Gjuha shqipe në procedurën gjyqësore dhe përkthyesit gjyqësor!

Sipas ”Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, përkatësisht nenit 9 të tij, mes tjerash, në procedurën gjyqësore zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha qe e flasin së paku 20% e qytetarëve të vendit dhe alfabeti i saj, e që në Maqedoninë e Veriut, bëhet fjalë për gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj latin. Për arsye praktike dhe kombëtare në vijim të këtij shkrimi, ,,gjuhës që e flasin së paku 20%”, do t`i referohem si ,,gjuha shqipe”, sepse kështu duhet dhe do të jetë, herët apo vonë.

Më tej, sipas ligjit në fjalë, mes tjerash, procedura gjyqësore, mbahet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj latin, nëse gjykatësi, prokurori publik, pala ose pjesëmarrësi tjetër në procedurë është person që flet gjuhën shqipe. Të gjitha vendimet, shkrimet dhe aktet tjera që dalin nga procedura gjyqësore, miratohen dhe botohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj latin, nëse gjykatësi, prokurori publik, pala ose pjesëmarrësi tjetër në procedurë është person që flet gjuhën shqipe.

Konsideroj se ky ligj edhe pse se bën të barabartë, thelbësisht e avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në procedurën gjyqësore, dhe është ndër hapat e fundit deri te barazimi i plotë i gjuhës shqipe me maqedonishten, barazi që me gjasë do të ndodhë vetëm duke e ndryshuar nenin 7 të Kushtetutës së vendit, që keqinterpretohet restriktivisht nga maqedonasit, me çka gjuha shqipe do të barazohet plotësisht, pra nuk do të zbatohet vetëm në mënyrë fakultative siç përcaktohet me këtë ligj, por edhe do të emërtohet teksutalisht si e tillë, dhe jo me formulime juridike nënçmuese si ,,gjuha e 20%”

Por, ky ligj edhe si i këtillë, ka dhe do të ketë probleme në zbatimin praktik, jo vetëm për shkak të hezitimit të zyrtarëve maqedonas për zbatimin e tij(duke u thirrur në zbrazëtirat, kundërthëniet dhe kolezionet ligjore, sipas tyre), por edhe për shkak të nivelit të dobët akademik dhe profesional të përkthyesve-interpretuesve gjyqësor shqiptarë, që janë të punësuar në gjykatat e vendit.

Nga komunikimi i tyre jozytrar verbal dhe i shkruar, si dhe nga shkresat dhe vendimet e tyre zyrtare të përkthyera e interpretuara, do të konstatosh lehtë jo vetëm mungesën e kulturës së përgjithshme juridike që kanë, por edhe gabimet e shumta gjuhësore e gramatikore që i bëjnë, me të cilat nuk do duhej të kalonin shumë provime në fakultetet respektive filologjike. P.sh, ka të tillë në Gjykatat e vendit, edhe të Shkupit, që qoftë edhe jozytarisht në vend të ”çdo”, shkruajnë ”qdo” ose ”gjdo”, në vend të ”çanta” shkruajne ”qanta”, në vend të ”çifti” shkruajnë ”qifti”, etj. Gabimet e kësaj natyre janë ndoshta të padëmshme diku tjetër, por jo edhe në procedurat gjyqësore, në të cilat çdo germë, presje, fjalë e fjali, ka kuptim dhe rëndësi, sidomos në përkthimet dhe interpretimet simultane. Sepse, një gërmë, presje, fjalë e fjali, e keqpërkthyer ose keqinterpertuar, mund të humb kontekstin apo kuptimin e ndonjë ngjarje civile ose penale, apo të ndonjë vepre civile ose penale, duke rrezikuar kështu vërtetimin e drejtë të gjendjes faktike, e me të edhe sjelljen e vendimeve gjyqësore të drejta dhe ligjore, dhe krejt kjo në dëm të ndonjërës nga palët dhe drejtësisë.

Prandaj, gjykatat dhe Këshilli Gjyqësor, me ndihmën logjistike të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë për Sistem politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive (në të njëjtën kohë, këto të dyja pa ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit) për t`i evituar problemet e lartpërmendura, duhet të punojnë me vizion, duke nënshkruar ,,Memorandume Bashkëpunimi” me fakultetet filologjike të vendit, në mënyrë, që të rekrutohen si përkthyes-interpretues vetëm studentet më të mirë, të cilët do t`i shërbejnë më së miri këtij ligji (tani, por edhe në të ardhmen kur do të ndodhë barazimi i plotë gjuhësor), procedurës, si dhe shqiptarëve ne veçanti, duke iu nënshtruar paraprakisht procedurave ligjore për rekrutim dhe kurseve përkatëse përgatitore, para se të fillojnë me punë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button