Dallimi është te qasja

Skandale korrupsioni nuk ndodhin vetëm në Maqedoninë e Veriut, ndodhin gjithkund. Nuk është ky i vetmi vend ku njerëz të cilët duhet ta mbrojnë dhe zbatojnë ligjin dyshohet të kenë kaluar në anën e errët të ligjit duke i shkelur parimet bazë të profesionit të tyre. Nuk është ky vendi i vetëm ku ka prokurorë ose gjyqtarë të korruptuar që shohin se si të pasurohen e jo si të vendosin drejtësinë. Nuk është ky vendi i vetëm në botë ku ministra, deputetë ose funksionarë partiakë dyshohen të jenë përfshirë ne skema korrupsioni, shantazhi e larje parash. Gjëra të tilla ndodhin edhe në vende më të prapambetura por edhe në vende shumë më të përparuara se vendi jonë. Korrupsioni është fenomeni me të cilin përballet çdo shoqëri, ndërsa skandalet korruptive tronditin edhe qeveritë e vendeve më të fuqishme të botës.

Pra, skandale korruptive ka në çdo shtet. Ajo që i dallon shtetet është qasja ndaj këtyre skandaleve. Në shtetet ku ligji funksionon, ku sundon e drejta dhe ku përgjegjësia penale vjen në zbatim, kur paraqitet një skandal i tillë korruptiv që involvon organe të larta shtetërore, menjëherë fillon një hetim gjithpërfshirës dhe i thellë i gjithçkaje që ka ndodhur dhe mbi gjithkënd që paraqitet si i involvuar. Një hetim i tillë nuk duron vonesa dhe as anulime, sepse vendet ku sundon ligji e dinë që qytetarët kërkojnë përgjigje, përgjigje të kuptueshme dhe logjike, jo përgjigje që i trajtojnë ata (qytetarët) si persona jointeligjentë. Sepse faktet në një procedurë penale nuk është vështirë të kuptohen edhe nga secili që nuk ka ndonjë shkollim të lartë por ka vetëm atë që quhet gjykim i shëndoshë. Kjo është arsyeja pse për shembull, në SHBA, edhe për rastet më të rënda dhe serioze të krimeve, vendos juria e përbërë nga qytetarë të rëndomtë dhe laikë e jo nga gjyqtarë profesionalë. Sepse faktet për një vepër penale mund t’i dallojë secili, kur para tyre prezantohen në mënyrë transparente dhe profesionale, dhe secili mund të vendosë a është dikush i fajshëm apo jo. Pra në vendet ku ligji funksionon gjërat nuk fshihen sado të dhimbshme qofshin ato. Nëse dikush e ka shkelur ligjin ai del para drejtësisë dhe institucionet shtetërore nuk e mbrojnë as nuk e fshehin përgjegjësinë e tij. Dhe kjo është e mira e kësaj qasjeje, sepse po të vërtetohet se personi në fjalë është i fajshëm, ai shkon në bartje të përgjegjësisë dhe në shoqëri vendoset sërish balansi. Po të vërtetohet se është i pafajshëm, personi në fjalë e pastron emrin e vetë nga akuzat dhe vazhdon të punojë më tej me pafajësinë e dëshmuar edhe në gjykatë, sërish balansi në shoqëri rivendoset. Në vendet ku ligji funksionon qytetarët nuk lehen në terr informativ dhe nuk u jepet hapësirë të bëhen pre e spekulimeve dhe informatave gjysmë të vërteta dhe t’i sjellin vetë përfundimet e veta.

Në vende më pak të zhvilluara kur ka skandale korruptive përgjegjësia asnjëherë nuk vendoset në tërësi por vetëm në mënyrë të pjesshme. Ndoshta gjenden disa nga fajtorët por nuk dënohen edhe ata persona që janë bartës të funksioneve të rëndësishme e të cilët rezultojnë te jenë involvuar në ato skandale. Në vendet ku ligji nuk funksionon skandalet korruptive “zgjidhen” përmes faktorit “kohë”. Sa më shumë kohë kalon aq më shumë zbehet skandali. Dhe dalëngadalë harrohet. Secila çudi zgjat tri ditë, në Ballkan dhjetë ditë, dhe pastaj edhe çudia më e madhe harrohet. Kështu që nëse të involvuarit në skandal i përballojnë ato “dhjetë ditët” e çudisë, atëherë kanë gjasa reale ta shpëtojnë kokën. Pastaj del ndonjë skandal tjetër, më i madh, më i rëndësishëm dhe qytetarët e humbin interesin tek ajo që ndodhi më parë. Si tani që gjithnjë e më pak flitet për faktin se Gruevski iku dhe nuk barti përgjegjësi për bëmat e tij. Kush habitet më për këtë? Askush, ky është një lajm i vjetër. Po me përgjegjësinë e ish presidentit Ivanov që dha faljet sensacionale dhe skandaloze të vitit 2016 çfarë ndodhi? Asgjë, edhe ajo u harrua, tani është lajm jo vetëm i vjetër por antik. Çfarë do të ndodhë edhe me vendosjen e përgjegjësisë eventuale të prokurores speciale Janeva? Nëse punët shkojnë sipas skemës së deritanishme, sigurisht edhe kjo punë do të harrohet së shpejti. Çdo ditë që kalon pa veprime konkrete në këtë drejtim është një hap më larg bartjes së përgjegjësisë dhe një hap më afër harresës.

Maqedonia e Veriut është në fazë kur duhet të dëshmojë se ka mundësi të vendosë sundimin e ligjit. Emri i prokurores speciale që përmendet si e involvuar në rastin “shantazhi” duhet të qartësohet. Nëse ka përgjegjësi e njëjta duhet të bartet. Nuk është fundi i botës, korrupsioni ndodh gjithkund pra edhe te ne. Nëse prokurorja speciale ka ngrënë nga pema e ndaluar duhet të përballet me përgjegjësi dhe jo të mbrohet e as të fshihet. Nëse kjo nuk është e vërtetë, atëherë pafajësia duhet të etablohet në proces gjyqësor dhe jo të lehen këto çështje në gjykim të opinionit publik. Për më tepër, në fondacionin e Jovanovskit, të dyshuarit për shantazh dhe për larje parash, marrin pjesë një mori personash publikë, deputetësh, ministrash e funksionarësh partiakë. Menjëherë ata vetë duhet të japin deklaratë për këtë çështje dhe të ofrojnë vet që të jenë dëshmitarë në gjykatë. Duhet menjëherë ta bartin përgjegjësinë ose ta pastrojnë emrin e vet nga këto akuza. Rrugë tjetër nuk ka.

Si do të zhvillohet, sa do të zgjasë dhe si do të përfundojë hetimi dhe gjykimi për këtë rast do të tregojë se a jemi në gjendje të kemi institucione të vërteta shtetërore ose jo. Nëse i gjithë rasti mbetet me dy të dyshuarit e tashëm ndërsa të tjerët trajtohen si specie e mbrojtur atëherë është e qartë që sundim të ligjit nuk do të kemi edhe për një kohë të gjatë e ndoshta edhe asnjëherë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button