Të ftuarit e Gjykatës Speciale mund edhe të paraburgosen

Disa të ftuar nga Gjykata Speciale mund që të paraburgosen gjatë procesit të intervistimit.

Gjykata Speciale deri më tani ka dërguar disa ftesa për ish-eprorët e ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare, transmeton Zëri.

Të fundit nga skena politike që janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, janë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj si dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Haradinaj ishte thirrur nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit mirëpo, ai është mbrojtur në heshtje.

Por a ekziston ndonjë mundësi që të gjithë të ftuarit nga Gjykata Speciale të paraburgosen gjatë procesit të intervistimit?

Avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Tomë Gashi, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në raste të caktuara edhe mund të ndodhë paraburgimi i ndonjërit prej të dyshuarve.

“Normal që në raste të caktuara Prokuroria Speciale në Hagë mund të kërkoj që Gjykata Speciale në raste të caktuara të paraburgos dikë prej të dyshuarve dhe atë para gjatë, por edhe pas interviatimit të tij apo të saj”, tregoi Gashi.

Sipas tij, rastet e tilla mund të ndodhin kur prokuroria ka dyshime se të dyshuarit mund të ndikojnë te dëshmitarët apo te provat, por edhe kur ka dyshime se mund të largohen nga vendi.

“Prokuroria e kërkon këtë kur ka dyshime se personi i dyshuar mund të ik, mund të ndikojë në dëshmitarë dhe prova për të siguruar prezencën e tij, paraburgimi si masa më e ashpër mund të parandalojë këto veprime. Por gjithmonë Gjykata do të vlerësoj se rreziqe të tilla se a mund të eliminohen me masa të tjera alternative, siç janë arresti shtëpiak, lajmërim në polici në dite dhe kohë të caktuar, konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit, kaucioni dhe veprime të tjera, të ndërlidhura”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, mund të ndodhë që Gjykata Speciale të kërkojë që ndonjë i dyshuar të qëndrojë në Hagë.

“Por specifika është se Gjykata Speciale mund të kërkoj që i dyshuari të qëndrojë në Hagë në kushtet që gjykata i përcakton”, theksoi ai.

Gashi tregoi se praktikat e Gjykatës Speciale janë të njëjta siç kanë qenë në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, ku të dyshuarit kanë qëndruar në paraburgim edhe gjatë procesit të intervistimit dhe nuk kanë pasur mundësi që të mbrohen në liri.

“Praktikat janë të njëjta siç kanë qenë në Tribunalin e Hagës për ish -Jugosllavinë, edhe pse në atë Tribunal secili i akuzuar gjatë fazës së gjykimit ka qëndruar në paraburgim dhe nuk ka pasur mundësi askush të mbrohet në liri derisa të zhvillohet gjykimi”, tregoi ai.

Tutje Gashi ka thënë se ka shumë gjasa që dikush prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së të arrestohet dhe të mbahet në paraburgim menjëherë pas ngritjes së aktakuzës.

“ Gjasat më reale janë që dikush prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së të arrestohet dhe të mbahet në paraburgim pas ngritjes se aktakuzave në Gjykatën Speciale. Shpresojmë që kjo mos të ndodhë por gjasat janë shumë shumë të mëdha”, theksoi Gashi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button