Historia e suksesit të instruktorit shqiptar në FBI dhe SWAT

Në të gjithë botën numërohen 10 instruktorë policie të nivelit të 8 në “Commando Krav Maga” të Izraelit, dhe njëri prej tyre është shqiptari i Kosovës, Uliks Gjonaj.

Për Amerikën, Izraelin, Zvicrën, Uliksi është individ shumë i rëndësishëm, pasi ato i kanë besuar atij Policinë e Shtetit. Ai stërvit skuadrën policore më të fuqishme në botë siç është SWAT-i amerikan, apo FBI.

Gjonaj është qytetar i Amerikës dhe Zvicrës, vite më parë ka kërkuar të pajiset më pasaportë shqiptare, por për shtetin shqiptar instruktori ndërkombëtar është një qytetar i zakonshëm.

Historia e Uliksit është e pazakontë. Ai braktisi mjekësinë për t’u bërë pjesë e policisë.

“Nisa studimet për mjekësi në Kosovë, më pas emigroj në Amerikë bashkë me familjen, edhe atje rifilloj shkollën si ndihmës mjek. Rastësisht takoj dy policë, ata duke parë fizikun tim më këshilluan që të vizitoj shkollën e policisë. Shkoj dhe atje nis menjëherë studimet, dhe sapo i përfundoj ato më japin titullin si instruktor”, tregon Uliksi për “Top Channel”.

Instruktori ndërkombëtar më orgjinë shqiptare nuk ka habitur vetëm Amerikën, por edhe Evropën.

“Në Evropë jam i vetmi i licencuar si instruktor i instruktorëve”, thotë ai.

40 vjeçari punon si instruktor i Swat-it megjithatë ai gjen gjithnjë kohë të këshillojë policinë shqiptare. Sot stërvit kategorinë e policeve femra, më herët ka qenë si instruktor i Renea-s dhe grupit të ‘Shqiponjave’.

Kush është grupi më elitar që ke stërvitur?

“Grupi më elitar është S.W.A.T-i i Amerikës. Kuptohet që trajnimet e FBI-së janë të veçantë. Jo më larg se një muaj trajnova 45 pjesëtarë të S.W.A.T-it”, thotë Gjonaj.

Në arenën ndërkombëtare të instruktorëve, Uliksi prezantohet me pasaportën zvicerane. Pavarësisht kësaj, sot ribën kërkesën e tij për të qenë qytetar i Shqipërisë.

“Kërkesën e kam bërë tek Presidenca, Kryeministria dhe Ministria e Brendshme, është kthyer përgjigja që të qëndroj 5 vite në Shqipëri dhe të bëj të gjitha pagesat, por unë nuk kam mundësi dhe kohë të qëndroj 5 vite këtu”, thotë ai.

Rrënjët e tij janë nga qyteti i Shkodrës për këtë arsye dëshira e është të njihet si Uliks Gjonaj, instruktori nga Shqipëria

“Dua të përfaqësoj Shqipërinë dhe t’i tregoj botës që ka njerëz që përfaqësojnë shtetin dhe flamurin shqiptar, dhe jo gjithmonë ne shqiptarët jemi ata që përfaqësojmë shtetet e tjera”, shprehet Uliksi.

Nëse të gjithë shqiptarët ëndërrojnë të kenë një pasaportë evropiane apo të Amerikane, duket se dëshira e Uliksit është shumë ndryshe nga ajo e të rinjve shqiptarë. Ai kërkon të jetë qytetar i Shqipërisë vetëm për një arsye, që Shqipëria të lakohet në dyert e policisë botërore si një vend që prodhon njerëz elitarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button