Janë promovuar katër linja të reja ajrore nga aeroportet e Maqedonisë së Veriut

TAV Maqedoni dhe “Wizz Air” promovuan katër linja të reja ajrore nga dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Qyteti Turku në Finlandë dhe Larnaka në Qipro janë destinacionet e reja nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ndërsa udhëtarët nga aeroporti i Ohrit do të kenë mundësi të udhëtojnë për në Memmingen dhe Dortmund të Gjermanisë.

Zv/kryeministri dhe ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, i cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje, tha se shpreson që hapja e linjave të reja ajrore do të kontribuojnë në thellimin e miqësisë mes Maqedonisë së Veriut dhe këtyre vendeve.

“Më vjen shumë mirë që numri i udhëtarëve nga aeroportet tona është në rritje të vazhdueshme, vendosen linja të reja drejt shumë qyteteve evropiane dhe me këtë zmadhohet edhe mundësia për rritjen e numrit të turistëve nga vendet e ndryshme të cilat vijnë për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Spasovski.

Drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Alper Ersoy, tha se nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit aktualisht fluturohet në 44 destinacione ndërsa nga aeroporti i Ohrit në 22 destinacione.

“Deri më tani, kemi shërbyer rreth 1,3 milionë udhëtarë në aeroportin e Shkupit me rritje prej 7 për qind dhe deri më tani kami pasur rreth 150 mijë udhëtarë në aeroportin e Ohrit me 53 për qind rritje”, tha Ersoy, duke shtuar se është rritur edhe numri i fluturimeve në të dyja aeroportet e vendit.

Paulina Gosk, përfaqësuese nga kompania “Wizz Air”, tha se kompania kryen fluturime nga Maqedonia e Veriut që nga viti 2011, duke shtuar se çdo vit rritet sasia e punës.

“Pra, që nga fillimi, në vitin 2011, ne kemi transportuar më shumë se 6 milionë udhëtarë dhe siç mund ta shihni, çdo vit ne po shënojmë rritje. Nëse krahasojmë gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar me gjashtë muajt e parë të këtij viti, sërish shënojmë rritje në numrin e udhëtarëve me 13 për qind”, tha Gosk.

Pas fjalimeve, të pranishmit në mënyrë solemne dolën të presin udhëtarët e parë që erdhën përmes linjës së drejtpërdrejt ajrore nga qyteti Turku i Finlandës.

Përpos katër destinacioneve të reja, është promovuar edhe vendosja e avionit të pestë në bazën e kompanisë “Wizz Air” në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button