Ruanda e mbylli kufirin me Kongon për shkak të Ebolës

Ruanda mbylli një pjesë të kufirit me Republikën Demokratike të Kongos, ku shpërthimi i Ebolës ka vrarë mbi 1,800 njerëz gjatë vitit të kaluar.

Së paku dy njerëz vdiqën muajin e kaluar në qytetin kufitar të Kongos, Goma.

Është ky shpërthimi më i keq i Ebolës në historinë e këtij vendi, ku së paku 2,700 njerëz janë infektuar me të.

Presidenca e Kongos tha përmes një deklarate se autoritetet e Ruandës kanë marrë vendim të njëanshëm për mbylljen e kufirit në Goma, transmeton REL.

“Autoritetet e Kongos shprehin keqardhje për këtë vendim, i cili bie ndesh me këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)”, thuhet në deklaratë.

OBSH-ja ka paralajmëruar më herët që të mos bëhen përpjekje për të kufizuar virusin, duke kufizuar udhëtimin ose tregtinë.

Goma është një qendër kryesore tregtare dhe kulturore në kufirin e Kongos me Ruandën.

Ebola është një virus që fillimisht shkakton ethe, dobësi, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të fytit.

Pacientët e prekur mund të vdesin nga dehidrimi dhe dështimi i disa organeve.

Shpërthimi më i madh i Ebolës që ka ndodhur në Afrikën Perëndimore më 2013-2016, ka prekur 28,616 njerëz, kryesisht në Guinea, Liberi dhe Siera Leone.

Atëbotë janë raportuar 11,310 vdekje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button