Stuhi reagimesh dhe kërkesa për kërkim falje pas deklaratës së djeshme të Zaevit

Shoqatat e gazetarëve, OJQ-të dhe partitë politike në vend reaguan furishëm ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit Zoran Zaev, në të cilën duke komentuar çështjen “Reket”, tha se nuk do të lejojë që “disa kriminelë, një gazetar sqimatar dhe një pederast” ta rrëzojnë qeverinë aktuale, shkruan Portalb.mk

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka kërkuar që kryeministri të kërkojë falje menjëherë nga gazetarët, dhe veçanërisht nga gazetari Branko Geroski, nëse kjo deklaratë iu kishte drejtuar atij.

“Fjalimi i tillë agresiv ndaj gazetarëve, nga kryeministri mund të nxisë dhunë ndaj kolegëve tanë, duke rrezikuar më shumë sigurinë e tyre dhe duke e kufizuar lirinë e shprehjes”, theksohet në deklaratën e SHGM-së.

Vetë Geroski në një prononcim në televizionin Alfa dje tha se, pas deklaratës së Zaevit, ai u bë shënjestër e sulmeve të organizuara në rrjetet sociale, për të cilat ai thotë se ishin “bote të LSDM-së”.

“Secili mund të shohë sa çfarë orteku i agresionit po derdh në profilin tim në Facebook, kjo përfundimisht më shqetëson mua dhe familjen time”, theksoi Branko Geroski.

Edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Mediave (SPGPM) e dënon me forcë deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, duke kërkuar që ai të kërkojë falje për fjalët.

“Politikanët, veçanërisht ata që janë në funksionet më të larta, duhet të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre sepse një deklaratë e papërshtatshme mund të shkaktojë dëme të përmasave të paparashikueshme si për individët ashtu edhe për lirinë e shprehjes”, thonë nga SPGPM.

Shoqata  e Mediave të Maqedonisë(SHMM) për deklaratën e djeshme të kryeministrit Zaev theksoi se paraqet kërcënim i drejtpërdrejtë për mediat, gazetarët dhe format e shprehjes së lirë. Edhe ata kanë kërkuar nga kryeministri të kërkojë falje për deklaratën.

Urania Pirovska, drejtore ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, në profilin e saj në Facebook ka postuar se komuniteti LGBTI në vend nuk do t’ia falë këtë deklaratë kryeministrit Zaev.

“Është e neveritshëm në shumë aspekte! Aq e kishte pranimi i diversiteteve dhe respektimi i tyre! Paska qenë demagogji e rëndë gjithçka që është thënë dhe bërë para kësaj” ka shkruar Uranija Pirovska.

Nuk ka munguar edhe reagimi i partive politike ndaj fjalëve të përdorura në deklaratën e djeshme të kryeministrit Zoran Zaev.

Partia opozitare VMRO – DPMNE thotë se Zaev ishte në panik të qartë pas provave që po dalin në publik për çështjen Reket.

“VMRO – DPMNE dënon me forcë fyerjet dhe kërcënimet e Zaevit kundër gazetarëve të cilët e zbardhën krimin e tij. VMRO – DPMNE i dënon edhe fyerjet në bazë të orientimit seksual”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

Vetë kryeministri Zoran Zaev, pas deklaratës për mediat, u përpoq ta korrigjonte atë përmes një mesazhi të postuar në Twitter. Ai i kërkoi falje komunitetit LGBTI, duke theksuar se do të luftonte për të drejtat e tyre si më parë.

“Para se të përdorja fjalën “pederast” kërkova falje. Unë e përdora atë fjalë për të përshkruar një karakter, e jo për të përcaktuar orientim seksual”, ka shkruar kryeministri Zaev në Twitter. Pavarësisht reagimit të tij, nuk ka kërkim falje edhe për “gazetarin sqimatar” i cili u përmend në deklaratë.

Për Zaevin, veprimi i Katica Janevës është veprim idiotësh

Kryeministri Zoran Zaev beson në hetime transparente, shumë të përpikta dhe të shpejta, veçanërisht për rastet siç është “Reketi”.

“Publikisht kam përgënjeshtruar çdo lloj spekulimi dhe përmendje të emrit tim dhe tërësisht qëndroj në atë. Kjo garniturë politike, nëpërmjet pushtetit ekzekutiv, ka krijuar kushte që gjyqësori dhe Prokuroria publike të punojë të papenguar pavarësisht nëse ndokush është shef i ndonjë mediumi që e mbështet pushtetin, sot ai është në paraburgim” – deklaroi Zaev, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dje në ceremoninë me rastin e 18 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë.

Ai ka shtuar që duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë pa marrë parasysh nëse ndokush është i inkriminuar dhe ka indikacione për ndonjë që është në pozitë të lartë siç është prokurorja speciale publike Katica Janeva.

“Pavarësisht a është ajo apo kush do tjetër, ligji duhet të vlejë njëlloj për të gjithë. Prandaj vazhdimisht e përsërisim që presim hetim themelor, prezumimi i pafajësisë obligon të gjithëve që të mos e kualifikojmë askënd pa prova, por gjithandej ku do të konstatohen prova, secili që është i involvuar me pranim të parave që shfaqet në atë skandal, secili që e ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet. Në çdo vend ka qenë traumatike. Edhe te ne nuk është lehtë dhe është traumatike, por ashtu do të bëhemi shtet juridik të cilin e duam të gjithë” – ka thënë Zaev.

Në lidhje me spekulimet, siç ka thënë, të cilat shkojnë deri në përpjekje për ta përfshirë në këtë rast, ai ka theksuar që ka ardhur në pushtet duke falënderuar votës së qytetarëve, duke luftuar për liri, demokraci, shtet juridik, sundim të së drejtës dhe për vend normal dhe që do të vazhdojë të luftojë për ato vlera.

“Unë jam luftëtar dhe do të vazhdojë të luftoj për këto vlera deri në fund derisa qytetarët më japin pozitë. Kuptohet që nuk do të lejoj që disa kriminelë, një gazetar sqimatar dhe të më fal LGBT komuniteti një pederast ta rrëzojnë këtë Qeveri nga pushteti. Jo. Do të luftojmë deri në fund për shkak se secili që është i involvuar gjithsesi do të bartë përgjegjësi” – tha Zaev.

Në pyetjen e konsideron që Janeva e ka zhgënjyer tha që “sipas tij, veprimi është veprim idiotësh tash për tash në pajtim me provat e deritanishme”.

“Pres që hetimi t’i tregojë provat për secilin rast, duke përfshirë për Katica Janevën, Zoran Zaev, për cilin do rast. Absolutisht, vetëm ashtu do të dëshmojmë që ka sundim të drejtësisë” – deklaroi Zaev, duke theksuar që edhe populli pret zgjidhje të cilën konsideron se hetimi do ta sjellë, ndërsa gjithçka tjetër, siç theksoi është huazi politikë ditore.

LEXO: Rasti Lënda “Reket”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button