“Pallati me tre kate” (Pjesa II)

“Në kërkim të thesareve të arit”

Gjatë dekadave të fundit, në të gjitha trojet shqiptare dhe në shtetet fqinje në Ballkan, vërehet si fenomen i përhapur që shumë individë e grupe janë pushtuar nga ethet e thesareve të arit. Ata bredhin lart e poshtë duke kërkuar thesare ari dhe monedha floriri. Këta aventurierë të marrë dhe mendje-shterpë nuk kanë lënë vend pa gjurmuar dhe nuk kanë lënë pëllëmbë tokë pa rrëmuar nëpër male, fusha, qytete dhe fshatra. Për vite të tëra ata vazhdojnë kërkimet duke përdorur harta të vjetra e skica fallco, aparate përçuese e mjete të tjera për eksplorimin e metaleve të çmuara nën tokë dhe mbi tokë.

Sipas mendimit tim, këta individë dhe grupe gjahtarësh të thesareve i ngjajnë banorëve të katit të parë të pallatit të Oshos. Një ndër ta ishte dhe një mik i imi në Zvicër, ku punonte e fitonte para të majme me punë të ndershme. Në fund, miku im bleu aparatet dhe e la punën e rregullt për të kërkuar thesare ari e metalesh të tjera të çmuara në vendlindje. Kur e takova rastësisht duke punuar si taksist, e pyeta nëse kishte gjetur ndonjë thesar. Ai më tha me bindje: “Me siguri kur të dalë pranvera….”

Ky fenomen nuk është vetëm te shqiptarët. Më tregoi një fqinji im nga Serbia se këta diletantë, aventurierë e bastexhinj nuk kishin lënë vend pa gërmuar e rrëmuar nëpër tërë Sërbinë. Fqinji im serb duke qeshur më tha se sipas arkeologëve dhe gjeologëve dihet se aty ku kërkojnë gjahtarët e thesareve nuk ka as monedha floriri, as metale të çmuara. As në rezidencat e dikurshme të vezirëve e pashallarëve dhe as në kështjellat mbretërore nuk kanë asnjë shans për të gjetur gjë të çmuar. Këta aventurierë janë duke imagjinuar, duke ëndërruar me sy hapur se do të gjejnë thesare ari e qypa me florinj. Këta prototipa banorësh të katit të parë të pallatit të Oshos janë parazitë që jetojnë në kurriz të familjeve dhe fëmijve të tyre. Karakteri dhe sindroma e tyre dëshmon se ata veprojnë të komaduar nga forca të pavetëdijshme, irracionale dhe imagjinare.

Në Mesjetë, sipas metaforës së Oshos, banorët e katit të parë shkonin dhe bënin rituale tek një dushk, ku dërgonin ushqime dhe stoli. Këta banorë e kishin shndërruar dushkun në tempull dhe e adhuronin si Zot, si hyjni. Kur dushku kishte filluar të shëmbej, turma e adhuruesve kishte filluar të çmëndej duke menduar se me shëmbjen e dushkut do të fillonte apokalipsi, kataklizma, do të vinte fundi i botës. Këta banorë ishin ngujuar nëpër shpella e kasolle. Më në fund, një banor i katit të tretë e kishte qetësuar turmën e çoroditur. Ky njeri i mençur që vepronte me arësye, intelekt e intuitë mori sopatën dhe e preu dushkun. Këta banorë që kishin besuar në idhuj, tempuj e profetë të rremë u çliruan nga ankthi, fobia e frika.

XXX

Kur shkoja për pushime në qytetin tim shikoja që i vetmi relaksim e pushim për shumicën e qytetarëve ishin banjat termale, të cilat sipas mjekëve ishin shëruese për disa sëmundje. Në mëngjes shumica vinin për t’u relaksuar, për të thithur ajrin e pastër, për të pirë ujë mineral dhe për të larë gjymtyrët. Mirëpo uji termal shpesh e ndërronte burimin dhe shtratin e tij dhe përzihej me ujin e lumit. Sipas gojëdhanave, në biseda thuhej se po të ndërtohej një digë dhe disa vaska për të cilat njerëzit duhej të paguanin dhe po të shitej uji me para, atëherë uji do të shterronte dhe do të humbnin rrënjët e burimit mineral ose uji do të përzihej me lumin. Sipas gojëdhanës, thuhet se afër banjave termale ka qenë një han. Pronari i hanit kishte ndërtuar një digë dhe disa vaska. Në fund, ai kishte urdhëruar që të gjithë të sëmurët dhe ata që donin të pinin ujë mineral duhet të paguanin. Uji kishte humbur; asnjë pikë ujë mineral nuk dilte më nga burimi ekzistues; uji ishte përzier me lumin dhe në fund diga ishte shëmbur. Shëmbulli, sikur tek “Ura e shenjtë”.

Duke rrëfyer për mitologji dhe legjenda, edhe këta individë që i takoja çdo mëngjes tek banjat termale u ngjanin banorëve të katit të tretë të pallatit të Oshos.

XXX

Para dy mijë viteve në Greqinë e lashtë kishte ndodhur një fenomen i njëjtë me ujrat termale. Sipas banorëve, ishte uji i shenjtë, Zotrat dhe hyjnitë që kishin sjellë burimet e ujit për shërim. Por uji termal shpesh kishte humbur burimet dhe ishte përzierë me lumin, sikur te banjat e qytetit tim. Banorët, të dëshpëruar për humbjen e ujit, mendonin se kishin bërë mëkate dhe në fund Zotrat dhe hyjnitë ishin hidhëruar dhe i kishin përzierë burimet e ujit termal me lumin. Në fund, një dijetar, i cili ishte soj prototip i banorëve të katit të tretë të mistikut indian Osho, e kishte ndarë shtratin e lumit dhe i kishte mbledhur burimet e ujit termal në një digë dhe nëpër vaska.

“Kur Zoti kishte folur” [Kur foli Zarathusra]

Në një fshat të malësisë së Sharrit kishte ndodhur një katastrofë natyrore nga stuhia dhe shirat. Përreth përroit ishin shëmbur disa shtëpi dhe kishte pasur viktima. Si çdo herë kur ndodhte ndonjë fatkeqësi natyrore, shumë njerëz besimtarë thanë se ky ishte dënim nga Zoti. Por kësaj radhe edhe ish-ateistët që kishin kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin, thanë: “Po, ky është dënim nga Zoti, se jemi bërë laikë.” Ajo që ishte tragjikomike, edhe disa që e quanin veten gazetarë kishin përsëritur nëpër portale të njëjtën frazë – “dënim nga Zoti”, “jemi bërë laikë”.

Disa thonin se është fara e egër, disa të tjerë ia hidhnin fajin tokës duke thënë se është tokë e egër, sterile, tokë e nëmur. Ndonëse kemi shumë pak banorë të katit të tretë, më në fund nga turma doli një murg dhe e mori fjalën. Ai iu drejtua turmës duke folur me zë të lartë: “Mos e akuzoni Zotin. Çfarë mëkati kanë bërë këta fshatarë të varfër e të vuajtur? Pse t’i dënojë Zoti?”

Që kur Zoti e zbriti Adamin dhe Evën nga Parajsa (nga Kopështi i Edenit) në planetin Tokë, në fund Zoti kishte folur: “Unë ju dallova ju nga të gjithë krijesat tjera, ju zgjodha planetin më të bukur në tërë universin, ju dërgova profetë. Por unë nuk mund t’ju marr për dore, të udhëzoj secilin dhe t’i tregoj secilit rrugën. Ju vetë me vullnet mund të shkoni përtej së mirës ose përtej së keqes, mund të zgjidhni bekimin ose mallkimin. Këtë planet të bukur që jua dhurova, ju vetë mund ta shndërroni në parajsë ose mund ta shkatërroni e ta shndërroni në ferr.”

Autori: Merxhan Jakupi

Lexo këtu pjesën e parë: “Pallati me tre kate” (Pjesa I)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button