Tarifa të reja për produktet kineze, Trump ashpërson luftën tregtare

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa të reja për produktet kineze, duke ashpërsuar edhe më tej luftën tregtare me Kinën. Trump ka akuzuar Pekinin se nuk u është përmbajtur detyrimeve të marra përsipër në bisedimet dypalëshe dhe ka paralajmëruar se tarifat e reja mund të rriten, njofton Abc News.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të vendosë tarifa të reja prej 10 për qind mbi produktet kineze me vlerë 300 miliardë dollarë, një lëvizje kjo që pritet të përshkallëzojë më tej luftën tregtare mes dy vendeve. Deklarata erdhi pas raundit të radhës të bisedimeve, ku palët treguan pak vullnet për të tejkaluar ngërçin.

Tarifat e reja, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 shtator, faktikisht do të taksojnë të gjitha importet kineze në Shtetet e Bashkuara. Ato pritet të mbulojnë një gamë të gjerë produktesh, nga telefonët “smart” deri tek veshjet. Ministri i Jashtëm kinez, Uang Ji kritikoi lëvizjen e Shtëpisë së Bardhë. “Rritja e tarifave nuk është një mënyrë konstruktive për të zgjidhur përplasjet ekonomike dhe tregtare.

Nuk është rruga e duhur”, deklaroi ministri. Presidenti Trump e njoftoi planin e tij të tarifave në Tëitter, duke akuzuar Kinën se nuk ka mbajtur premtimin për të blerë më shumë produkte agrikulturore amerikane. Ai gjithashtu sulmoi homologun kinez Xi Jinping, që dikur e cilësonte mikun e tij, se ka dështuar në implementimin e zotimeve të marra përsipër nga Pekini.

Ndërkohë, në një deklaratë të mëvonshme, presidenti amerikan u tha gazetarëve se tarifa prej 10 për qind është një masë afatshkurtër, duke paralajmëruar se më vonë ajo mund të rritet mbi 25 për qind. “Dikush duhet ta kishte bërë këtë me Kinën shumë kohë më parë”, tha Trump.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button