Ministri Dimkovski: Qëllimi i ndryshimeve është rritja dhe zhvillimi i bujqësisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut në një konferencë për media ka prezantuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tokë bujqësore, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Trajan Dimkovski tha se qëllimi i ndryshimeve është rritja dhe zhvillimi i sektorit vendas të bujqësisë, duke theksuar se ndryshimet veçse janë miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut gjatë javës së kaluar. Ai sqaroi se me ndryshimet mundësohet ndërtimi i objekteve për promovimin e produkteve bujqësore dhe objekteve për aktivitete sportive.

“Kjo reformë në mënyrë të drejtpërdrejt do të ndikojë në rritjen e investimeve në turizmin rural, kryesisht nëpërmjet shfrytëzimit të mjeteve nga programi IPARD. Kjo nënkupton se veçse në shpalljet e ardhshme për marrje me qira të tokës bujqësore, të gjithë ata që dëshirojnë të hapin objekte gastronomike dhe restorante për promovim, do të mund të konkurojnë për të marrë tokën me qira”, tha Dimkovski.

Ai tha se me ndryshimet e fundit, edhe bletarëve u jepet mundësi që të marrin me qira tokë shtetërore bujqësore. Dimkovski tha se janë paraparë lehtësime edhe për bujqit e rinj.

“Personat deri në 40 vjeç që do të fitojnë tokë shtetërore bujqësore, do të lirohen nga pagesa e qirasë në tre vitet e para nga nënshkrimi i marrëveshjes për qira. Me këtë, të rinjtë në shtet nxiten që të merren me bujqësi, krijojmë kushte të volitshme për inkuadrim më të madh të të rinjve në bujqësi dhe mundësi për fillim të biznesit vetanak në sektorin e bujqësisë”, tha Dimkovski.

Ministri Dimkovski sqaroi se edhe bujqit që më herët kanë fituar tokë deri në tre hektarë do të kenë mundësi që të marrin pjesë në shpalljet e ardhshme dhe të zgjerojnë tokën bujqësore deri në 10 hektarë.

Ai tha se këto ndryshime janë bërë në interes të bujqve ndërsa u zotua se si ministri do të vazhdojnë me krijimin e politikave të këtilla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button