RMV, inspektorët i kanë mbyllur dy tualete shkollore dhe dy salla për shkak të higjienës së dobët

Nga 308 shkolla dhe 114 kopshte për fëmijë që janë kontrolluar nga Inspektorati shtetëror shëndetësor sanitar (ISHSHS), mangësi të ndryshme në lidhje me higjienën e tualeteve dhe hapësirave tjera janë identifikuar madje në 156 prej tyre, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk kërkoi nga ISHSHS informacion për higjienën në shkolla dhe kopshte, dhe sipas përgjigjes që morëm, mangësitë janë kryesisht nga aspekti sanitar-higjienik dhe sanitar-teknik. Dezinfektimi parandalues ​​nëpër shkolla nuk bëhet, inventari është i shkatërruar, dyshemetë janë të  dëmtuara, muret nuk janë zbardhura me gëlqere, ndërsa nuk bëhet as deratizimi (asgjësimi i minjve).

“ISHSHS kreu kontrolle të rregullta inspektimi në 308 shkolla (fillore dhe të mesme) dhe 114 kopshte për fëmijë. Janë lëshuar 156 vendime për të mënjanim të mangësive të identifikuara, nga të cilat 136 janë shkolla dhe 20 kopshte. Si mangësi është konstatuar që nuk realizohen kontrollet e rregullta shëndetësore dhe higjienike të personelit mësimdhënës dhe personelit për ndihmë teknike, siç kërkohet nga Ligji për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive. Për sa i përket higjienës, objektet aktualisht janë duke u mirëmbajtur, ndërsa në ambientet sanitare ka sapun të lëngshëm”, ka informuar inspektorati shëndetësor.

Inspektorët për shkak të kushteve të dobëta sanitare-higjienike kanë lëshuar ndalime në katër shkolla – për një palestër sporti, një palestër të edukatës fizike, si dhe instalime të kanalizimit në dy tualete.

“Në 106 objekte (85 shkolla dhe 21 kopshte) janë konstatuar përmirësime krahasuar me vitin e kaluar. Në 10 shkolla situata është më e keqe se një vit më parë. Kopshtet e fëmijëve janë vazhdimisht në gjendje më të mirë si në aspektin e higjienës, ashtu edhe të kushteve sanitare-teknike të objekteve. Për të gjitha mangësitë e konstatuara janë lëshuar vendime që mangësitë të mënjanohen, e në gusht dhe shtator sërish do të bëhet kontroll”, thonë nga ISHSHS.

Përkundër konstatimeve të inspektorëve sanitar që ka sapun të lëngshëm në tualetet e shkollave, Instituti i shëndetit publik dhe “Gazetarët për të drejtat e njeriut” para pak kohësh publikuan studim i cili tregoi se në territorin e Shkupit, Veles dhe Kumanovës, asnjë shkollë nuk ka produkte adekuate për higjiene, si sapuni, letra higjienike dhe uji, dhe që s’ka vende të përshtatshme për hedhjen e mbeturinave. Hulumtimi u përqendrua në higjienën e menstruacioneve në shkolla dhe vendin e punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button