Nëse nuk burgosni, do t’ju burgosin

Publikimi i skandalit “Shantazhi” që gjithnjë e më tepër ngjan si skandal që duhet të quhet “Ryshfeti” fillon të nxjerrë në shprehje disa çështje shumë interesante dhe të vërtetojë se është një ndërmarrje shumë më e madhe nga ajo ku tani për tani është koncentruar hetimi e që përfshin vetëm personat Boki 13 dhe Zoki Kiçeec. Ky skandal publikohet në vazhdime në një medium italian përkrahës i pozicionit politik të së djathtës ekstreme.

Gazetari që publikon bisedat e përgjuara mes Bokit, Orces dhe Katicës nuk lë rast pa shfrytëzuar për të shprehur mllefin e tij ndaj institucioneve të UE-së dhe ndaj funksionarëve si Mogherini e të tjerë të cilët i quan të korruptuar dhe i akuzon se kanë imponuar një pushtet po ashtu të korruptuar në Maqedoni duke e nënçmuar në këtë mënyrë popullin maqedonas. I gjithë qëllimi i gazetarit na qenka që të ndihmojë Maqedoninë të vendosë sundim të së drejtës, të shpëtojë nga mafia dhe të përparojë në rrugën e integrimit evropian. Sa qëllimmirë ky gazetari, sa simpatik, veçanërisht kur e kemi parasysh përkrahjen e tij për të djathtën ekstreme që në princip është lëvizje nacional-shoviniste, ksenofobe dhe e orientuar kundër NATO-s UE-së dhe vlerave demokratike perëndimore që këto institucione i përfaqësojnë.

Shkrimet e tij tingëllojnë si pamflete politike me një moto të vetme “Forca regresive dhe anti-evropiane kudo qe jeni, bashkohuni!”. Për të vërtetuar këtë u paraqit edhe Vuçiq i cili po ashtu rezulton të jetë mirë i informuar për atë se cili është publikimi i rradhës lidhur me këtë skandal. Pra, të nderuar miq, punët si duket janë pak më të mëdha dhe përfshinë një farë “internacionale të së djathtës ekstreme” që tejkalon kufijtë e këtij shtetthit tonë.

Tri ishin rrugët që përdori për të ardhur në pushtet qeveria e tashme e Zoran Zaevit e që mund të sublimohen si vijon:

1)Publikimi i materialeve të përgjuara që treguan se pushteti me vite kishte përgjuar ilegalisht mbi 20.000 qytetar dhe në ndërkohë ishte involvuar në vepra të rënda penale,

2)Kërkesa e përbashkët dhe gjithëpërfshirëse për drejtësi e cila rezultoi në formimin e PSP me qëllim të vendosjes së përgjegjësisë penale për ata që asnjëherë më parë nuk kishin bartur përgjegjësi

dhe

3)Sigurimi i përkrahjes ndërkombëtare  për demokratizimin e vendit dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale për të përparuar në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Po ashtu tri janë rrugët që ata që e humbën pushtetin duan tani t’i përdorin për ta fituar sërish të njëjtin:

1)Publikimi i materialeve komprometuese audio-vizuele që duhet të vërtetojnë që qeverisja e tanishme është në fakt mafiokrate dhe e korruptuar,

2)Kërkesë e përbashkët dhe gjithëpërfshirëse për drejtësi duke aluduar se i gjithë institucioni i PSP është i komprometuar pasi që kreu i saj me gjasë është involvuar në skandal eklatant korrupsioni

dhe

3)Sigurim i përkrahjes ndërkombëtare nga të gjitha subjektet politike që besojnë në të djathtën ekstreme dhe në vlerat anti-evropiane të cilat mbahen ndërmjet veti me një solidaritet të tillë ku Orban i ofron strehim Gruevskit ndërsa Polonia e Rumunia gjithnjë e më tepër largohen nga vlerat evropiane të cilat i promovon UE.

Është më se e qartë që forcat progresive dhe pro-evropiane vështirë e fitojnë pushtetin në këtë nën qiell dhe ende më vështirë e mbajnë të njëjtin. Sepse forcat progresive gjithnjë e kanë të vështirë të dëshmojnë se kriminaliteti ka ndodhur vërtet, derisa ato regresive shumë lehtë e kanë të dëshmojnë se të gjithë janë njësoj. Dhe pikërisht ky është qëllimi i tezës që plasohet këto ditë: të gjithë janë njësoj. Në 2015 u publikuan biseda të përgjuara, ja tek i keni tani edhe videoncizimet e përgjuara që tregojnë se ajo që nuk mund të blihet me para, blihet me shumë para.

Në 2015 u formua PSP dhe filluan protestat me moton “Nuk ka drejtësi nuk ka qetësi”, ja ku e keni këtë moto ende shumë aktuale tani që PSP ballafaqohet me akuza të rënda për mitmarrje dhe korrupsion. Dhe fatkeqësisht nuk mjafton arsyetimi i Katica Janevës se përmes Boki Trediçit paska bërë negociata me Orce Kamçevin me qëllim që ky i fundit nga i dyshuar të kalojë në dëshmitar bashkëpunëtor për rastin “Perandoria”. Kur kryeprokurorja speciale e sjell punën që një person si Boki të bëhet faktor negociatash dhe të ndërmjetësojë mes prokurorisë dhe të dyshuarit, aty puna vërtet ka dalur moti jashtë kontrollit.

Dhe për këtë duhet bartur përgjegjësi, edhe atë përgjegjësi serioze, pa asnjë kompromis. Nëse në vitin 2016 e 2017 hymë në lajmet globale me faljet e Ivanovit dhe me sulmin në Kuvend, ja ku jemi sërish në ballinat e mediave të huaja ku qeveria e tanishme akuzohet se ushtron pushtet mafioz, prokurorët akuzohen si të korruptuar ndërsa UE akuzohet si përkrahëse e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, edhe Doris Pak shprehu shqetësim se kryeministri jonë është përmendur tek bisedat e përgjuara ku Boki thotë që e paska shok të ngushtë Zaevin dhe se paska biseduar me të për punën e Orces. Një gjë nuk e kuptoj, pasi këta qenkan kaq shokë të ngushtë, si ndodhi që Zaev e paraqiti Bokin dhe rastin “Shantazhi” në Prokurorinë për krim të organizuar? Kjo shoqëria e tyre nuk më duket edhe aq bindëse sa e tregon ky personazhi “Trediçi”.

Edhe pse qëllimi është që me gjithë këto veprime (ku të themi të drejtën vërtet qeveria dhe institucionet e tashme kanë dhënë mjaft kontribut dhe material të nevojshëm për sulm) të vendoset shenja e barazisë mes mafiokracisë që kishim përpara dhe këtij shteti në ndërtim që e kemi tani, vlejnë të theksohen disa dallime që qartazi tregojnë se gjërat nuk janë ashtu si kërkohet të prezantohen. Ja ta zëmë se cili është reagimi fillestar nga autoritetet pas kuptimit të aferës “Shantazhi” në krahasim me kohën kur filluan të shpalleshin “bombat” e Zaevit. Ndoshta ju kujtohet, deklarata e kryeministrit të atëhershëm Gruevski ishte se të gjitha bisedat që dëgjohen në eter janë materiale të prera, të ngjitura dhe të montuara edhe atë nga disa shërbime të huaja që përmes disa furgonëve të verdhë kanë përgjuar qytetarët e këtij vendi! Deri në momentin e fundit e as tani që është në arrati Gruevski nuk pranoi asnjëherë anjë lloj faji për këto biseda dhe për procesin e përgjimit në tërësi. Gjatë gjithë kohës ai akuzoi se është i persekutuar politik dhe mbi këtë bazë fitoi edhe azilin në Hungari. Këtë vazhdon ta thotë VMRO-DPMNE edhe sot e kësaj dite me Mickovskin në krye, se të gjithë të akuzuarit nga PSP janë të persekutuar politikë, ndërsa sipas tyre, heronj më të mëdhenj se ata që hynë në kuvend me dhunë në 2017 vështirë se do të gjinden në këtë vend. Deklarimi i kryeministrit Zaev dhe distancimi i tij nga të gjithë të involvuarit në rastin “Shantazhi”, mbi të gjitha fakti që pikërisht ai ka qenë paraqitësi i këtij krimi tregon sa shumë dallim ka mes qasjes së dy kryeministrave ndaj skandaleve të kësaj natyre.

Po ashtu, dallim eklatant ka në reagimin e presidentëve Ivanov dhe Pendarovski. Sikur të ishte Maqeonia ende ajo mafiokraci e vitit 2016, tani Pendarovski do të shfrytëzonte të drejtën e tij inekzistente për të dhënë falje pa procedurë paraprake dhe do t’i falte të gjithë, Orcen, Bokin, Zokin, Katicën, Lilen, Vilmën, atë gazetarin italian që publikoi përgjimet, Branko Gerovskin, të gjithë do ti falte, të dyshuar, të akuzuar e viktima, të gjithë pa përjashtim dhe pa kurnjëfarë të drejte, edhe kur procedurat penale ende të mos kishin filluar. Por ne nuk jemi mafiokraci dhe për fat Ivanov nuk është më president.

Pendarovski lidhur me rastin “Shantazhi” mbajti konferencë për shtyp ku kërkoi zbardhjen sa më parë të rastit dhe hetim gjithëpërfshirës dhe nuk tentoi ta keqpërdorë funksionin e vetë për të pamundësuar vënien e drejtësisë. Në kohën kur u shpallën bombat e Zaevit prokurori shtetëror Zvrlevski ndejti duarkryq dhe nuk hapi asnjë procedurë penale lidhur me ato indicje. Për këtë shkak u krijua PSP. Nuk është se Prokuroria e tashme për krim të organizuar u mundua të jetë perfekte, efikase dhe e shpejtë në hetimin për rastin “Shantazhi”, por hetim ngriti, dhe shpresoj shumë që i njëjti të rezultojë me zgjerim të numrit të të dyshuarve, sepse s’ma merr mendja që ky personi me buzët e fryra dhe ai tjetri miku i tij Kiçeec të jenë mafiozë të kalibrit të Toto Rinës e Al Kapones bashkë.

Pra dallim ka dhe i njëjti nuk është i dukshëm vetëm për ata që duan të luajnë të verbrin. Por nuk mjafton të ketë dallim sepse duhet të ketë edhe veprim, të qartë dhe të dukshëm, aty ku duhet, drejt e në shenjë. Institucionet tona duhet të vërtetojnë se janë vërtet institucione që mund të sigurojnë drejtësinë, që mund të vendosin për fajësinë e të involvuarve në krime e jo ti lënë të shqiptojnë kriminelët pa asnjë pasojë. Këto institucione duhet të dëshmojnë se ka ardhur koha nga një shtet mafiokratik, përmes një shteti në bërje e sipër të bëhemi përfundimisht një shtet i së drejtës. Kjo është e mundur vetëm në qoftë se të gjithë të involvuarit në krime bartin përgjegjësi, si ata nga qeverisja e kaluar, edhe ata nga kjo e tashmja, si prokurorë e gjyqtarë ashtu edhe prokurorë specialë, si ministra e kryeministra ashtu edhe deputetë.

Institucionet e ndjekjes penale duhet të fillojnë të burgosin njerëz që kanë shkelur ligjin. Sepse nëse nuk i burgosin njerëzit që kanë shkelur ligjin do të vijë dita kur shkelësit e ligjit do i burgosin ata.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button