Ja përse dështoi regjistrimi i popullatës në Maqedoni

Ekspertët kanë kritikuar ashpër deklaratën e kryeministrin maqedonas se çështja e natalitetit në Maqedoni është brengosëse dhe se vendi ynë gjithnjë e më shumë ka më pak popullatë. 

Kjo për analistët politik nxjerr në pah arsyen dhe faktin që u ndërpre regjistrimi i popullatës një vit më parë, ndërsa ulja e numrit të popullatës për shoqatat e grave është pasojë e kushteve jo të mira jetësore të cilat i (pa) mundëson Qeveria.

‘Mendoj se një deklaratë e tillë është kontinuitet logjik dhe natyror e një kryeministri i cili gjithë mandatet i harxhon në kampanjë parazgjedhore. Në vend të zgjidhë probleme ai edhe më tepër krijon. Po të ishte ai seriozisht i brengosur për natalitetin te populli i vet, me siguri se nuk do të harxhonte aq para për statuja te vdekura, por për njerëz të gjallë’ tha profesori universitar Mersel Bilalli.

‘Disa analiza tregojnë se këto 22 vite nga Maqedonia janë larguar afro 400. 000 njerëz nga të cilët një numër serioz kanë shkuar përgjithmonë nga vendi (sidomos ne Kanada, Australi, Zelande te Re dhe SHBA). Pjesa tjetër në shtetet e Evropës Perëndimore. Populistët gjithnjë betohen në kokën e popullit të vet, por ata gjithmonë e kanë dëmtuar kokën e po atij populli. Jo rastësisht edhe u sabotua dhe diverzua regjistrimi i cili ishte ne rruge të nxjerr një realitet të pafavorshëm numerik për kryeministrin’ tha më tej Bilalli.

Safka Todorovska kryetare e Këshillit të Grave të Republikës së Maqedonisë, thotë se çështja e uljes së natalitetit është problem i përgjithshëm shoqërorë.

‘Kjo që e tha kryeministri sigurisht se disa institucione posedojnë të dhëna të tilla, komenti ynë është se për zvogëlimin e natalitetit nuk mund Qeveria fajin ta kërkojë vetëm tek gratë, nuk janë fajtore, gjendja me natalitetin është problem shoqëror. Problemi nuk fle te vetë gratë por as te burrat, kurse qëndron në zgjidhjet shoqërore. Nëse zgjidhen problemet, të përmirësohen kushtet atëherë ata do të sjellin edhe përmirësim të natalitetit” thekson Todorovska.

Ndryshe, kryeministri maqedonas në fjalimin e tij me rastin e shënimit të 23 nëntorit, ditës së kryengritjes revolucionare maqedonase të VMRO-DPMNE-së historike, një datë që shënohet si festë shtetërore në Maqedoni shprehu shqetësim lidhur me rënien e natalitetit dhe njëkohësisht rënien e numrit të popullsisë në vend.

“Problemi ynë është aspekti demografik apo siç e kam quajtur recesioni i popullsisë. Në zgjidhjen e këtij problemi duhet të bashkohemi dhe të mobilizohemi, por edhe të veprojmë bashkërisht, pa dallim të përkatësive tona. Ky është një recesion demografik që po vazhdon me dekada. Kjo duhet të jetë shqetësim. Në vend që të kemi paralele me 35 nxënës, ne kemi paralele me 8, 10,15 apo 20 nxënës. Shkollat që dikur kanë pasur mijëra nxënës, sot kanë nga 500 apo 600 nxënës. Demografia dhe nataliteti kanë rëndësi të madhe për ekonominë, arsimin, infrastrukturën, sistemin pensional dhe kompanitë”, ka thënë me 23 tetor kryeministri Gruevski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button