PROFESORESHA

Ajo qëndronte nën rrap në parkun pranë rrugës e cila e ndante parkun pranë lumit me stacionin e autobusëve. E priste të shoqin i cili po kthehej nga një udhëtim zyrtar. Ishte e bukur, nja dyzet dyzet e pesë vjeçare. Kaçurrelat e e dendur i binin në bluzën e bukur ngjyrë trëndafili. Republika prej kashte me strehë të gjerë i qëndronte bukur dhe nuk e di pse e mbante mbi kokë derisa ishte nën hijen e rrapit. E lodhur nga qëndrimi në këmbë, nisi të bëjë ndonjë hap para – prapa, por gjithmonë duke u kujdesur të mos dalë nga hija të cilën e bënte dega e madhe e rrapit. Aty u afruan disa bura që flisnin me zë të lartë e dukej se synonin hijen. Veç kësaj dielli që ngjitej ngadalë kah perëndimi po e shtynte hijen dhe ajo mund të mbetej në vapën e padurueshme. E mati mirë pozitë ku duhej të qëndronte. Pastaj u ndal dhe e ngriti pak strehën e republikës. Një autobus frenoi dhe u kthye të futej në parking. Ajo e shikoi orën. Shpejt e pa edhe tabelën e regjistrimit. Ishte një autobus me regjistrim të Gostivarit. Nuk ishte autobusi të cilin e priste. “Domethënë autobusi vonohet”, mendoi. Deshi të shkojë te sporteli për informacione, të pyes mos ka ndonjë telashe që vonohej autobusi, por në atë çast një burrë e përshëndeti:

“Mirëdita profesoresha Nadezhda!”, atë e tërhoqi zëri i bukur bukur i mashkullit. U kthye me kujdes kah ai dhe ia ktheu përshëndetjen:

“Mirëdita”. E shikoi burrin që e përshëndeti dhe heshti. Burri po e shikonte i buzëqeshur. Një puhizë e lehtë e lëvizte degën dhe i jepte mundësi dielli t’ia zbulonte  dhëmbët e bardhë dhe sytë e kaltër. “Sa i bukur qenka”! mendoi. Pastaj shtoi: “Ju po më njihkeni. Ma përmendët emrin”!

“Ju njoh mirë. Si mos t’ju njoh, kur pas kaq vitesh, ju jeni po ajo profesoresha elegante Nadezhda. Kam qenë nxënës juaji në shkollë të mesme. Më keni dhënë matematikë. E dini, kam ndenjur në bankën e parë, mu para tavolinës së profesorëve. Gjithmonë kur m’i kontrollonit detyrat më thoshit: ‘bravo bukurosh”! tha ky dhe një ngjyrë trëndafili sa i vinte e i shkonte në fytyrë.

Asaj iu kujtua: “Premtimi bukurosh”. Fytyrën e saj e mbuloi gëzimi.

“Premtim, ti qenke”! E shikoi e mahnitur. Para saj tash qëndronte jo një djalosh katërmbëdhjetë pesëmbëdhjetë vjeçar, por një burrë i ri, i fuqishëm. Ishte shtatlartë, i veshur me tesha sportive, me bluzë e xhinse. Puhiza e shtyu pakëz degën që bënte hije dhe dielli ia praroi fytyrën djaloshit. “O zot”, mendoi ajo, “po Premtimi i vogël qenka bërë Apolon i vërtetë”.  “Premtim, Premtim, qenke rritur o djalosh. Burrë!”. Ai buzëqeshi. “Ku të nxori i madhi zot këtu, të të shoh”!

“Po shkoj ushtar”… tha Premtimi. “Në Pirot”.

“U bë Premtimi i vogël të shkojë ushtar”, tha profesoresha.

“I kam bërë njëzet e shtatë vjet”, iu përgjigj Premtimi i buzëqeshur. Pastaj “i shfletuan” kujtimet nga koha kur ajo kishte qenë profesoreshë, kurse ai nxënësi i saj i preferuar.  “E dini, profesoreshë, ju keni qenë mbështetja juaj më e fortë për mua, ju më keni dhënë energji të mësoj, ju keni qenë frymëzimi im… Dhe, ja ku jam, Premtimi inxhinier i elektronikës…

“Eh Premtim, Premtim”… bënte profesoresha

“Profesoreshë, më duhet t’ju them se ju nuk keni ndryshuar fare. Po ajo profesoresha Nadezhda e atyre ditëve. Elegante dhe shumë e bukur. Gëzohem pa masë që ju pashë. Jam i sigurt se do të më sillni fat. Dhe, ta dini se gjithmonë do të mbeteni në kujtimet e mia më të mira… Kurse tash jam i detyruar të shkoj. Autobusi… Por pa e përfunduar fjalinë Premtimi, profesoresha e nxori nga çanta e saj një fletore, e shkroi adresën e saj të shkollës ku punonte

“Ja ku e ke adresën time”, tha. “Më shkruaj, Premtim! Më shkruaj vogëlush! Dua ta di si i kalon ditët e ushtrisë.. Ja ku e ke adresën. Premtimi e mori letrën me adresë dhe e vendosi në xhepin e vogël të bluzës, te zemra.

“Këtë adresë, emrin tuaj, do ta ruaj këtu, në zemër”, tha Premtimi. Në atë çast puhiza edhe njëherë e shtyu pakëz degën dhe dielli edhe një herë e ndriçoi fytyrën e Premtimit. Doli në shesh bukuria e tij e plotë. Nadezhda e ndjeu një dridhje të lehtë dhe të rrahurat e shpejtuara të zemrës. “O zot i madh çfarë burri qenka bërë ky djalë!” Premtimi u përshëndet, kurse profesoresha ia ktheu:

“Prit more të të përqafoj një herë”!… Pastaj e përlotur shtoi: “Mos harro të më shkruash”!.

“Do t’ju shkruaj, e dashur profesoreshë. Dhe në çdo letër  do ta fus një pjesë të ndjenjave të mia të pastra për ju që t’ju sjellin gëzim, siç e sjell gëzimin dielli i mëngjesit… Dhe, ta dini profesoreshë, ju jeni dielli im i mëngjesit”. Pastaj u tret midis turmës së njerëzve që vraponin pas autobusëve të tyre.

Dhe, pas largimit të Premtimi asaj iu kujtua miti të cilin e tregon Aristofani në “Gostinë” e Platonit se njerëzit  dikur kanë qenë me katër duar e katër këmbë. Dhe se kanë qenë aq të fuqishëm sa perënditë në Olimp paskan filluar të frikësohen prej tyre, duke menduar se njerëzit e këtillë kanë mundur t’ua marrin pushtetin. Prandaj vendosën që t’i ndajnë duke i prerë përgjysmë me shpatë. Pastaj i kanë lëshuar këto gjysma të bredhin nëpër botë duke kërkuar gjysmën e tyre ideale dhe kurrë mos mund ta gjejnë.

“Ai është gjysma ime ideale” i doli qetas prej goje profesoreshës Nadezhda..

Shpejt pasta, arriti autobusi të cilin ajo e priste. Me të edhe burri i saj dhe u nisën në shtëpi. Nadezhda e ndjeu një vetmi të llahtarshme që po ia ngushtonte rrethin dhe po ia shtrëngonte fytin.

“Çka të mundon, Nada?  e pyeti i shoqi. Nuk jam mirë. Dhe, e takova një ish nxënësin tim dhe m’i kujtoi ditët e moçme kur kam punuar në provincë… Ndoshta nostalgjia për atë natyrë të bukuri.

Aha!… tha burri dhe vazhduan në shtëpi duke mos këmbyer asnjë fjalë.

Pastaj,  me kohë, për dy-tre muaj, burrë e grua i ftohën marrëdhëniet  deri në shkallën e heshtjes së plotë, që do të thotë hynin e dilnin në shtëpi pa këmbyer asnjë fjalë me njëri-tjetrin. Profesoresha thuajse çdo ditë merrte letër nga Premtimi dhe i përgjigjej në çdo letër në të cilat e pranoi se e do, se digjet për të, se ai është çdo gjë në jetë për të.

Por, një ditë nuk arriti letra e shumëpritur e Premtimit për profesoreshën Nadezhda. Nuk erdhën letra as ditëve të tjera.

E pikëlluar kohën më të madhe e kalonte në shkollë duke lexuar në kabinetin e saj.

Një ditë në zyrën e arsimtarëve u fol  për një listë mjaft të gjatë të ushtarëve shqiptarë në APJ. Aty u përmend edhe emri i Premtimit.

“Kriminelë”! bërtiti profesoresha dhe doli. Kurrë më nuk u kthye në shtëpi. As në shkollë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button