Tetovë, dy familje të kacafytura për objektet, Komuna, inspektorati dhe sistemi gjyqësor kanë dështuar

Familja Shaipi nga Tetova ankohet se një ndërtesë e ndërtuar nga personi Xhelal Sherifi, që ka shkelur parimet ligjore, ua ka zënë derën e shtëpisë. Nga ana tjetër, Xhelal Sherifi refuzon akuzat duke thënë se dera e tyre nuk ka qenë në atë vend kur është ndërtuar objekti, transmeton Portalb.mk.

Shtëpia e familjes Shaipi është ndërtuar në vitin 1982, ndërkaq leja për ndërtimin e objektit para tyre që ata thonë se ua ka zënë derën është lëshuar në vitin 2010 dhe është nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i
Tetovës, Sadi Bexheti. Çështja është dhënë në gjyq nga familja Shaipi, ku është sjellë vendim që ndërtimet të ndërpriten për dy vite. Por megjithatë, pas dy viteve, në vitin 2012, ka filluar ndërtimi i objektit.

Leja e ndërtimit e objektit të familjes Sherifi

“Pas vendimit pozitiv të Gjykatës Themelore së Tetovës për “pengesë” ndaj nesh, pala tjetër u ankua në Gjykatën e Apelit në Gostivar, ata e kthyen vendimin, dhe thanë se nuk është pengesë por “shqetësim”. Për mua si qytetar i thjeshtë, nuk e di unë në fjalorin juridik çfarë dallimi mund të ketë mes këtyre dy termeve”, u shpreh Xhelal Shaipi.

Pas zgjedhjeve lokale në vitin 2013, ku kryetare komune u zgjodh Teuta Arifi, familja Shaipi thotë se e njëjta ju ka premtuar se do ta prishë ndërtesën. Por deri më tani, komuna e toleron këtë problem, duke mos ndërmarrë asgjë.

“Sot ende kemi premtim prej kryetares se do të bëhet diçka por ende asgjë. Mandej ne u ankuam në Gjyqin Administrativ të Shkallës së Parë, dhe gjyqi solli vendim që të merret leja. Ata sërish u ankuan në Shkallën e dytë të Gjyqit Administrativ, ku gjyqi e hodhi vendimin e parë dhe tha se leja është në rregull”, u shpreh Xhelal Shaipi.

Nga ana tjetër, Xhelal Sherifi insiston që gjithçka është e ndërtuar me leje dhe dokumente, dhe se disa herë edhe nga gjykatat është konstatuar e njëjta. Ai madje thotë se u ka liruar derën e tanishme familjes Shaipi, ndonëse është në vendin e tij. Ai insiston që kur është ndërtuar objekti, hyrja e tyre ka qenë nga dyqani afër që është në pronësi të familjes Shaipi.

Hyrja e dyqanit dhe shtëpisë së familjes Shaipi

“Gjithçka është ndërtuar me lejet e duhura. Mundohemi që sa vite nëpër gjyqe, jemi lodhur. Gjithmonë konstatohet se gjithçka është në rregull. Sa vite në gjyqe dhe ja shihet që objekti qëndron sepse vendimet gjithmonë ju ka rënë poshtë”, thotë Xhelal Sherifi.

Familja Shaipi refuzon të ketë ndërruar hyrjen e shtëpisë dhe thonë që kjo më poshtë ka qenë hyrja e tyre para ndërtimit të objektit.

Hyrja e shtëpisë së familjes Shaipi para ndërtimit të objektit

Në vitin 2016 kryetarja e komunës Teuta Arifi ka kërkuar prej inspektoratit urbanistik të bëhet një revizion intern.

Shkeljet gjatë ndërtimit të kësaj ndërtesë janë konstatuar nga Seksioni për revizion të brendshëm i Komunës së Tetovës në dhjetor të vitit 2016. Sipas tyre, shkeljet gjatë ndërtimit të këtij objekti janë:

  • Leja e ndërtimit si akt final administrative është nënshkruar vetëm nga Kryetari i Komunës dhe nëpunësit që ka udhëhequr procedurën administrative por nuk është nënshkruar edhe nga ana e Udhëheqësit të Sektorit për Urbanizëm, si një segment mjaft i rëndësishëm në kontrollin intern.
  • Me këtë vihet në rrezik e tërë procedura, pasi mungon miratimi i udhëheqësit të sektorit përgjegjës i të gjitha procedurave dhe akteve që miraton sektori, gjegjësisht mungon nënshkrimi i personit përgjegjës për këtë procedurë, me çka vihet në dyshim edhe ligjshmëria e procesit në dhënien e lejes së ndërtimit.
  • Para se të miratohet Leja e ndërtimit, janë paraparë edhe dy vende për parkim të automjeteve në kuadër të parcelës kadastrale si kush për dhënien e Lejes, të cilat duhet të sigurohen nga investitori. Nga kontrolli në terren ku është ndërtuar objekti u konstatua se nuk janë siguruar vendet e parkimit, gjë që është në kundërshtim me Lejen e ndërtimit dhe projektin e miratuar për ndërtim të objektit.
  • Është konstatuar se objekti nuk është në pajtim me parametrat e Ligjit për ndërtim pasi që një pjesë e objektit në sipërfaqe 15m2 është ndërtuar në parcelën kadastrale të fqiut.
  • U konstatua se nga ana e investitorit nuk kanë qenë të njoftuar me shkrim për fillim të ndërtimit të objektit organi kompetent nga neni 58 i Ligjit për ndërtim.
Dokument, revizion të brendshëm i realizuar nga Komuna e Tetovës

Këto shkelje iu dorëzuan Gjykatës së Lartë Administrative në Shkup. E njëjta ka dërguar shkresë në Komunën e Tetovës, se marrja e lejes dhe parregullsitë tjera, janë të gjitha në kompetenca të komunës, dhe ajo duhet të reagojë.

Njëkohësisht, në këtë vit një tjetër ankesë ka bërë familja Shaipi, por siç thotë Xhelali, përmbaruesi nuk ka dashur të merr lëndën shkaku i trysnive nga aktorë të panjohur.

“Sërish u ankuam te Gjykata themelore e Tetovës në vitin 2016 dhe ajo solli  vendim të prishen muret, të sigurohet hyrja. Por për shkak të intervenimeve të shumta vendimi nuk u realizua dhe përmbaruesi hoqi dorë nga lënda. Gabimi jonë është që e tërhoqëm vet lëndën nga përmbaruesi për ta dërguar te tjetri, por ama me këtë veprim kemi bërë që të mos vlejë vendimi i gjykatës. Është dashur që vetë përmbaruesi ta bartë lëndën dhe jo ne”, thotë Xhelal Shaipi.

Vendimi i gjykatës për lirim të hyrjes së shtëpisë

Familja Shaipi thotë se është ankuar tre herë te Inspektorati Republikan për ndërtimtari në Shkup, por se nga atje u thonë se të gjitha kompetencat i mban Komuna e Tetovës.

Redaksia e Portalb ka komunikuar me Inspektoratin. Ata e konfirmojnë që një lëndë e tillë figuron te ky inspektorat dhe i është dhënë përgjigje. Megjithatë inspektori kompetent është në pushim dhe nuk mund të na japë më shumë detaje.

Nga ana tjetër, Xhelal Sherifi hedh poshtë të gjitha akuzat, madje thotë se gjatë ndërtimit të objektit është tërhequr dhe ka lënë hapësirë për trotuar.

Të gjitha kompetencat për objektet i mban Komuna e Tetovës. Duhet patjetër vendim nga kryetarja e komunës, që të mund të kryhet ndonjë veprim.

Por Komuna e Tetovës ende nuk na ka kthyer përgjigje në kërkesën e Portalb.mk për të sqaruar PSE dhe KU ka ngec ky proces.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button