Personalitete që i mungojnë sot politikës shqiptare

Raportet ndërmjet Ahmet Zogut dhe Faik Konicës kanë mbetur ndër më të çuditshmet në historinë politike të Shqipërisë. Sipas Ilir Ikonomit (autorit të veprës Faik Konica – jeta në Uashington) ato qenë të ngatërruara, herë plot urrejtje së brendshmi e hërë plot skena simpatie së jashtmi…

Por, studiuesit me tefterë kadilerësh nën sqetull, për shkak të marrëdhënieve të mira me Zogun pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, e akuzojnë Konicën si të ishte tradhëtar i atdheut pavarësisht të dhënës se Ai shkriu jetën për çështjen kombëtare.

Për çudi, Konica sikur e parandjeu se kjo akuzë do të zë vend në mesin  e atyre që do t’i rëndonin përjetësisht mbi supe e mbi varr, ndaj edhe kësaj ia dha një copë përgjigje, në shkrimin e titulluar “Pikat mi i-të” (gazeta DIELLI, 19 maj 2005), e cila, në mos na pëlqeftë, duhet ta pranojmë se është boll e logjikshme, veçmas pas kurajos për t’i parë gjërat me syrin e kohës së ngjarjes.

Pasi flet për tri fazat e dramës politike shqiptare: 1. forcimin e pushtetit të Zogut; 2. revolucionin e qershorit dhe ardhjen e Nolit në pushtet me ndihmën e italianëve dhe 3. kthimin e sërishëm të Zogut në krye të shtetit shqiptar me ndihmën e serbëve, Konica racionalist tërheq vërejtjen se përleshja brendashiptare, që mund të ndizej nga revolucionarët e Nolit, hapte mundësinë e fshirjes së Shqipërisë nga harta gjeografike. Unë kam frikë, thotë Ai, se në plastë përsëri një kryengritje e organizuar nga jashtë, pema do të jetë të ç’dukurit e Shqipërisë si Shtet më vete. Do të thoni: Edhe sot Shqipëria nuk është më një shtet i lirë, nuk është veç se një provincë sërbe. Pas punës, vërtet; po jo pas kanunit internacional, i cili njeh një Shtet dhe një Flamur të Shqipërisë… Kurse një kryengritje munt të prishë ndodhjen zyrtare të Shqipërisë në Kanunin Internacional dhe indipendenca teorike e saj mund të humbasë para se të bëhen në politikën e përgjithëshme t’Evropës ndryshimet e favorshme që ndoshta do t’a forcojin independencën…

Në paragrafin në vazhdim Konica angazhohet për një zgjidhje fatlume të problemit dhe propozon “amnisti” ose falje të përgjitshme për të dy palët: Dua të them këtë: nuk arrin që Ahmet Zogu të falë kundërshtarët e tij; duhet edhe kundështarët të falin Ahmet Zogun, në të tjera fjalë, të heqin dorë nga çdo mendim gjakmarjeje kundër personës ose regjimit të tij… E di se është shumë zor. Ahmet Zogu e tepëroj aqë shumë, bëri aqë gabime të rënda, ka hapur aqë plagë, sa shumë zëmëra nuk do të gjejnë forcën e duhur që të mbyllin sytë dhe të harrojnë. Po në dëshërojmë që nesër të kemi një Shqipëri të lulëzuar, duhe të kemi trimërinë të durojmë dhe të falim…

Kjo qe përgjigja e Konicës lidhur me çështjen e mospërkrahjes së Nolit dhe animit të tij kah politika e Ahmet Zogut. Ky qe qëndrimi i intelektalit erudit që i njihte mirë rrjedhat e politikës ndërkombëtare dhe që pati rezerva lidhur me konceptet shtetbërëse të grupit të Nolit. Ai, thjesht: nuk e pranonte ardhjen në pushtet nëpërmjet udhëve violente dhe kjo ishte pika që, për disa vite, mbajti larg njëri-tjetrit dy shqiptarët më eruditë të kohës.

“Mëkatin” në fjalë të Konicës e dënon ashpër dhe Kadareja, i cili, në veprën “Migjeni ose uragani i ndërprerë”, nuk e ka të qartë si qe e mundur të emërohet ambasador nga një mbret të cilin e shante dhe poshtërronte si askush tjetër, përkundër faktit se Zogu e quante me respekt profesor. Për Zogun Konica shpiku epitetet më fyese, duke e quajtur: çkatërronjës, kryefajtor, Zogolloviç, Salembozë, Napoleon gjirizesh, shpresë skllavi, kamataxhi serb të tebdilosur në shqiptar, malok analfabet që qëndron në krye të klikës së hajdutëve…

Duket e pabesueshme, por nga kjo akuzë Konicën e lau vetë Noli në vitin 1942: Disa, midis të tjerëve edhe unë vetë, theksoi Ai, e kritikuam Faikun atëherë që pranoj të përfaqësonte Zogun, kundër të cilit nuk kishte lënë gjë pa thënë…

Pra, siç mund të kuptohet, Noli ishte penduar për kritikat që ia bëri Konicës për çështjen e ambasadorllëkut, ndaj, shumë vite më pas, e pranoi se Konica mund të ketë pasur të drejtë. Ai ishte koshient për të dhënën se në situatat në të cilat u gjend Shqipëria, kishte shumë nevojë për njerëz emblematikë si Konica, i cili kudo që ndodhej dhe çkado që bënte ishte reklama më e bukur për Shqipërinë e harruar nga bota. Jo rastësisht, Noli përmend rastin e vitit 1931, kur në Konferencën e Londrës, editori i gazetës TIMES, i tha Konicës: Shko ku të duash në Londër, dhe fol sa të mundesh për çfarëdo çështje që të teket, edhe vetëm kur të shkosh, thuaj që je Shqiptar. Me këtë mënyrë do të bësh rekllamën më të mirë për Shqipërinë. Dhe kjo, pohon Noli, ishte shumë e vërtetë, sepse: Faik Konica ishte pjesëtari më i dashur dhe më popullor i trupit diplomatik në Vashington…

Sa keq që sot i mungojnë politikës shqiptare personalitete si Noli e Konica!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button