Me çfarë mendje?

Sot në mediumet italiane u publikua video material që involvon personazhet kryesore të aferës “Shantazhi”. Video materiali ka tri pjesë. Në pjesën e parë shihet numërimi i parave që thuhet se janë 1.5 milionë euro që Orce Kamçev i ka paguar për lirimin e tij nga paraburgimi. Në pjesën e dytë të videos shihet qartë Bojan Jovanovski dhe Zoran Kiçeec duke dalë me çantë të madhe në dorë nga shtëpia e Kamçevit, të përcjellë nga ai. Në pjesën e tretë të videos shihen Boki dhe Zoki duke u larguar nga shtëpia e Kamçevit drejt veturës. Dhe në fund të videos është audio materiali në të cilin dëgjohet zëri i Bokit, Kamçevit dhe avokates së tij ku Boki qartazi shprehet se i paraburgosuri do të lirohet nga paraburgimi “të hënën, më së voni të martën” duke i siguruar që prokurorja speciale Katica Janeva nuk do të përdorë ankesë dhe nuk do e kundërshtojë lirimin nga paraburgimi. Ky video material është një film i vërtetë, i organizuar i përkthyer dhe i dubluar në hapa të parapërcaktuara në mënyrë precize. Video materiali duhet të vlerësohet nga ekspertët e dëshmive elektronike dhe si i tillë të paraqitet para gjykatës. Por pavarësisht se çfarë mund të thuhet për video materialin, ajo që ka rëndësi është se PSP vërtetë ngriti procedurë penale për rastin “Perandoria” ku i dyshuar kryesor është Orce Kamçev dhe kërkoi vendosjen e tij në paraburgim. Këtë të gjithë e pamë. Po ashtu të gjithë jemi dëshmitarë që vetë prokurorja speciale u dakordua me lirimin nga paraburgimi i Kamçevit, ndërsa në ndërkohë, kishte edhe një farë vërshimi brenda ndërtesës së PSP ku një pjesë e dokumentacionit lidhur me këtë rast u shkatërrua. Edhe këtë e pamë. Ajo që është më e rëndësishme, pas publikimit të aferës “Shantazhi”, prokurorja speciale nuk doli me asnjë sqarim esencial dhe logjik për akuzat e rënda të cilat i drejtohen. Ajo thjesht tha që emri i saj është keqpërdorur nga Boki 13 dhe se nuk ka qenë fare e involvuar në shantazhin që i është bërë Kamçevit. Ajo nuk dha detaje për t’u mbrojtur nga asnjë akuzë dhe as nuk dha një të vërtetë tjetër, një hipotezë, një skenar rasti që do të ndryshonte nga ky që tani e kemi. Pikërisht kjo mungesë sqarimi nga prokurorja speciale i bën këto video materiale të duken si film nga i cili tani për tani thithen të vetmet informata lidhur me këtë rast skandaloz.

Ta zëmë që video materiali i publikuar është tërësisht i vërtetë dhe është ndoshta edhe pjesë e ndonjë filmimi më të gjatë dhe ende më komprometues. Pyetja ime është se me çfarë mendje këta persona që dyshohen të jenë involvuar në këtë rast e kanë bërë gjithë këtë ndërmarrje kaq të rrezikshme? Me çfarë mendje prokurorja speciale ka vendosur ta lidhë veprimtarinë e vetë me një person kaq të dyshimtë si Boki 13? Me çfarë mendje dhe kush ka vendosur të shantazhojë Kamçevin dhe me çfarë arrogance mendjelehtë bile ka vendosur t’i shkojë njeriut në shtëpi dhe që aty të dalë me çantë që ndoshta i ka brenda pikërisht ato 1.5 milionë euro për të cilat Prokuroria për krim të organizuar ngriti hetim dhe i vendosi në paraburgim pikërisht këtë Bokin dhe Zokin? Po me çfarë mendje ore shkon shantazhuesi në mes të shtëpisë së të shantazhuarit dhe del që aty në mes të ditës me çantë në dorë kur e di mirë se një shtëpi e tillë është në video survejim 24 orë?

Aspak nuk e kuptoj logjikën në sjelljen e tillë. Duke ditur që PSP është në qendër të vëmendjes, duke ditur pozitën delikate të secilit rast që udhëhiqet nga kjo prokurori, duke ditur rëndësinë e vendosjes së drejtësisë për të gjitha ato krime të cilat iu dëgjuan tek “bombat” me cilën mendje prokurorja speciale vendos lidhshmëri me një person obskur si ky Boki dhe për më tepër lëshohet në kalkulime të mundshme lidhur me paraburgimin e personave të cilët kur të jenë viktima të shantazhit, kanë mjete të mjaftueshme dhe mënyra për të dëshmuar se janë shantazhuar? Me cilën mendje prokurorja speciale ka lejuar të bëhet pjesë e këtij skandali dhe për më tepër nuk e sheh të arsyeshme të dalë me një sqarim logjik dhe të kuptueshëm?

Dhe e fundit fare, video materialet qarkullojnë në internet, ndërsa Prokuroria për krim të organizuar ende nuk e ka ndarë mendjen nëse Janeva është nën hetime apo jo, pavarësisht skandalit që u bë lidhur me telefonat e saj, fshirjen dhe formatimin e tyre, veprimet e çudishme brenda PSP… Jeta vazhdon, e me të edhe pushimet e prokuroreve. Ndoshta pasi të kthehen nga pushimet do të kenë mjaftueshëm energji për t’u marrë me punët e vërteta dhe për të dhënë një herë e mirë përgjigjen për atë se çfarë dreqin është duke ndodhur me këtë shtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button