PANTULLEPAJKSHI

Jam në mbledhje me peshë të komisionit për shkencë. E marr fjalën e them: Kam një ide: t’i mbledhim pezhorativat ose më mirë pejorativat me prapashtesën sh.  Aty, në mbledhje, janë emra me merita partiake.

E para e punës, thotë njëri, ti vëllaçko nuk ke “thirrje”.

Nuk të kuptoj, ia kthej. Çfarë është “thirrje”.

Po, asistent i ri, ta zëmë, docent, profesor .

Aha, për titull shkencor, e paske?!

Tjetër është titull, tjetër “thirrje”, ma kthen plot “autoritet shkencor”. Nuk e çoj më tutje.

Mirë, de… e përfundoj bisedën. Mezi ia dal të kthehem te ideja. Për pejorativat ose siç e kanë bërë zakon t’u thonë pezhorativa desha ta them ndonjë fjalë.

Më fal më thotë njëri  “me thirrje”, çka janë këta pezhorativa a pejorativa?

Po… dua unë t’i tregoj.

Prit, prit, këtë mesele e zgjidh fjalori. E merr fjalorin “ai me thirrje”, e shfleton. Nuk e paskaaa këtë fjalë fjalori, më thotë me një triumfalizëm provinicial duke e zgjatur a-në e fundit të foljes për ta forcuar habitoren.

Nuk e shpjegon as “thirrjen” që ke ti, e ngre zërin pak unë. Nuk ka në fjalor as “thirrje”, për shkak se atë që e mendon ti si thirrje fjalori e ka – titull. Pra ti paske titull shkencor. Ai përsëri e shfleton fjalorin. E sheh dhe hesht.

Nejse de… bën. Si e mendon këtë idenë tënde për t’i mbledhur pezhorativat a pejorativat?  Hajt ta dëgjojmë ç’do të thotë pejorativa? Ta shoshisim, ndërhyn ai  me “thirrje”. Të tjerët e kthejnë shikimin me një qëndrim që flet për kënaqësinë e tyre se “ai me thirrje” më ka zënë ngushtë.

Hajt të të shohim, i fërkon duart një tjetër, po ashtu me “thirrje”.

Pejorativi është  fjalë me kuptim  shpotie, talljeje. Nga latinishtja peiorativus – peioare: përkeqësoj diçka, e theksoj për të keq ndonjë  veti, shëmtoj.

Nejse, nejse… Ta votojmë.

Të gjithë i ngrenë gishtat. Kështu e ka demokracia te ne. Futet atje ku nuk e ka vendin. Fundi: katër me tre për propozimin tim.

Epo… them unë.

Mirë… Po si e ke menduar këtë?

Të dalim të mbledhim fjalë.

Kush?

Unë dhe nja tre a katër vetë nga ju…

Ja merre këtë kushëririn tim, thotë njëri. Edhe këtë e kam djalë vëllai, shton tjetri… Edhe këtë…  U bëmë katër veta. Unë dhe të fisit e të vllaznisë.

Edhe një herë duhet ta shpjegoj idenë pse të mbledhim pejorativa. Them se fjalori ynë është fare modest. Nuk i ka përfshirë këta pejorativa aq të nevojshëm për gjuhën tonë. Pastaj edhe një herë kërkojnë  ta shpjegoj kuptimin e fjalës pejorativ ose pozhorativ siç kanë dëshirë ta quajnë disa. Por shokët e komisionit duan edhe shembuj. I lodh shpjegimi. I jap edhe shembujt: voksh, gjungsh, përjargsh, përllomsh etj. Dhe përfundoj: tash në punë! Të sillni sa më shumë fjalë.

Kthehemi nga terreni. Kanë sjellë ndonjë fjalë interesante, por nuk i  kanë lënë pa i përfshirë në fletore as shembujt që ua kam thënë unë. Kurse njëri nga këta i ka sjellë edhe këto fjalë që s’janë pejorativa që bëhen me prapashtesën karakteristike sh. Ja  cilat fjalë i kishte sjellë: qortauk, budallë, hajvan… I shikoj unë fjalët, pastaj e ngre kryet e shikoj edhe atë terrenësin tonë. Ai ka qëndrim të një autoriteti shkencor.

Dëgjo koleg, i them. Nuk janë këto fjalë që i kërkon projekti ynë. Neve na duhen pejorativat me prapashtesën sh.  Ke qenë të kërkosh nëpër Derven. Derveni vlon nga këta pejorativa. Është madje një fjalë shumë simpatike dervenase e që të shkon ty: PANTULLEPAJKSH. Veçmas tash kur ke “thirrje” të avancuar të pëtgjigjet shumë.

Të tjerët qeshin.

U pëlqen pejorativi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. hahaha
    super.
    ne dite si keto, kur rrenohet sistemi i drejtesise, parametrat e shtetit, kur tipa jotipa te diktojne ngjarjet e dites dhe pernjehere vjen njeriu ne situate qe te perdore fjalet me te ndryra per njerezit me pergjegjes te ketij gjoja sistemi qe 30 vjet sistem nuk u be, humori i tille eshte terapeutik.
    C’ka na ka mbetur tjeter pervec se me hajgare t’i marrim ata qe tekstualisht tallen me ne, e ne emrin tone qeverisin dhe pasurohen.
    Humori eshte pergjigjeja me adekuate, plus qe tajon ato hormonet qe na disponojne
    falemnderit Xhabir

Leave a Reply to tetovare Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button