Raufi: Dëshmitari i fshehur nuk dëshmoi asgjë

Dëshmitari i fshehur për rastin “Monstra” nën emrin e koduar “E1”, të premten është pyetur për plot tre orë nga prokuroria dhe mbrojtja. Nga ajo që mësojmë, ai nuk ka dëshmuar kundër asnjërit prej të akuzuarve, e as që ka parë vrasjen, por ka dëshmuar për rrethana disa orë para ngjarjes. Këtë e konfirmon edhe avokati mbrojtës Naser Raufi, i cili thotë se nuk ka bazë për ngritjen e aktakuzës duke u mbështetur në këtë dëshmi.

“Duke parë dëshminë e dëshmitarit nuk e shoh se pse i kanë dhënë atë status, statusin e dëshmitarit të rrezikuar. Nuk korrespodon me deklaratën e tij. Në bazë të dëshmisë së tij nuk mund të ngrihet aktakuzë. Dëshmia e tij ishte për rrethana para ngjarjes, jo për ngjarjen” – thotë Raufi për Portalb.

Të shtunën skadon afati ligjor dhe duhet të përmbyllet procesi hetimor dhe të ngritet akuzë ose të lirohen të akuzuarit. Intervali i stërzgjatur i hetimit le vend për dyshim se prokuroria nuk posedon prova. Avokati i mbrojtjes Naser Raufi potencon se nëse ngrihet akuzë ai do të kërkon hetim ndërkombëtar të rastit, edhe atë me ndihmë të FBI-së amerikane.
 
Pas aksionit policor “Monstra” i cili kishte për qëllim zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovcit nën dyshim për kryerjen e veprës penale “terrorizëm” u ndaluan në paraburgim tre persona, ndërsa dyshohen edhe dy të tjerë, të cilët janë të arratisur./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button