Mbi varfërinë mendore dhe mungesën e idealit

Kush është Branko Merxhani, i cili, me gjasë, emrin e kishte Aleksandër? Përse është aq e errët biografia e këtij mendimtari erudit, i cili nuk fliste për diplomat e tij universitare; që bënte jetë asketi; që kur erdhi në Shqipëri nuk e njihte mirë as gjuhën shqipe; që e kalonte ditën në kafene “Kurtsal” të Tiranës, duke lexuar, përkthyer, shkruar e redaktuar tekste për revistën e tij “Përpjekja shqiptare”? Në fakt, a është e errët biografia e tij apo është e pastudiuar? Përse edhe sot duket sikur ka rënë prej qielli, sikur erdhi nga asgjëja për ta shpalosur një ideologji specifike siç është “Neo-shqiptarisma”?

Deri sot ende nuk është shfaqur biografi i vërtetë i këtij utopisti misterioz. Biografi i ardhshëm do të ketë shumë telashe që t’i nxjerrë në dritë të dhënat e reja për të. Do t’i duhet të gjurmojë pas shkrimeve të Merxhanit në gjuhën turke. Do t’i duhet t’ia mësojë pseudonimet.

Genc Koço, djali i Vangjel Koçës, ka rrëfyer se i ati i kishte thënë se babai i Branko Merxhanit ishte nga Maqedonia. Sipas Petro Markos i ati i Brankos ishte nga Sopiku i Pogonit.

Kur mbreti Zog përpiqej që ta krijonte një elite mendore, e cila do ta emanciponte kulturalisht shoqërinë shqiptare, publicisti Nebil Çika i sugjeroi dy emra: Vangjel Koçën dhe Branko Merxhani. Dy mendje analitike, erudite, që bashkërisht kishin botuar një numër të revistës “Neo-shqiptarizma”…

Branko Merxhani njihet për shkrimin e tij në vitet 30 – të me titullin “Pse nuk jam marksist”. I quante komunistët “vagabondë të historisë”. Dha njërin ndër përkufizimet më mbresëlënës për kulturën. Qe njohës i raporteve ndërmjet oksidentit dhe orientit. Botoi njërën nga revistat më të mira, siç është “Përpjekja shqiptare”. Dhe pasi i piketoi problemet e shoqërisë shqiptare nëpërmjet fenerit të sociologjisë, iku nga Shqipëria pas pushtimit italian. U mbyll në guacën e vetmisë. Vdiq në Turqi. Atje ka shkruar për disa gazeta dhe revista (Tan, Huriet, Yeni Gazete, Gunaydin), por lexuesi shqiptar pothuajse nuk di gjë për këto shkrime. Dihet se përdori pseudonimet: Ali Pazar dhe Bana Ozler. Mbase edhe ndonjë tjetër. Madje ka një libër për shqiptarët në gjuhën turke me pseudonimin e dytë, por nuk e dimë nëse është ai.

Nga shkrimet që kemi lexuar deri tani vetëm një gjë mund ta themi me shumë siguri: ai është njëri nga mendjet më të ndritura të botës  mendore shqiptare dhe kjo lëvdatë nuk thuhet për të si për çdokënd tjetër. Ai nuk është si shumëkush tjetër. Është i veçantë dhe i papërsëritshëm dhe ndër më të panjohurit në mesin e më të njohurve në botën shqiptare. I panjohur si qytetar dhe i njohur si mendimtar.

Ky adhurues i Dekartit dhe i kryefjalës së tij: “Mendoj, pra ekzistoj”; ky adhurues i vargut të Lukrecit: “Mendja e tund lëndën!”; punonte me metodë, durim, sistem dhe idealizëm për një shtet modern shqiptar, i cili nuk do të merrej me andrallat e së kaluarës. Kombin dhe shtetin modern shqiptar, sipas tij, duhej ta formësonin njerëzit e dijes, të cilëve, fatkeqësisht, si atëherë edhe tani u mungon ideali.

Në kohën e një varfërie mendore e ideologjike, atëherë kur Shqipëria, ajo e vitit 1934, siç thotë, nuk i kishte 10 mijë lexues, ai besonte se nëpërmjet kulturës mund të bëhej një shtet modern, i cili do të ishte konkurrues në botën e qytetëruar evropiane.

Nisej nga një thënie e Niçes: “Ta organizojmë kaosin” brenda nesh që të mund të rendim përpara.

Besonte Merxhani se revistat mund të luanin rol të madh, mbase vendimtar, për emancipimin kulturor, politik, shtetëror të shqiptarëve. Dhe sipas tij kishte dy lloj revistash: “revista që shkon“, pra magazinat që botonin gjithçka dhe “revista që na duhen“. Teksa revistat e para nuk kanë ideologji, të dytat janë revista që mbrojnë një ide dhe një kuptim. Revistat që na duhen duhej që të ishin organe të grupimeve (apo “pareje”, siç e quan ai), që grumbullohen rreth një ideologjie dhe përpiqen me sistem e trimëri për zotërimin e saj. Një revistë të këtillë mund ta bënin njerëz që kishin dije dhe jo njerëz që kishin diploma. Për Merxhanin nuk kishin vlerë diplomat e titujt, që për të ishin vetëm një salltanet evropian. Diplomat e titujt të mundësonin vetëm një pozitë dhe rrogë më të majme, për sa kohë rrogëtarët me diploma kishin mungesë ideali. Ose prireshin vetëm nga dobitë e çastit, dobitë personale.

“I vetmi ideal ynë është të vëmë në dorë titull, rroga e ceremonia gëzimi, të të mirave materiale, të shkuarit mirë. Ky është ideali ynë sot: të mbushim barkun, të bërbëlitim, të dalim në diell – i vetmi kuptim ynë i sotmë!“

Sot e kemi të njëjtën gjendje. Kemi media “që shkojnë“, të cilat merren me buçimën e ditës dhe kënaqin turmën, por jo edhe media “që na duhen“, të cilat ofrojnë formula se si të dalim nga gropa ku gjendemi. Prioritete janë bërë ceremonirat e gëzimit, si ta mbushin barkun, si të bërbëlitin…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button