke e kundruar si mjek profesionist e human, si shok besnik dhe si intelektual me shumë pasione.

Besniku mjek ishte profesionist dhe i veçantë. Këtë e dëshmoi kudo që iu dha rasti ta ushtrojë profesionin human. Diagnozat e kancerit të gjirit që jepte Ai dhe udhëzimet për mjekimin e kësaj sëmundjeje të rrezikshme ishin përherë të sakta e të qarta gjer në detaje. Po kjo nuk ishte e tëra, sepse Besniku edhe kur pacientët kalonin në repartet e specializuara të onkologjisë, ndiqte me kujdes gjendjen e tyre shëndetësore. Ai ishte i ndjeshëm ndaj pacientëve, prandaj ua preferonte specialistët më të mirë të vendit, madje ua lehtësonte rrugët për të gëzuar trajtimin e tyre. Kujdesi shembullor ndaj të sëmurëve dhe hallexhinjve erdhi në shprehje veçmas në pranverën e vitit 1999, kur si mjek vullnetar ndihmoi me tërë qenien shqiptarët e dëbuar më dhunë nga Kosova, të vendosur nëpër kampe refugjatësh.

Edhe Besniku shok kujdesej për të tjerët si për vetveten. Ai kishte kulturë dialogu dhe nuk shprehte kurrë mendime ultimative e të panegociueshme. E shtronte fuqishëm argumentin e vet për një ngjarje a fenomen, po dhe dëgjonte me vëmendje bashkëbiseduesin. Me Besnikun kemi biseduar/ debatuar për të gjitha temat e mundshme. Nganjëherë dhe kemi polemizuar këmbëngultas e zëshëm, po kurrë nuk jemi hidhëruar, sepse Ai nuk e ngatërronte miqësinë me bindjet dhe nuk mendonte se miqtë duhet të jenë rob të mendimeve uniformë. Ai ishte i sinqertë dhe nuk e aktronte të mirin me të gjithë dhe në çdo rast. Ishte shpirtlirë, jo peng hatresh të rreme. Besniku nuk ankohej kurrë për problemet personale. As atëherë kur sëmundja e rëndë ia rrezikoi seriozisht jetën. Për kancerin fliste si për një virus të rëndomtë me të cilin është infektuar sot dhe do të shërohet nesër. Besniku nuk kërkonte ndihmën e të tjerëve, po ndihmonte të tjerët si t’i kishte familjarë. Bënte shaka dhe duronte shakatë në llogarinë e Tij. Ishte sovran në profesion, po lavdërohej më me qejf me sukseset e miqve. Me një fjalë: Ai bënte pjesë ndër njerëzit, të cilët të bëjnë të lumtur me faktin se i ke miq.

Besniku intelektual, ndërkaq, ishte inteligjent dhe enciklopedist. Prej tij mund të mësoje gjëra interesante nga më shumë fusha. Kishte shumë dhunti e pasione. E adhuronte  dhe e njihte me nivel të lakmueshëm letërsinë, të cilën thoshte se e lexon për qejf, si gjithë lexuesit e botës. Shpjegonte bukur detaje mbresëlënëse, zbërthente metaforat dhe shtresat e nëntëshme të veprave të lexuara, bënte krahasime interesante ndërmjet veprave të kohërave dhe autorëve të ndryshëm… Ishte njeri me shije estetike.

Besniku ishte adhurues fanatik i filmit. Edhe sportin e kishte në shpirt, në veçanti basketbollin, të cilin e luante mirë. Ai kreu edhe studimet e Medicinës sportive, qe mjek i volejbollistëve të ekipit të Shkëndijës së Tetovës dhe ligjërues i lëndës Medicina sportive në Fakultetin e edukimit fizik të Universitetit të Tetovës.

Megjithatë, pasioni më i madh i tij ishte muzika. Ai kishte vesh dhe shije të spërhelltë muzikore. Ekzekutonte në kitarë dhe këndonte bukur. Ka kompozuar madje muzikën për disa shfaqjeve teatrore dhe për filmin artistik Fatprerët. Qe pikërisht dashuria për muzikën ajo që e shtyri të investojë shumë kohë dhe para për t’i siguruar të bijës pianiste profesorë të kalibrit evropian. Ai e pikasi pagabueshëm talentin e jashtëzakonshëm të saj që në moshën e fëmijërisë, kurse sugaresha e Tij Marta i kurorëzoi investimet me vendet e para të fituara në shumë gara ndërkombëtare të pianistëve më të talentuar të botës.

Ky qe në vija të trasha Besnik Vejseli, njëri prej tetovarëve të shquar, i lindur në fshatin Gajre të Malësisë së Sharrit, nxënësi i shkëlqyeshëm, studenti dhe specializanti shembullor i radiologjisë në Fakultetin e mjekësisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”  në Shkup, doktori dhe shefi i repartit të spitalit privat ROMEDIKA, që me diagnostifikimet e kancerit të gjirit bëri emër të shquar dhe shpëtoi shumë jetë nga vrasësi i frikshëm.

Ky ishte Besniku ynë, i mirënjohur edhe si pronari i kafeterisë së famshme BOLERO, që frekuentohej nga njerëzit e të gjitha profesioneve dhe bindjeve, nga drejtuesit e subjekteve të ndryshme politike, e ndonjëherë edhe nga diplomatët e huaj, si i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën – ambasadori Volfgang Petriq, që zgjodhi pikërisht BOLERO-n për takime me parësinë e Kosovës në kohën e shprazjes së saj nga gjenocidi serb. Nga distanca e sotme kohore mund të thuhet se BOLERO qe një kohë vatër e nismave shoqërore e kulturore, qendër e frekuentuar nga intelektualë e artistë të shquar të trojeve shqiptare, agorë e munguar sot për disa breza njerëzish.

Ja pra përse ikja e parakohshme e Besnikut në botën e përtejme ka lënë një shprazëtirë që nuk kompensohet kollaj. Mungesa e Tij vazhdon të ndihet fuqishëm në sferën e shëndetësisë, veçmas në degën që kishte specializuar me sukses të shkëlqyeshëm dhe ishte sovran, po dhe në jetën shoqërore, kulturore e sportive të Tetovës. Mungesën e Tij e ndjejnë në veçanti familjarët dhe miqtë më të afërt, të cilët e kujtojnë me mall për energjinë e madhe pozitive, për kukturën e komunikimit, për tolerancën ndaj mendimit ndryshe, për shpirtin kosmopolit, për anekdotat pikante që u jepnin shije ndejeve dhe, natyrisht: për kujdesin e veçantë ndaj pacientëve të Tij.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për NJERËZIT si Besniku!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. E lexova me endje dhe dhembje, kete tekst,.
    shume kujtime dhe mbresa mbaj te gjalla ne vete nga shoqerimi i gjate me Besnikun, shok dhe kusheri
    por ajo qe tash me fanitet eshte takimi i fundit me te, mendoj se Bolero nuk funkciononte me, duhet te kishte qene kafeteria ngjitur me te
    kisha degjuar per semundjen dhe kisha droje ta takoja, sikur nuki do dija cka duhet thene, sikur nuk doja ta shihja te ndryshuar Mikun
    u ulem per kafe, ndenjem gjate, folem me kujtohet, mes tjerash, per erozionin e arsimit te larte tek ne, une tregoja anegdota nga vendi i punes, ai ckamos: analiza, pershtypjet nga shkollimi i tij dhe i Martes ne Evrope, me shume humor. Perfekt e ke pershkruar kulturen e tij te komunikimit!
    (Marta, pianisten the best, e cila e kam thene publikisht se sikur te ishte e perkatesise maqedone ose te ishin elitat tona politike te vetedijesuara per vlerat kulturore sic nuk kane qene asnjehere, do ishte boterisht e njohur. Njohesit thone: kur ishin ne fillet e karrieres moshataret Simon Trpcevski dhe Marta Vejseli, ajo mund te ishte mesues i atij. E kam ndjekur Marten, ate gjeni muzikore, nga femijeria, e kam degjuar pastaj sahere Simonin, dhe e ndjej thelle kete fakt. marta e kishte ekzekutimin superior, por Simoni e kishte perkatesine e duhur nacionale. Njelloj si ne letersi, te ishte Sala me mbiemrin Maxhirov do ta perfaqesonte shtetin me pare shteti neper bote dhe do ta perfaqesonte me denjesisht, se sa Nikola Maxhirov, i kam lexuar te dyte. Elitat tona kulturore, ose ja me precize te jem: ministrat shqiptare te kultures cka bene extra per Salajdin Salihun?? Ata as qe e kane lexuar poezine e tij.)

    …pas takimit te fundit me Besnikun, dola e mbushur shpirterisht. Me pelqeu te mendoj qe gabim ma paskeshin transmetuar lajmin per semundjen e rende, ose ndoshta, semundja eshte dorezuar para shpirtit luftarak, atij shpirti te gjere oqean, te pacientit.
    shkurt kohe pas atyre oreve te paharruara me disa kafe, ne ate pasdite qe kaloi ne mbremje, kuptova lajmin per ikjen e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button