Komuniteti ndërkombëtar për lëndën “Reket”: Shteti ligjor të dëshmojë veten me vepra

Komuniteti ndërkombëtar njëzëri u bë thirrje, këto ditë, autoriteteve në Maqedoninë e Veriut në lidhje me lëndën “Reket” për të dëshmuar me vepra se ligji sundon në vend dhe se shteti ligjor funksionon, njofton Portalb.mk.

Ambasadoret e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Kejt Bërns respektivisht Rejçël Gallouej duke e ndarë njoftimin e Komisionarit të BE-së Johannes Hahn për çështjen “Reket” dhe luftën kundër korrupsionit në profilet e tyre zyrtare në Twitter kanë bërë thirrje që vendit të dëshmojë angazhim që të mbështetet sundimi i ligjit.

“Siç thamë edhe më parë, këto janë akuza serioze që kërkojnë përgjigje serioze, e cila do të jetë e plotë, transparente dhe në kohë. Tani është koha që Maqedonia e Veriut të dëshmojë angazhim për të mbështetur sundimin e ligjit”, shkroi Bërns në Twitter.

Për Gallouej, forcimi i sundimit të së drejtës është me rëndësi jetike për Maqedoninë e Veriut.

“Forcimi i sundimit të së drejtës është me rëndësi jetike për Maqedoninë e Veriut dhe mundësi për institucionet e pavarura për të demonstruar përkushtim për drejtësi për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ambasadorja britanike në Twitter.

Pasi publikimit të bisedave të incizuara lidhur me çështjen “Reket”, gjatë fundjavës në Twitter u prononcua edhe Komisionari për politikat e zgjerimit dhe fqinjësisë, Hahn i cili ka porositur se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë duhet të vazhdojë.

“Maqedonia e Veriut: Lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë duhet të vazhdojë pa ndërprerë. Sa i përket zbulimeve të fundit, është e rëndësishme të përcaktohet përgjegjësia ligjore për të gjitha veprat penale, duke i përfshirë edhe ato që rrjedhin nga dhe rreth përgjimeve të paligjshme”, ka thënë Hahn në njoftimin e tij.

Në vazhdim ai thekson se askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund të ketë mos ndëshkim.

“Autoritetet kompetente duhet t’i hetojnë të gjitha veprat penale të liruar nga çfarëdo ndërhyrje, ndërsa autorët të sillen para drejtësisë,” ka porositur Komisionari i BE-së Hahn në postimin në Twitter.

Daniel Sever nga Universiteti “Xhon Hopkins”, në një koment rreth hetimit për çështjen “Reket” dhe lidhjen e mundshme të ish-Prokurores speciale Katica Janeva, ka thënë se raste të tilla duhet doemos të kenë zgjidhje gjyqësore, duke theksuar që ky mund të jetë  proces i cili nuk do të mbarojë shpejt.

“Mendoj se çështja më e rëndësishme në këtë çast është që Qeveria të bëjë të qartë se është e angazhuar për gjykim të madh dhe të drejtë, dhe nëse është e nevojshme, gjykim të atyre të cilët e kanë kryer krimin”, ka deklaruar ai për MIA.

I pyetur nëse kjo çështja do të mund të ndikojë në negociatat për aderim me BE-në, Serveri tha se kjo varet nga vetë BE-ja.

“I takon Brukselit të vendosë nëse duhet të ketë ndonjë shtyrje. Por, jam i bindur që angazhimi i sinqertë dhe i qartë i Qeverisë do t’i hapë rrugën hapjes së negociatave”, ka thënë Server.

Koment të ngjashëm ka bërë edhe Pol Mekarto, drejtor i Institutit Ndërkombëtar Republikan për Evropën, në Uashington, i cili vëri në dukje se duhet të lejohet që hetimi të vazhdojë për të parë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur dhe çfarë jo.

“Në këtë moment i kemi vetëm këto incizime dhe kjo sigurisht që është shqetësuese. SHBA, veçanërisht Instituti Ndërkombëtar Republikan, kushtojnë kujdes të madh për transparencën institucionale dhe gjyqësorit të fortë. Hetimi duhet të përfundojë”, ka deklaruar Mekarto për Zërin e Amerikës.

Ai thotë se opozita, para se të dalë në ndonjë përfundim, duhet të presë që çështja të zgjidhet. Është e rëndësishme që opozita të jetë konstruktive, ndërsa miqtë amerikanë janë këtu për ta përkujtuar për atë, ka thënë ai.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski gjithashtu shprehu mendimin e tij, në një konferencë shtypi në Vilën “Vodno” duke bërë thirrje për zbardhje të shpejtë të aferës “Reket” në aspekt të integrimit të vendit në BE dhe NATO.

“Duhet patjetër ta zbardhim sa më shpejt aferën “Reket” në aspekt të integrimeve euro-atlantike. Ndoshta jo ne relacion me NATO-n, pasi aty në fazat e fundit të procedurës, por në relacion me BE-në nuk guxojmë të lëmë asnjë dyshim, të asnjë shtet anëtar të BE-së se nuk jemi të gatshëm për të pastruar raste të tilla”, ka porositur Pendarovski.

Sa i përket asaj se sa do të ndikojë afera “Reket” në datën e fillimit të negociatave me BE-në, Presidenti Pendarovski është i prerë se në bazë të informatave që i ka në këtë çast nga BE-ja dhe Komisioni Evropian, nuk ka ndryshim në asnjë shtet anëtar në drejtim të rishikimit të qëndrimit të tyre.

Ai përkujtoi se shtyrja në qershor ishte për arsye teknike për Bundestagun gjerman, i cili më 27 dhe 28 shtator duhet të zhvillojë një seancë për të dhënë dritë të gjelbër.

“S’ka ndryshim, por në duhet t’i fryjmë edhe kosit. Ne guxojmë të relaksohemi. Edhe afera më të vogla se kjo mund të nxitë disa vendet anëtare, për shkak se nuk e duan projektin e zgjerimit, të thonë se këto nga Ballkani Perëndimor nuk duhen. E kemi për obligim të mos u japim asnjë argument përpjekjeve të tilla politike”, tha Pendarovski, duke shtuar se ai kishte biseduar dhe ka fituar bindjen që disa nga prej miqve të tij në Bruksel se, deri tani, nuk kishte pasur ndonjë ndryshim domethënës të disponimin në kryeqytetet që vendosin për integrimet.

Përndryshe, në lëndën për zhvatjen të dyshuar janë dy personaBojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13”dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec se kanë zhvatur biznesmenë nëpërmjet prokurorit publik, apo shefes së PSP-së në dorëheqje, Katica Janeva. Së fundmi gazeta italiane “La Verita” ka publikuar disa video-audio materiale, në të cilat tregohet se si Boki 13, ka marrë reket prej Orce Kamçevit në shtëpinë e tij. Skandali përfshin edhe prokuroret Janeva dhe kolegen e saj, Lile Stefanova, por të dyja i kanë refuzuar akuzat.
Gazeta italiane ka publikuar disa video dëshmi nga rasti.

LEXO PËR LËNDËN: REKET

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button