Të dhënat personale të qytetarëve mbahen në objekte që janë duke u rrënuar

Objekte të vjetra, kulme që pikojnë, dritare dhe dyer të thyera, rrallë kush do të kishte menduar që në hapësira të atilla mbahen të dhënat personale të qytetarëve të shtetit. Ashtu duket numri më i madh nga gjithsej 239 zyra lokale në të cilat mbahen librat amë të të lindurve, të martuarve dhe të vdekurve, transmeton NOVA.

Gjendja më kritike është në zyrat lokale të njësisë rajonale në Gostivar.

“Bëhet fjalë për objekte tepër të vjetra, që nuk mirëmbahen dhe që kurrë nuk janë rinovuar. Në periudhën e dimrit ofiqarët ngrohen me drunj, që në anën tjetër shkakton rrezik të madh të vjen deri në pasoja të padëshiruara, përkatësisht të shpërthen zjarri. Në disa zyra lokale kulmet janë pjesërisht të rrënuara dhe gjatë reshjeve të mëdha të shiut ose të borës uji pikon në objekt”, thotë Toni Milloshevski nga Sindikata e Drejtorisë për mbajtje të librave amë (DMLA), i cili shton që ka shumë zyra që duken si stalla.

Pamja nuk është aspak më ndryshe edhe në zyrën lokale në Llabënisht të Strugës, si dhe në Vitolisht të Prilepit.

Nga zyra rajonale në Prilep kanë dërguar edhe kërkesë në Drejtorinë për mbajtje të librave amzë për rinovim të pjesshëm të ndërtesës.

“Ka disa zyra të cilat vet organizohen për t’i përmirësuar kushtet e punës. Ndodh që ofiqarët të kërkojnë donacione nga persona privatë dhe firma që ata të ndihmojnë në rinovimin e hapësirave në të cilat punojnë që të mund të funksionojnë pa vështirësi”, sqaron Milloshevski.

Problemet e këtilla, sipas Milloshevskit, kanë filluar kur nga 1 janar 2010, Drejtoria për mbajtje të librave amzë u nda nga MPB-ja.

“Drejtoria për mbajtje të librave amzë, si institucion shtetëror është ndarë nga Ministria për punë të brendshme në vitin 2010, me çka sipas meje, u bë gabim i madh. Me këtë ndarje, Drejtoria prej objekteve të MPB-së është transferuar në objekte tjera të papërshtatshme, pa fare siguri për punonjësit dhe dokumentet që janë në kompetencë të saj. Mendoj që problemi me sigurinë e punonjësve dhe dokumenteve të të gjithë qytetarëve do të tejkalohej nëse kthehemi nën MPB”, konsideron kryetari i Sindikatës së DMLA-së.

Drejtoria për mbajtjen e librave amë punon përmes tetë seksioneve rajonale, 26 zyrave rajonale dhe 239 zyrave lokale në vendbanimet rurale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button