Tetovë: Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, gjallëron qytetin 7 ditë rend

Teatri i Tetovës serish hap dyert për dashamirët e artit. Për herë të parë Teatri një javë rresht do të gjallërojë në frymën e artit në këtë qytet. Disa nga shfaqjet më të njohura në vend nga autorë të mirënjohur të vendit dhe të huaj do të shfaqen në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës i cili fillon të dielën më 28 Tetor dhe do të zgjasë deri më 3 nëntor.

Festivali do të hapet me shfaqen e famshme të Dino Mustafiç “Opera e Lypsarëve” , duke vazhduar më pas me dramat:  “Shtëpia në ankand” , “Sikur kjo të ishte shfaqje” , “Syni i lig” , “Harroje dashurinë” , “Duke e pritur Godonë” dhe “Karriget” . Ora e fillimit për të gjitha do të jetë 19.00.

Është kjo hera e parë që në Tetovë organizohet një Festival i tillë duke u mbështetur plotësisht në mënyrë institucionale nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë. 

“Dashamirët e artit do të kenë mundësinë të shohin gjatë një jave shfaqje të profileve të ndryshme dhe atë: komedi, dramë, shfaqje kamertale e tjerë” thotë drejtori i Teatrit, Valmir Aziri për Portalb.

Ai madje na zbuloi planet e tij për ardhmërinë e Festivalit duke theksuar se ka në plan këtë Festival nga viti i ardhshëm ta shndërrojë në tradicional dhe ta pagëzojë atë si Festival Nacional Ndërkombëtar. 

“Nga viti i ardhshëm do të kemi Festival Nacional Ndërkombëtar dhe kjo do të thotë se të gjitha shfaqjet që do të shfaqjen në festivalin e ardhshëm do të jenë nga autorë të vendeve të ndryshme. Kjo do ti animojë  në masë të madhe banorët e Tetovës por dhe studentët nga jashtë të vizitojnë Teatrin” thotë Aziri. 

Teatri i Tetovës ju mirëpret për të qenë pjesë e këtij evenimenti që së bashku ti kthehet Tetovës epiteti i harruar i një qyteti me traditë kulturore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button