Komuna e Tetovës dështoi të gjejë vend adekuat për veturat për fëmijë, sërish kërkon të ri

Komuna e Tetovës ndonëse vitin e kaluar e promovoi vendin e ri ku duhej të zhvendoseshin veturat për fëmijë që kanë uzurpuar qendrën e Tetovës, pas një viti e pranoi se vendi ku duhej të zhvendoseshin të njëjtat është i papërshtatshëm dhe se po punon të gjejë vend të ri, transmeton Portalb.mk.

Problemi i veturave për fëmijë që qarkullojnë në qendër të Tetovës dhe që njëkohësisht uzurpojnë hapësirën publike është një problem që Komuna vitin e kaluar tha se i ka gjetur zgjidhje. Në kuadër të fushatës “Një Tetovë e gjelbër fillon me TY” Komuna e Tetovës, më 14 prill të vitit 2018 promovoi hapësirën e re në afërsi të Qendrës Sportive në Tetovë ku këto vetura duhej të zhvendoseshin.

Megjithatë, të njëjtat vazhdojnë të jenë në qendër të Tetovës, dhe komuna këtë vit prapë thotë se po punon që të gjejë lokacion, ndonëse vitin e kaluar e asfaltoi një hapësirë të gjelbër për të njëjtin qëllim. 

Sipas pronarëve të veturave për fëmijë, vendi që Komuna ka asfaltuar nuk është i përshtatshëm. Ata thonë se atje nuk ka punë, andaj vazhdojnë të qëndrojnë në qendër. Ata kërkojnë që komuna të gjejë një vend të frekuentuar nga fëmijët, më afër qendrës së qytetit.

Nga Komuna e Tetovës thonë se inspektorati do të veprojë konform vendimit dhe do zhvendos veturat sapo të gjejë lokacion të ri.

“Komuna e Tetovës është duke shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një lokacioni të ri dhe më të përshtatshëm për veturat e fëmijëve si për pronarët ashtu edhe për vetë qytetarët. Pas gjetjes dhe rregullimit të hapësirës adekuate, inspektorati do të veprojë komfor vendimit dhe do të bëjë zhvendosjen e veturave në lokacioni e ri”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button