Haradinaj: S’e kemi kryer amanetin e dëshmorëve nëse nuk jemi 100 për qind shtet

Duke kujtuar të rënët për liri në fshatin Raushiq të Komunës së Pejës, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, tha se është traditë që edhe pas 20 vjet në liri të nderojmë te varrezat e dëshmorëve dhe heronjve dhe të bashkohemi me familjarët e dëshmorëve, heronjve, me bashkëluftëtarët e gjallë.

“Motivi më i madh që na shtyn ende të vijmë te varrezat dhe te lapidarët, është të jemi afër familjeve të dëshmorëve. Andaj, një falënderim i veçantë u shkon familjeve të dëshmorëve për bijtë e tyre, falë të cilëve sot jemi në liri. Faleminderit të gjithëve për kontributin e dhënë për liri”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, transmeton KTV.

Tutje ai ka thënë se rruga për liri nuk ka qenë e lehtë.

“Nuk ka qenë e lehtë rruga deri në liri, deri më 1999, por nuk ishte e lehtë edhe rruga deri këtu. Dhe nuk është e lehtë edhe sot, por nuk kemi zgjidhje tjetër përveç ta vendosim të drejtën, ta kryejmë atë që është e drejtë e jona, Kosova në shtetësinë e vet të jetë 100 për qind shtet”, tha Haradinaj gjatë homazheve te lapidari dhe varret e dëshmorëve Agim dhe Milazim Zekaj dhe Ruzhdi Haxhijaj.

Tutje ai ka shtuar se, “99 për qind nuk e kemi kryer amanetin e dëshmorëve nëse nuk jemi 100 për qind shtet, nëse Kosova nuk është Kosovë. Në këtë frymë Lavdi të rënëve për liri në Raushiq, heronjve, luftëtarëve, bashkëluftëtarëve tanë. Na priftë e mbara ta kryejmë në plotni detyrën, porosinë, interesin jetik që kemi, e që është përmbyllja e shtetësisë tonë”.

Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit me një fjalë i përshëndeti, Marigona Zekaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button