Gjykata Penale vendosi të mos e ekstradojë Tomor Morinën, por nuk e liroi nga paraburgimi

Këshilli Penal në Gjykatën Penale në Shkup ka miratuar vendim se nuk janë plotësuar kushtet për ekstradim të ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, njofton Portalb.mk.

“Këshilli Penal në Gjykatën Penale Shkup, duke vepruar ndaj kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së RMV-së, dhe pas shqyrtimit të tërë dokumentacionit në kërkesë, por edhe duke e vlerësuar praktikën gjyqësore dhe të drejtën ndërkombëtare, ka miratuar vendim se nuk janë plotësuar kushtet për ekstradim të personit T.M. (Tomor Morina, shkrim i redaksisë)”, kumtojnë nga Gjykata Penale.

Vendimi bashkë me lëndën, në pajtueshmëri me nenin 65 paragrafi 5 i Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar në materien penale, menjëherë do të dorëzohen në Gjykatën Supreme për vendim të mëtutjeshëm.

“Njëkohësisht, masa e paraburgimit, e shqiptuar pas propozimit të Prokurorisë më 25.07.2019, do të mbetet, derisa vendimi të jetë i plotfuqishëm, gjegjësisht për lëndën të vendos Gjykata Supreme”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale.

Përndryshe, Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup, paraprakisht e ka refuzuar kërkesën për lirimin e Morinës, ka bërë të ditur avokati Naser Raufi. Sipas tij, Gjykata ka refuzuar vendimin me arsyetimin se “bëhet fjalë për shtetas të huaj, i cili në rast të lirimit mund të arratiset”. Nga ana tjetër, ditë më parë kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se, në rastin e Morinës do të respektohet Ligji.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomorr Morina është arrestuar në pikën kufitare Bllacë, sipas një fletëarresti nga Interpoli i Serbisë, nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë. Hetimin ndaj Morinës po e udhëheq Prokuroria serbe për Krime Lufte.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button