Presidenti Thaçi ka kërkuar mandatarin e ri për ngritjen e qeverisë së Kosovës

Presidenti i Kosovës i kërkoi të premten koalicionit fitues të zgjedhjeve të vitit 2017, që të propozojë mandatarin e ri për themelimin e qeverisë, pas dorëheqjes së dy javëve më parë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, njofton Zëri i Amerikës.

Në letrën drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli që ishte bartës i listës së koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe një grup partish më të vogla, presidenti Thaçi shkruan se në bazë të Kushtetutës koalicioni ka të drejtë të propozojë mandatarin duke i kërkuar që ta bëjë një gjë të tillë.

Letra e së premtes, pasoi fillimin e këshillimeve të tij me partitë politike për zgjidhjen e situatës së krijuar pas dorëheqjes së zotit Haradinaj. Gjatë javës, presidenti Thaçi takoi partitë e komuniteteve pakicë dhe kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të diskutuar zhvillimet politike në vend.

Neni 95, pika 5 e Kushtetutës së Kosovës

Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm të partitë politike ndaj kësaj letre e cila, mund të jetë një veprim për të përmbushur detyrimin kushtetues të presidentit i cili ose kërkon mandatar të ri ose në këshillim me partitë politike cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Gjatë javës ai tha se është i gatshëm t’i shpallë zgjedhjet e reja nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje tjetër për situatën e krijuar.

Partitë politike deri tash kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja, ndërsa një pjesë e tyre ka kërkuar nga presidenti i vendit që të veprohet më shpejt në të kundërtën do të hedhin nismën për shpërndarjen e parlamentit përmes votimit që kërkon dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh.

Kosova po përballet me një krizë të re politike pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr javën e kaluar për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button